Tetori Gjerman 2014/ Diçka për çdo shije

24 Shtator 2014, 18:03Kulturë TEMA

Teatër, filma, muzikë, forume diskutimesh dhe ekspozita – Tetori Gjerman 2014 ofron diçka për çdo shije me një program të larmishëm e ambicioz aktivitetesh.

Tetori Gjerman zhvillohet këtë vit për të tetën herë radhazi. “Ky është një sukses i bukur dhe tanimë një traditë e mirëfilltë”, tha ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann gjatë prezantimit të programit më 24 shtator 2014 në ambjentet e Ambasadës Gjermane.

“Ideja qendrore e Tetorit Gjerman është të bashkojë njerëzit dhe të krijojë rrjete lidhjesh mes tyre”, citohet Hoffmann: “Ftojmë shqiptarë dhe gjermanë të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe ta shndërrojnë Tetorin Gjerman të këtij viti në një festë krejt të veçantë të miqësisë gjermano-shqiptare”.

Ambasadori Hoffmann falënderoi partnerët dhe sponsorizuesit e shumtë për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në realizimin e Tetorit Gjerman.

Përgjatë plot katër javëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë do të zhvillohen aktivitete në kuadër të Tetorit Gjerman.

Në fokus do të jenë projektet ndërkufitare, që lidhin kulturën shqiptare me atë gjermane duke bërë bashkë njerëz të kulturës nga të dy vendet.

Kështu për shembull regjisori i mirënjohur i skenës së teatrit shqiptar Stefan Çapaliku në bashkëpunim me Qendrën e Gjuhës Gjermanë në Tiranë do të vërë në skenë pjesën e dramaturgut gjerman Heiner Müller me titull “Hamlet-Makina”.

Këngëtarja me origjinë shqiptare e muzikës jazz, Eda Zari, e cila jeton prej vitesh në Gjermani, fton në një mbrëmje nën moton “Jazz & Lirikë”, gjatë së cilës muzika dhe poezia, shqiptare dhe gjermane, do të lidhen në një formë të re dhe mjaft interesante. Ndërsa më 11 tetor 2014 grupet muzikore “Fiva”, “Fijuka” dhe “Christian Tschanz” nga Gjermania, Austria dhe Zvicra, së bashku me një grup muzikor shqiptar do të japin një koncert ‚open air‘ në Tiranë.

Krahas kësaj programi parashikon edhe koncerte klasike, workshop-e dhe shfaqje filmash të njohur gjermanë.

Por Tetori Gjerman nuk do të përqendrohet vetëm në aktivitetet klasike kulturore; ai do t’u ofrojë diçka edhe të interesuarve për politikën, historinë dhe ekonominë.

Kështu zyrat e GIZ-së dhe KfW-së do të prezantojnë më 21 tetori 2014, “Ditën e Bashkëpunimit për Zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë”, arritjet e shënuara në këtë drejtim si dhe bashkëpunimin e ardhshëm.

Ndërsa Ambasada Gjermane duke nisur prej datës 13 tetor 2014 do të prezantojë në sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë ekspozitën “Diktatura dhe demokracia në epokën e ekstremeve”.

“Organizimet kulturore dhe eventet artistike në kuadër të Tetorit Gjerman, janë rasti më i mire për artistët e rinj dhe publikun artëdashës të njohin nga afër arritjet e kulturës gjermane. AMC është përherë pranë nismave dhe projekteve që promovojnë kulturën dhe krijojnë hapësira për zhvillimin e kapaciteteve”, tha Ornela Bego, Menaxhere për

Marrëdhëniet e Korporatës në AMC.

“AMC është pjesë e Grupit Deutsche Telekom dhe ndan të njëjtat vlera me këtë Grup dhe kulturën që ai përfaqëson”.

Një numër i madh aktivitetesh të tjera ftojnë për diskutime dhe shkëmbim përvojash.

4 komente në “Tetori Gjerman 2014/ Diçka për çdo shije”

  1. Lawliet Ryuzaki says:

    Mezi po pres te shoh “Hamletmachine” ne teater ?

  2. ikona says:

    E shkelqyeshme, pervoja e Artit dhe kultures Gjermane eshte nje ndime e madhe per vendin tone .Ky bashkepunim na ndimon ne rimekembjen e kultures sone e cila u degradua gjate perudhave te se shkuares se hidhur osmane, e te erret.

  3. Kritizeri says:

    Teatrin nuk e njoh por kinemaja dhe muzika bashkekohore gjermane jashte Gjermanise nuk egzistojne.Po te ofronin birre gjermane dhe te hapnin ndonje FKK do te shkoja me qejf.

  4. il popolo says:

    perse nuk e kane organizuar ne dhjetor , do ishte me bukur dhe ne fund te aktiviteteve te jepnin dhe filmin shqipetar dimri i fundit . hahahahaa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje