Reforma Territoriale dhe ligjet për reformën në drejtësi/ Rama negociata për sigurimin e votave, Basha strategji për mosrrjedhjen e votave

28 Korrik 2014, 12:10Politika TEMA

Reforma territoriale dhe ligjet për reformën në drejtësi, që pritet të votohen në seancën e së enjtes, e fundit për këtë sesion parlamentar, pritet të jenë në qendër të vëmendjes në mbledhjet e Grupeve Parlamentare të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. E ndërsa kjo e fundit tashmë ka marrë vendimin politik për të mos qenë pjesë në seancën e fundit plenare, për socialistët çështja duket më e komplikuar pasi duhet të bindin 5 deputetë, të cilët kanë shfaqur pakënaqësi dhe kanë munguar në seancën e javës së shkuar duke bllokuar miratimin e ligjeve që kërkonin 3/5 e votave. Gjithsesi mësohet se dy partitë janë angazhuar në negociata, socialistët për të garantuar minimalisht 84 vota për të miratuar paketën ligjore për reformën në drejtësi dhe reformën territoriale, dhe demokratët për të mbajtur të bashkuar deputetët e opozitës për mosrrjedhjen e votave prej tyre në seancën e fundit.

Grupi Parlamentar i PS

Kryeministri Edi Rama pritet të drejtojë mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist e cila do të zhvillohet me dyer të mbyllura ditën e martë rreth orës 13:00. Mbledhja pritet të shoqërohet me debate, kjo për shkak të qëndrimit të shfaqur nga deputetët Tom Doshi, Armando Prenga, Arben Ndoka, Pjerin Ndreu, Andrea Marko, Parid Cara, të gjithë pjesë e grupit parlamentar, që me qëndrimin e tyre kundërshtojnë ndarjen e re territoriale dhe kanë bllokuar paketën për reformën në drejtësi. 6 ligjvënësve socialistë i janë bashkuar edhe Mark Frroku dhe Vangjel Dule. E ndërsa Tom Doshi dhe Armando Prenga zyrtarisht kanë shfaqur kritika të forta ndaj ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, dhe qëndrimin e tyre kritik e kanë shfaqur duke bllokuar shumicën e cilësuar prej 84 votash, 6 ligjvënësit e tjerë kanë shfaqur pakënaqësi në lidhje me reformën territoriale. Deputetët e cilësuar si „rebelë” apo të „pabindur” duket se kanë zgjedhur në heshtje si drejtuesin e tyre deputetin e Qarkut të Shkodrës Tom Doshi, i cili është shfaqur edhe më i ashpri në qëndrimin publik dhe në akuza ndaj ministrit të Brendshëm.

Pjerin Ndreu është shprehur se askush nuk ka pyetur atë apo elektoratin e tij për një bashkim të Paskuqanit dhe Kamzës me Tiranën.Gjithsesi përmes një letre publike, Ndreu është shprehur se nuk do të tradhëtojë kurrë Kryeministrin Rama.  “Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe nuk do ta vë gjatë mandatit tim të deputetit. Por kam preferuar si pak kush t’ja them gjërat në sy e jo kulisave e tavolinave si shumë servilë e të pazotë që flasin dhe hedhin helm pas dhe e fërkojnë në sy. Unë nuk jam e s’kam për të bërë pjesë në këtë llum asnjëherë ! Në jetën time nuk kam shantazhuar e as vënë kushte askujt. Askush nuk ka dëgjuar nga unë kushte për poste, për para apo privilegje. Kam kërkuar vetëm vëmendjen e duhur ndaj zonës sime elektorale si ndër më të varfrat, më të lënat pas dore dhe më pak të trajtuara gjatë kësaj kohe. Në asnjë rast gjatë kohës time në PS nuk kam kërkuar asnjëherë asgjë të vetme as për vete e as për familjen time, kurrë. Por për zonën time elektorale s’më ndalon njeri të “ulëras” kur disa vemje politike i fyejnë me zhargonin e shëmtuar “malokë’ dhe i përbuzin çdo dite..!”, ka deklaruar Ndreu.

Pardi Cara ka kundërshtuar ndarjen e re territoriale për shkak se ajo parashikon që Komuna Kryevidh të bashkohet me Rrogozhinën, në një kohë që sipas ligjvënësit socialist ajo është pjesë e Kavajës. Andrea Marto kundërshton bashkimin e Himarës me Vranishtin, duke mbajtur të njëjtin qëndrim me këtë çështje si kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule. Këtij qëndrimi të paktën publikisht i është bashkuar edhe deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, megjithëse vota e tij nuk dihet nëse do të jetë pro apo kundër reformës territoriale. Deri më tani të paktën 8 deputetë të mazhorancës kanë shfaqur pakënaqësi dhe nëse ato do të mbajnë të njëjtin qëndrim si në seancën e javës së shkuar, atëherë gjasat janë që të paktën reforma territoriale do të varet nga qëndrimi që do të mbajnë deputetët e PDIU, forca politike e cila iu bashkua komisionit të reformës territoriale dhe ligjvënës të opozitës.

Grupi Parlamentar i PD

Në të njëjtën ditë dhe pothuajse në të njëjtën orë edhe Partia Demokratike do të mbledhë Grupin e saj Parlamentar. Burime nga PD konfirmojnë se kreu demokrat Basha pritet të vërë theksin në pakënaqësitë e shfaqura nga shumë njësi të qeverisjes vendore dhe banorët e tyre për ndarjen e re territoriale, por edhe për atë që PD prej më shumë se dy javësh e ka në qendër të vëmendjes heshtjen e kryeministrit ndaj incidentit të ndodhur në Kuvend mes deputetëve Arben Ndoka dhe Genti Strazimiri. Burime nga PD theksojnë se gjithashtu po zhvillohen negocime me deputetë të opozitës, kryesisht të PDIU dhe PR-së, por edhe me Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka për një unifikim qëndrimi, në mënyrë që në seancën e 31 Korrikut mos ketë vota pro reformës territoriale apo paketës ligjore të reformës në drejtësi nga ligjvënës të opozitës. Burimet theksojnë se një nga pikat për të cilat demokratët po shfrytëzojnë përsa i takon reformës territoriale është diferencimi që po bëhet mes Himarës dhe zonave të tjera që preken nga ndarja e re territoriale. Burime nga PD theksojnë se nëdonëse ka një problematikë të ngjashme, mazhoranca ka përqëndruar vëmendjen në Himarë, e cila kundërshton bashkimin me Vranishtin, por shumë njësi të tjera vendore në Qarqet e Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës etj janë lënë jashtë vëmëdjes. Paralelisht me kundërshtitë dhe shpresën që reforma territoriale dhe ligjet për reformën në drejtësi mund të mos miratohen për shkak të qëndrimit bllokues të ligjvënësve të majtë, demokratët gjithashtu janë duke përgatitur rrugët ligjore për të kundërshtuar ligjet që kërkojnë miratimin me 3/5 e votave ose minimalisht 84 të tilla. Burime nga PD theksojnë se forca më e madhe opozitare, por edhe përfaqësues të pushtetit vendor të grupuar në shoqatat e Bashkive, Komunave dhe Qarqeve do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me reformën territoriale.

5 komente në “Reforma Territoriale dhe ligjet për reformën në drejtësi/ Rama negociata për sigurimin e votave, Basha strategji për mosrrjedhjen e votave”

  1. isufi says:

    Shume te zgjuar jane te dy kete politikanet tane, perdorin strategji qe biene ne kurriz te popullit. Dhe kjo as njera e as tjetrja sna nxjerrin gjekundi, shikoni pas se ca behet ne shqiperi per kete reformen territoriale http://dielli.al/lajme.php?id=72908&k=71

    1. erli says:

      ore popull e kuptoni qe vetem ca kryepleq e ca kryekomunar po ankohen? sepse janeeeee hajduta e i iken trasta!

      1. tili says:

        po ska kuptim te kete edhe 45 bashki ky vendi jone me 2 milion qe jetojne ne tirane durres vlore e shkoder ndersa pjesa tjeter e shperndare ne 43 bashki..me pak duhen..po nejse fillimi i mbare!

  2. erli says:

    nese te gjithe pushtetaret e komunave jane kunder ATEHERE DICKA E MIRE PO NDODH! JEPI RAMA, PRIJUA TENTAKULAT KETYRE MATRAPAZEVE!

  3. mosrrjedhjen says:

    Duhet shkoll politike per te qene politikan (siç e ka franca)ndersa te ne iku kardiologu dhe errdhi piktori deshtak

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje