Nishani takon Presidentin e Dhomës Ekonomike të Austrisë: Shqipëria mirëpret sipërmarrësit austriakë

26 Gusht 2014, 14:40Ekonomia TEMA

Presidenti  Bujar Nishani gjatë ditës së fundit të qëndrimit në Austri u takua me Presidentin e Dhomës Ekonomike të Austrisë, Christoph Leitl, me të cilin shkëmbyen mendime të hapura për gjendjen aktuale të investimeve austriake në Shqipëri dhe të ardhmen e tyre.

Nishani i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona si të shkëlqyera dhe shtoi se ne e konsiderojmë Austrinë një partner shumë të rëndësishëm politik dhe ekonomik, jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në planin rajonal dhe më gjerë.

Presidenti tha se Austria nëpërmjet ndihmës dhe investimeve ka qenë mbështetëse shumë e rëndësishme e përpjekjeve tona për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë së hapur të tregut dhe procesit euro-integrues.

Duke vënë në dukje veçmas suksesin e investimeve në bujqësi, financë, sistemin bankar, energji, infrastrukturë, Kreu i Shtetit nënvizoi se ka ende shumë hapësirë për zhvillimin e mëtejshëm të sipërmarrjes austriake në Shqipëri dhe shtoi se eksperienca e deritanishme, me historitë e suksesit dhe problemet e shfaqura, shërben si bazë për gjetjen e stimujve nxitës për promovimin e bashkëpunimit tonë ekonomik.

Nga ana e tij, duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Leitl tha se ndihet i inkurajuar nga gatishmëria e institucioneve shqiptare për krijimin e një klime të favorshme për biznesin, gjë që do të ndikojë në rritjen e investimeve dhe theksoi në mënyrë të veçantë se Austria mund të kontribuojë në fushën e arsimit profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, si një nga vendet më me eksperiencë në Evropë dhe më gjerë në këtë fushë.

Presidenti Nishani e siguroi Leitl për vullnetin e institucioneve shqiptare për promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të gjithanshëm me Austrinë dhe se vetë Presidenti do të jetë gjithashtu një zë i fortë në mbështetjen e këtij bashkëpunimi.

Presidenti Nishani zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të Shoqatës “IG Alpbach Albania” pjesëmarrës në Forumin Evropian Alpbach 2014.

Në fillim të takimit, Presidenti tha se ndihet shumë i kënaqur që të rinjtë shqiptarë janë pjesë e këtij Forumi, sepse kjo është një mundësi shumë e mirë për njohjen reciproke personale dhe të kulturave, për shkëmbimin e eksperiencave, për krijimin e rrjeteve të komunikimit, që do t’u shërbejnë shumë të rinjve në të ardhmen e tyre profesionale, ose si drejtues politikë, si dhe për të bërë të pranishme kulturën, traditat dhe kapacitetet shqiptare.

Duke folur për rolin e të rinjve dhe kontributin e tyre për të ardhmen e vendit, Presidenti u shpreh se konstaton se në Shqipëri po formohet një brez i ri me mentalitet evropian dhe aftësi konkuruese dhe shtoi se të rinjtë shqiptarë kanë nevojë për mbështetje dhe infrastrukturë evropiane, por kërkoi në të njëjtën kohë, që ata vetë, nëpërmjet formave demokratike dhe institucionale, të mbajnë përgjegjësi dhe të përpiqen të bëhen pjesë sa më aktive e vendimmarrjes.

Presidenti Nishani vlerësoi edhe kontributin që të rinjtë shqiptarë, nëpërmjet pjesëmarrjes në forume të tilla, japin për krijimin e një imazhi të drejtë për Shqipërinë, dhe shtoi se një perceptim i drejtë i hap rrugën të gjitha formave të komunikimit dhe bashkëpunimit.

Takimi vazhdoi me shkëmbime mendimesh për probleme të ndjeshme si arsimi, punësimi i të rinjve, bashkëpunimi i politikanëve me të rinjtë, imazhi i vendit, etj.

Presidenti Nishani pranoi propozimin e të rinjve për t’u bërë anëtar nderi i Shoqatës “IG Alpbach Albania” dhe garantoi mbështetjen për aktivitetin e saj.

2 komente në “Nishani takon Presidentin e Dhomës Ekonomike të Austrisë: Shqipëria mirëpret sipërmarrësit austriakë”

  1. Do ti kdne porositur karroce me rrota per te levizur ne tere keto takime dhe vajmedet se cfare hajvanlleqesh do te kete folur e bere ne keto takime.turp per tr dhe ne se na koriti ne bote me gomarlleqet qe ben cdo dite.jazek i qofte.kthenje more ne shqiperi sa ska bere ndonje marri tjeter.

    1. gesti says:

      Eshte mire qe keto deklarata dhe ti perkrahni me vepra zoti president, dhe kjo do behet vetem kur ti te mbeshteses reformat e medha ne ndihm te ketij vendi dhe kur mos ti sherbesh me PD dhe saliut si nje kukull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje