Dështimi i njëpasnjëshëm i grevave të urisë dhe protestave, që ia bëri fakt të kryer Doktori, e nxitën Kunatin të mendonte një skemë të re se si duhet ta shmangnin Doktorin. Pasi u pa se BE do votojë pro statusit, Kunati i propozoi Lulit që ta bënte fakt të kryer pushimin e grevave dhe protestave deri sa të jepej statusi.
-Me këtë rast, duket sikur hoqëm dorë vetë, i tha Kunati.
Lulit iu duk zgjidhje ideale dhe mblodhi të hënën grupin parlamentar dhe bëri propozimin.
Para se të fliste, pa nga Doktori, por ai ia hoqi vështrimin. Në krah të tij, Jozi po ashtu bëri një lëvizje nervoze.
-Desha të bëj një propozim, tha Luli, se e kam dhe rekomandim nga ndërkombëtarët. Ata do t’ia japin statusin Shqipërisë dhe ne s’kemi pse ekspozohemi si protestues të dëshpëruar. Duhet të bëjmë një pakt për të ndalur grevat dhe protestat deri në fund të qershorit, pastaj të vendosim se çfarë duhet të bëjmë. Dihet që negociatat mund të vonojnë një vit sa të hapen, ndaj duhet të përdorim atë periudhë për protesta. Ka ndonjëri ndonjë propozim?
-Unë mor zotëri nuk e kuptoj, tha Doktori, ç’punë kanë të burgosurit politikë me statusin. Ata janë në grevë kundër Edvin Ramës, babai i tij ka qenë komunist dhe ky mban përgjegjësi për atë që ka bërë babai i vet. Ti je i vetmi kryetar partie opozitar në botë që planifikon mbyllje protestash dhe grevash, do hysh në librin Gines. Por populli opozitar nuk ka axhendën tënde, ka punën e tij.
-I kshu menoj dhe unë, tha Jozi. Ti mar djal’ nuk ke punë me popullin opozitar, siq tha dhe Doktor Brisha.
Luli u vu në siklet nga ndërhyrja e tyre dhe filloi të shpjegojë.
-Shiko, ky është një veprim taktik, jo se dua të pushojmë grevat, por se po dështojmë dhe duhet të fshehim dështimin. Duhet të kemi mirëkuptim për këtë. Ka ndonjëri ndonjë propozim?…
Ju zoti Ristani çfarë mendoni, tha Luli që donte ta ndërronte bisedën.
-Po mua shumë mirë më duket, tha Ristani, vetëm nuk duhet të nxitohemi të vëmë afat. Të përfundojë dhe kampionati botëror se është javën e parë të korrikut. Pastaj nga gushti them të bëjmë ca plazh. Nga shtatori e diskutojmë, them unë.
-Të drejtë ka Beni, tha Ruli, se tani dalin dhe domatat dhe s’ka burrë nëne t’i çojë shqiptarët në protesta deri në shtator kur mbarojnë. Bukë e djathë e domate dhe e shtyjnë.
-Ju zoti Bumçi çfarë mendoni, tha Luli.
-S’e di kur i ka pronotuar pushimet gruaja, po e pyes e të them nesër kur duhet t’i fillojmë protestat.
-Pa problem, kur të duash ma thuaj, tha Luli. Ju zoti Halimi a jeni dakord?
-S’ka problem se unë i bëj uikendet tek Splendid, këtu në Mal të Zi, afër jam për çdo gjë.
-Shumë mirë, tha Luli. Ja, kështu diskutohet tamam. Ju zonja Mesila a jeni dakord?
-Dakord jam, tha Mesila, vetëm mos caktoni datë fillimi se do na torturoni i kot. Le të ndodhë ndonjë gjë.
-Mirë atëherë, po e mbyllim, tha Luli, dhe unë mendoj që ta kthejmë në vendim këtë gjë.
-Jo, prit një minutë, tha Flamuri. Nuk është kaq e lehtë kjo gjë. Ça do bëhet me mua dhe Strazimirin tani që paskeni vendosur të mos bëjmë sherr sa të marrim statusin? Me se duhet të merremi ne?
-Ju mirëkuptoj, tha Luli, por dhe ju duhet të bëni një sakrificë për statusin.
-Jo or taj se s’jena duke marrë rrogën kot, i tha Flamuri.
-S’kam ç’u bëj, tha Luli. Bëni pushime, bridhni, vetëm shmangni kalimin nëpër Laç.
Edhe une do te pyese Aldon per pushime…