Ndjesa e Lulzim Bashës

28 Shtator 2014, 15:03Blog TEMA

Nga Habjon Hasani 

Lulzim Basha mbajti fjalimin e kryetarit dje në kongresin e Partisë Demokratike dhe mes rreshtave të tij, në media (dhe jo vetëm) bëri sensacion sidomos një moment ku ai kërkonte ndjesë për mangësitë që kishte PD në 8 vite qeverisje dhe menjëherë kjo ndjesë e tij bëri Lajm.   Nëse vëren me vëmendje paragrafin ku ai shprehu ndjesën atëherë bëhet dhe më e qartë se ku konkretisht kishte reflektuar kryetari në detyrë i PD-së.

Citojmë Bashën:

“Kur njerëzit trokisnin për halle disa prej nesh mbanin sehir nga xhamat e zyrave dhe makinave. Këtu nuk është fjala vetëm për distance fizike. Të zgjedhurit duhet të kuptojnë hallet e shoqërisë. Performanca e dobët e disa zyrtarëve në rrethe e qarqeve, kthimi i pronave dhe legalizimeve nuk ruajti formën e duhur, pati mitmarrje e korrupsion, larg kostumit tonë politik. Fushata ju foli masave më shumë se sa individëve, kandidatët tanë nuk dolën derë më derë. Për të gjitha këto dhe çdo mangësi unë ju kërkoj ndjesë nga kjo tribunë me përulje anëtarëve të PD, qytetarëve të PD që janë ndjerë të braktisur. Ju garantoj vendosmëri dhe korrigjim në dritën e analizave të mangësive dhe gabimeve tona”

Ka dy nivele të përcjelljes së një ndjese apo të një reflektimi. Niveli i parë është me fjalë, është verbi. Niveli i dytë është me veprim është akti.  Le të nisim një vëzhgim për të dyja nivelet:

-Për ndjesën me fjalë

Nga Basha theksohen dy momente.

Së pari, Basha ka pasur diçka për tu thënë disa militantëve apo aktivistëve të PD-së,  që kanë besuar me mish e shpirt tek kjo parti por që  sipas tij u lanë në hije dhe harresë e të papunë nga disa zyrtarë të kësaj partie.Më pas Basha përmend mitmarrjen dhe korrupsionin, problemet me pronat e legalizimet. Dhe premton analizim të detajuar të këtyre fenomeneve në Kongres, ndonëse  ka mëse një vit që ka nisur analizën e humbjes zyrtarisht.

Në të gjithë paragrafin e ndjesës , kryetari i partisë duket se gjithë kohës përpiqet të shmangë me çdo kusht, çdo konkretizim të problemit, sepse nëse ka një problem konkret, ka dhe një shkaktar konkret dhe nëse ka një shkaktar konkret, ai me siguri një emër do e ketë. Por Basha nuk jep emra, flet në hava, për ‘gabime teorike’ dhe shmang me çdo kusht konkretizimin e problemit.

E njëjta logjikë vlen dhe për çështjen  e korrupsionit, ai përmend problemet me pronën dhe legalizimet, por mbetet deri këtu, në trajtimin e zbehtë teorik pa konkretizuar asgjë, askënd.  Siç dhe botërisht dihet, drejtorët e hipotekave dhe të legalizimeve i caktonte Shkëlzen Berisha, ndërsa goditja më e fortë korruptive e regjistruar në 8 vitet e qeverisjes së PD-së  ishte goditja me afro 600 milionë euro dëm e abuzimeve më Rrugën e Kombit. Basha u procedua nga prokuroria për këtë çështje, por u mbrojt politikisht nga gjykata duke shpikur një artificë proceduriale për mos-gjykimin e tij.

Njeriu që kërkoi dje ndjesën dhe që ngriti peshë zemrat e dëgjuesve me aktin e tij solemn të ndjesës për korrupsionin, në të vërtetë është protagonist i dorës së parë në përshkallëzimin ekstrem të korrupsionit, në nivele të panjohura më parë për Shqipërinë. 600 milionë euro dëm, apo vjedhje, nuk kishte ndodhur asnjëherë para se Basha të bëhej ministër Transportesh dhe të firmoste.

Në këtë kuptim, është e qartë pse Basha ka një problem me konkretizimin e çështjeve gjatë fjalimit. Në skandalet më të rënda të regjistruara në 8 vite dhe që u kthyen në shembëlltyrën e korrupsionit dhe arrogancës së PD-së, Basha ose ka qenë protagonist i dorës së parë, ose ka qenë aty rrotull protagonistëve, përherë me një rol të vetin në afera.

Kemi thjesht kryetarin e ri që kërkon sot ndjesë, shqipton ca fjalë, veten e vet nuk e përmend në asnjë moment të reflektimit, por përmend kështu si në hava ca zyrtarë anonimë me kollare që bënin indiferentin dhe kishin lënë militantët demokratas me kokën mënjanë.

Kaq është ndjesa e djeshme verbale e Bashës, një ndjesë në emër të disa anonimëve për probleme anonime të paadresuara, një ndjesë në hava.

-Ndjesa si akt…

Ka pasur disa ndryshime statutore të propozuara dje në Kongres ku një prej tyre ishte veçanërisht interesant dhe parashikonte që në statutin e partisë të sanksionohej që kryetari të zgjidhej me parimin “një anëtar një votë”.

Mirëpo kryetari Basha që e propozon, për vete është zgjedhur me këtë parim, një anëtar një votë, që një vit përpara. Statuti parashikonte ndryshe por fill pas daljes në opozitë, statuti u kapërcye me ekstra-procedurë Basha dominoi garën ndaj Olldashit në rrethana emergjence dhe problematike listash. Ishte një fitore blic dhe ekstra-proceduriale e Bashës dhe një humbje torturuese për Olldashin,  i cili pak muaj më vonë humbi dhe jetën në rrethana ende të paqarta që zyrtarisht janë klasifikuar aksident automobilistik.

Aksidentin e Olldashit e pasuan disa incidente në parti, pasi në Dhjetorin e 2013 PD nisi garën për zgjedhjen e strukturave në rrethe, sërish u kapërcye statuti. Basha vendosi që të veprohej në mënyrë ekstra-proceduriale dhe caktoi delegatë listë-hartues persona të besuar duke nxjerrë jashtë loje figura të njohura në PD.

Delegatët e dalë nga këto zgjedhje ekstra-proceduriale ishin sot në Pallatin e Kongreseve për të dëgjuar ndjesën e kryetarit të tyre të zgjedhur ekstra-procedurialisht dhe për ironi, ishin edhe për të votuar ndryshimin statutor “një anëtar një votë”, që ishte bërë fakt i kryer që një vit më parë në shkelje të statutit.

Po a nuk është e gjitha kjo një proces legalizimi i shkeljeve statutore?

Basha thotë në fjalim se legalizimet ishin një problem i korrupsionit, por ndërsa e thoshte, për ironi, ishte duke bërë legalizimin korruptiv të radhës, legalizimin e vetes dhe të delegatëve të tij nëpërmjet statutit të ri. Për qeverisjen 8 vjeçare kërkoi ndjesë anonime por për opozitën 1 vjeçare nuk e zuri fare në gojë, është kryetar informal, në një kongres me delegatë informal, është një vit opozitarizëm që në mënyrë konstante ka shkelur Statutin e PD-së, Kushtetutën e kësaj partie.

Në këtë situatë, Basha shumë mirë mund t’i kërkonte ndjesë Statutit të Partisë Demokratike, që një vit rresht si kryetar i saj e ka shmangur dhe shkelur me të dyja këmbët dhe tani në këtë Kongres, po e zhbën fare si statut duke e kthyer në një dokument që legalizon shkeljet e tij.

Kjo do ishte vërtetë një ndjesë që do kishte kuptim. Në të kundërt çdo gjë është një shfaqje e stilit ponspilat, që as lotët e Majlindës , as mungesa në Kongres e Fahri Balliut, as fytyra ëngjëllore e zëdhënëses së re, nuk i bën dot shërim.

Është i gjithi një kongres i organizuar për legalizimin e një kaste që e mori peng PD-në pas humbjes më 23 Qershor dhe që e pengon të bëjë analizë e të shohë veten në sy, e pengon të çlirohet e pengon të bëjë përpara.

Por kongresi pati dhe një efekt anësor interesant. Dje Edi Rama, njoftonte se ai nuk do të përbuzte dhe përgojonte punimet e kongresit të demokratëve duke garantuar se do mbante distancën e duhur e do shihte punën e vetë.

Ky përbetim i kryeministrit duket sikur dhe i vë vulën fabulës, kasta e PD-së rrëmbeu partinë pas 23 Qershorit, dje e legalizoi rrëmbimin. Nga pala kundërshtare erdhi sinjali se mund të vazhdonin punën të qetë brenda nahijes së tyre, pasi askush nuk do merrej me Kongresin e tyre.

Duket si një kontratë e thjeshtë, 8 vite ti, pastaj 8 vite unë, të tjerat i zgjidhim.

Marrë nga (www.pol.al)

 

1 komente në “Ndjesa e Lulzim Bashës”

  1. Pensionisti says:

    Boooo,c’fare autokritikeeee! Ministrat rrufjane duan t’ia dalin pa u lagur.Bene nje autokritike vertete te forte para kongresit dhe popullit qe u vuri fshesen.U xheshen para kongresit dhe ia futen vetes me nje tulle te madhe ne koke!!Po,po me tulle!Pa e ngriten tullen e madhe nder duar,pa e mbeshtollen pastaj mire e mire ate me breckat,kanotieret,kemishat dhe xhaketat e tyre firmato dhe bam e m’u ne mes te kokes e leshojne ,nga dale e ngadale,lehte e lehte!Qerata,qerata!Pendohu tani per gabimet ne pune,bej autokritike te shendoshe tani!Tulla te pret! Dhe njerezit ne salle vuuuu… lotet.Te varfrit ministra,thane shumekush,po e torturojne veten se e kane ndjere vertete fajin….kishin ndjekur fjalen dhe veprat e mekatarit te madh,prijesit te tyre historik!
    Po tullat c’i bene pastaj?Pa t’i marrin ato tulla qe thoni ju dhe ia vertiten ne koke mazhorances socialiste,sepse te gjitha keto vuajtje e siklete ajo i kish sjelle.Te gjithe ke sheshi,ke sheshi se u mbyt mazhoranca,vajti per leshshshsh!U turren jasht pas dashit me kembore drejt sheshit te mbytur nga djerset dhe brrylat se kush e kush te zinte vendet e para ne “tribunen” e protestes se radhes se kryetarit historik.E lane edhe nenkryetaren e madhe Topalli te vetme ne salle per te mbajtur fjalimin historik te rradhes ne nje “kongres” bosh!’Kapini mor nja ta ,klithi Xhozi,kapini prej zhelesh e flakini tej se si lypen kerkuj!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje