Një pasaportë për 9 minuta

2 Tetor 2014, 19:55Blog TEMA

Nga Enver Robelli*

 

Shteti në shërbim të qytetarit dhe shteti kundër qytetarit. Shënime nga një udhëtim nga Zürichu në Prishtinë

Njëherë duhej të ndodhte: je nisur të shkosh diku dhe ke harruar pasaportën. Një zemërim i lehtë dhe një shpresë e vogël të sillen në mendje: ndoshta mund të udhëtosh me letërnjoftim. Me hapa të pasigurt dhe duke i dhënë vetes kurajë afrohesh te sporteli, nxjerr letërnjoftimin dhe bëhesh sikur s’të mungon asgjë. “A e keni pasaportën me vete?”, pyet zonja e sportelit. “Jo, por unë mund të udhëtoj me letërnjoftim në Kosovë”, pason përgjigjja. Akrepat e orës lëvizin me shpejtësi, ora është 10:50, një orë më vonë avioni do të jetë në pistë, gati për t’u ngjitur në qiell.

“Jo, në Kosovë s’lejohet hyrja me letërnjoftim të Zvicrës. Në Serbi po, Kroaci, Sllo…”. Sqarimet e zonjës vazhdojnë dhe koha ecën. Një vërshim i ri me pyetje përplaset në kokë. Të kthehesh në shtëpi për të marrë pasaportën nuk të mjafton koha. Ajo s’mjafton edhe nëse dikush niset nga shtëpia dhe vjen fluturimthi në aeroportin e Zürichut me pasaportë në dorë. Sepse sporteli do të mbyllet “në orën 11:10”, thotë zonja dhe zëri i saj tingëllon aq i vendosur, saqë udhëtari s’e merr guximin të bëjë pyetjen e marrë: “A nuk mund ta shtyni pak, nja 10-15 minuta?” Jo, këtu s’shtyhet asgjë. Rregullat janë rregulla që duhet respektuar.

Zonja e sportelit ka një propozim: “Shkoni pyetni në zyrën e policisë këtu afër nëse mund t’ju lëshojnë një pasaportë të përkohshme. Por, dyshoj që mjafton koha”. Në orën 10:59 udhëtari hyn në zyrën e policisë. Në sportelin e parë një burrë (me gjasë nga Azia) ia shpjegon një policeje se një grua, “e cila fliste me aksent të Europës Lindore”, i kishte vjedhur ca gjësende. Sporteli tjetër është i zbrazët, ora është 11:00, polici dëgjon me durim shqetësimin e udhëtarit harrestar dhe pa një pa dy thotë: “Hyni në kabinë, të bëjmë një fotografi. Më lini këtu letërnjoftimin që t’i marr të dhënat personale dhe kthehuni te zonja në sportel dhe thoni asaj të pranojë valixhen, sepse pasaporta do të bëhet gati sa më shpejt që të jetë e mundshme”. Derisa valixhja niset në shiritin lëvizës drejt labirinteve të teknologjisë moderne, udhëtari e ka mendjen te pasaporta.

A do të jetë gati apo jo? Në orën 11:09 minuta polici me lehtësi të vetëkuptueshme thotë: “Urdhëroni pasaportën. Mos harroni ta nënshkruani. Harrova t’ju them: kushton 150 franga. Ju uroj një udhëtim të rehatshëm”. Tingëllon e pabesueshme, por administrata zvicerane është aq efikase, saqë në aeroport të lëshon një pasaportë për 9 minuta. Kështu bëri vaki javën që shkoi.

Në këso çastesh njeriu ndihet jo vetëm i befasuar dhe i lehtësuar, por edhe i lumtur që tatimet që ia ka paguar shtetit tani po i kthehen në formën e shërbimit që të lë pa frymë, sidomos kur ke përvojë modeste me administratën e vendeve ballkanike, siç janë Kroacia, Kosova, Shqipëria, Serbia… Shembulli i mësipërm nga aeroporti i Zürichut tregon se zyrtarët e shtetit zviceran e shohin veten si shërbëtorë të qytetarëve, prej të cilëve marrin rrogat.

Aterron në Prishtinë, kalon kontrollin e pasaportave, pastaj ndalesh në “Duty-free-shop”, blen diçka dhe e paguan me kartelë. Aparati për leximin e kartelës të përshëndet anglisht “Welcome” dhe turqisht “hoşgeldiniz”. Shqipja është gjuhë e padëshiruar, me sa duket. Në terminalin e ri të aeroportit të Sllatinës, që e bart emrin e “Adem Jasharit” si maskë patriotike, udhëtarët që vijnë nga Perëndimi mirëpriten me reklama të spitaleve turke të hapura në Kosovë. Ky është mbase një absurd me brirë, sepse sistemi shëndetësor turk nuk mund të matet me atë zviceran, gjerman apo austriak, në kuadër të të cilit janë të siguruar të gjithë shqiptarët që jetojnë legalisht në trekëndëshin Berlin, Vjenë, Gjenevë. Zor të përfytyrohet një shqiptar, i cili vjen ekstra nga Europa Perëndimore për të operuar zemrën apo veshkat në spitalin e çfarëdollojshëm turk në Prishtinë.

Në spitalet e kësaj kategorie në Prishtinë mund të shtrihet ndokush që ka ndërmend të bëjë dallavere me sigurimet shëndetësore në Zvicër, Gjermani apo Austri. “Për shembull me operacione fiktive”, siç supozon një mjek shqiptar me përvojë në një vend nordik.

“Taksi, taksi” – jehojnë zërat në hyrje të Aeroportit të Prishtinës. “25 euro e kemi deri në Prishtinë”, thotë njëri, “po hajt për 20 shko”. Derisa pret që i njëjti shofer me të cilin sapo u more vesh për çmim të futet në veturë për të vazhduar rrugën, vjen një taksist tjetër dhe menjëherë nisë një potere e madhe. “Përse po bën pazar në emrin tim. Kështu po ia bën përherë.

Nuk është korrekte kjo”, i thotë ai kolegut të tij. Udhëtari që nuk i ka faj askujt për mosmarrëveshjen mes dy taksistëve mbetet duke pritur përfundimin e fjalosjes. Më në fund shoferi hyn në veturë. Udhëtari detyrohet të dëgjojë deri në Prishtinë një monolog mbi shtetin e Kosovës që s’është në shërbim të qytetarëve, por vetëm të pushtetarëve. Ky është rrëfimi i taksistit: “3 euro paguanim për parking. Sapo e mori turku menjëherë e bëri 6 euro. Nuk të rrejë. I kam bërë 55 vjet. Populli është shumë i mirë, por këta e kanë lëshuar rrugën. Një send që nuk e merr me hallall dhe këqyr të bëhesh milioner, hairin nuk ia sheh. Janë bërë milionerë, e kanë hëngër Prishtinën e Pejën, Gjakovën, krejt Kosovën.

Kur u bënë këta milionerë? Njerëzit janë fabrikantë dhe nuk e kanë gjithë këtë pasuri. E ti? Ti brenda natës milioner. 25 vjet përvojë pune i kam në fabrika të Kosovës. Krejt me letra. E tash jam pa punë. Tash mbijetoj si taksist në aeroport. Jam futur në kredi, 8 mijë euro, e kam blerë këtë veturë. Duhet t’i kthej 12 mijë. E krejt këtë e kam bërë që së paku fëmijëve t’ua sigurojë bukën. Kredia në Kosovë është fajde. Merr 8 mijë dhe kthe 12 mijë a 13 mijë. Një litër tambël këtu kushton 1 euro. 50 centë në Gjermani.

Një zbutës i teshave 4.50 euro. 99 centë në Gjermani dhe rroga 1500 euro. Zvicra – xheneti i dynjasë. Për lakmi. Me një shtet ku sundon ligji dhe ku nuk cenohen të drejtat e njerëzve aty ka edhe bereqet. Shteti të jep të drejtën e ushqimit, shkollimit, punësimit. Këtu në Kosovë asnjërën nuk e ke. Këta tanët ia falën aeroportin turqve, nuk ia shitën. Për 20 vjet ia falën.

Ne jemi veç e zeza e vetes. Krejt këto biznese me taksie në aeroport i ka kontrolluar Shukri Buja. Tash ai le ta këqyrë Stambollin. U bë milioner Buja, gjë të gjallë nuk kishte. Ne nuk ia mohojmë meritat e luftës atij, as vëllait të tij. Por, Shukri Buja për dy mandate u bë milioner”. Kështu tingëllon zëri origjinal i popullit.

“A po më sheh si jam kështu i veshur?”, thotë kamerieri i parë që të shfaqet para syve në Prishtinë: “Qe besa as në shtëpi nuk do të shkoja të ndërrohem, por do të ikja nga këtu menjëherë, kështu i veshur me rroba kamerieri, drejt në Zvicër”.

Ndonëse gazetari që gjendet para tij nuk e ka përshtypjen se duket si ndërmjetësues martesash, megjithatë kamerieri ka një lutje të drejtpërdrejtë: “A ma gjen një nuse me letra në Zvicër?” Për fatin e keq të kamerierit dhe për fatin e mirë të diasporës gjithnjë e më shumë vajza shqiptare në Perëndim po mendojnë – me të drejtë – se ndjenjat nuk mund të importohen, madje as nga Kosova.

“E gjithë kjo është vetëm një komedi. Mbreti dhe dhomat e parlamentit qeverisin, populli duartroket dhe paguan”, u shkruante nga Franca prindërve të tij shkrimtari gjerman Georg Büchner. “Populli i mjerë tërheq me durim qerren, mbi të cilën princërit dhe liberalët luajnë komedinë e tyre të majmunëve”, bërtet Büchner me zjarr revolucionar: “Mendimi im është ky: nëse në kohën tonë diçka të ndihmon, atëherë ajo është forca. Ne e dimë se çfarë mund të presim prej princërve tanë. (…) Çka e quani ju gjendje ligjore?

Një ligj, i cili masën e gjerë të qytetarëve e bën kafshë skllavëruese për t’i kënaqur nevojat e panatyrshme të një numri të vogël të njerëzve të parëndësishëm dhe të kalbur? Ky ligj, i përkrahur nga pushteti i ashpër ushtarak dhe nga dredhitë e marra të agjentëve të tij, ky ligj është një dhunë e përhershme, e ashpër, që ushtrohet mbi të drejtën dhe arsyen e shëndoshë, dhe unë do të luftoj me gojë e me dorë kundër tij kudo ku mundem”.

Gjermania është bërë vend i sundimit të ligjit edhe falë shkrimtarëve militantë si Georg Büchner, i cili para gati dy shekujve e quante veten “mik të popullit”. Kosova nuk duhet të presë as dy shekuj, as dy ditë për t’i hequr qafe shkelësit e lirisë dhe plaçkitësit më të mëdhenj të pasurisë së saj, të cilët po i bëjnë konkurrencë madje edhe regjimit të dikurshëm të Slobodan Milosheviqit.

*Koha Ditore

 

10 komente në “Një pasaportë për 9 minuta”

  1. Bobi says:

    E njejta pasqyre ne te dy shtetet e kombit, madje ketu ne Shqiperi akoma me keq, lundrojme ne nafte dhe e kemi me 1.5 euro litrin….. Sa per ate muhabetin e pasaportes ne Zvicren qe rrogen mesatare e ka 2000-3000 euro paguan 150 franga (170 mije lek te vjetra) dhe pasaporta te vjen per 9 minuta kurse ne Shqiperine me rrogen mesatare 300 mije leke paguan 150 mije leke te vjetra dhe pasaporta te vjen per 3 dite…. ?

    1. vflp says:

      po, duhet te punosh gjysem muaji e te rrish pa ngrene, pa pire e pa …. per te marre nje pasaporte, cmim evropian mer lal, i jashtem!

      1. benbenedeti says:

        pushtetar=pusht=pusht e pike.ktalypin djeg nturr tdruve.nji gjys rrogetnji pasalesh(pordh)duhet me ja vu emnin tash e mrapa

  2. Albani says:

    Nje njeri i imi donte te nxirre pashaporten e vet ne Shqiperi. Paguajti 150 mije lek dhe i u vonua pashaporta nje muaj. Kjo ndodhi para nje muaji ne Shkoder. Shkonte gati çdo dite dhe i kerkonte leke polici qe ruante te sporteli, gjoja do e ndihmonte. Kjo pra eshte Shqiperia jone….

  3. Analisti Fevzi Fullhan Nurellari says:

    mire Enver. qenke kenaq. te lumte pushka.

  4. Drini Bardh e Zi says:

    Zoti Robelli,

    Ju e dini shume mire se kjo gjendje ne Kosove/Shqiperi nuk eshte krijese e mirefillte e pushtetareve dhe e klanit politik qe i sjall ata ne pushtet.

    E shumta, ata mund te akuzohen moralisht si perfituesit dhe shfrytezuesit natyrore te nje shoqerie, ende klanore, qe zhgrryhet ne varferi, ne padituri, ne mungesen e nje tradite civilizuese qe rregullon jeten e nje shteti modern dhe qe percakton praktiken e sjelljes dhe te punes se administrates se tij.

    Europianizimi i administrates dhe, me gjere, i qeverisjes se vendeve tona, do te vije paralelisht me emancipimin, kulturimin etiko-politik dhe pervetsimin e standarteve europiane te njeriut shqiptar, te popullit shqiptar dhe te shoqerise civile qe ata ndertojne.

    Pergjegjes per kete emancipim jane arsimimi dhe edukimi, jane inteligjencia e vendit dhe, posacerisht, fytyra publike e kesaj inteligjencie, gazetaret, opinionistet, organizatat civile jo qeveritare, shkrimtaret dhe profesorati i unversiteteve.

    Nese kjo shtrese/kaste e shoqerise, ne veprimtarine e saj, do jete pa standarte, e perthyeshme perballe korrupsionit, vegjetimit, limontise, dembelizmit, mediokritetit klanizmit, harbuterise dhe pandeshkueshmerise se krimit, ashtu do te jete dhe administrata dhe qeverisja e vendeve tona.

    Per ato mangesi qe ju flisni ne shkrimin tuaj, jeni edhe “ju” pergjegjes, deri ne ate mase qe nje individ mund te jete pergjegjes per aktet e nje kaste ku ai ben pjese.

    Nese beni nje katharsis te heshtur te ndergjegjes tuaj, zoti Robelli, do te konstatoni lehte se statura juaj si publicist dhe intelektual qendron kundrejt statures se nje kolegu tuaj zviceran, ne po ato raporte qe qendron sherbimi administrativ dhe qeverisja e vendeve tona kundrejt asaj te administrates zvicerane.

    Ne “biblioteken” personale dhe familjare te shqiptarit, ende libri i pare dhe me i “shfletuar” eshte Kanuni i Lekes, per cdo hall dhe nevoje tonen, akoma i vikasim maje krahu mikut, klanit apo fisit dhe, me gjase, ne murin pas deres se madhe te cdo familje shqiptare, ende rri e varur “arma” e hakmarrjes, gjakmarrjes dhe e larjes se fytyres para katundit.

    A te tingellon ndopak pergjegjesi per kete edhe “ty”, si intelektual, si publicist, si edukator dhe formesues i modeleve te qytetareve qe do te imponojne per shoqerine nje administrate dhe nje qeverisje ndryshe, te ngjashme ne mos me ate zvicerane, te pakten me ato ballkanike.

    Dhe, me se fundi, duke marre model krahasues Zvicrren, ju zoti Robelli, po doni me u mate me hijen e mengjezit, nese me lejohet zhargoni.

    Civilizimi dhe administrimi modern eficient eshte ngritur me investime te medha dhe, sot e kesaj dite, kerkon para dhe investime pa fund.

    Keto civilizime te medha jane ngritur nga perandori koloniale, pushtuese dhe shfrytezuese, pergjate gjithe historise.

    Edhe pse vete nuk eshte nje vend kolonializues, Zvicra eshte bankieri dhe fajdexhiu i te gjithe kolonizatoreve te koheve te historise se re dhe te asaj moderne.

    Jo me kot, edhe Hitleri, banditi me arrogant dhe i paskrupullt i koheve moderne, u ndal para dyerve te Zvicres, dmth para dyerve te bankave zvicerane, ku ruheshin dhe, sigurisht, u merrej nje fitim i majme, parate e te gjithe kolonizatoreve, banditeve, mashtruesve, evazionisteve individuale apo te korporatave, te gjithfare parash te pista, me ere gjaku, korrupsioni apo trafiku te droges, armeve dhe te jeteve njerzore.

    Edhe sot e kesaj dite, vazhdon te jete keshtu, edhe pse USA po perpiqet dhe po ushtron presion qe te ndryshoje dicka ne ligjet zviceriane per ruajtjen e sekretit bankar te depozituesve dhe qe, me siguri, edhe ndonje moderim, nuk do te ndryshoje thelbin e ketij realiteti, per te cilin kane nevoje edhe ata qe ne te vertete bejne ligjin edhe ne USA.

    Ajo qe dua te them, i dashur zoti Robelli, eshte se Zvicra ka mundesi te investoje miliarda euro per nje administrate dhe qeverisje moderne, efikase dhe te gjithedeshiruar edhe pse, nje pjese e majme e ketyre parave, vijne nga interesat e parave me etiketa te dyshimta ligjore.

    1. Evropa says:

      Drini Bardh e Zi, a mund te na perkthesh kete fjalen VIKASIM.

      1. Drini Bardh e Zi says:

        Evropa, ne fjalorin tim te shqipes, “vikas” qendron si nje folje e perdorur ne gegerishte, ne viset veriore te shqiptareve, qe pershkruan te thirrurit me nje ze shume te larte, te mprehte dhe oshetites dhe qe, zakonisht, percjell alarm, kushtrim, urgjence, zemerim, panik ose frike, ose ben percjelljen e nje lajmi per tek marres te tij qe nuk ndodhen ne nje distance te afert ose qe nuk jane ne fushpamjen e vikamesit.

        Kete interpretim per foljen “vikas”nuk e kam marre nga ndonje fjalor shqip-shqip, thjesht kam bere nje pershkrim te lire te kuptimit qe kam une per kete fjale.(me kete rast, tentova ta gjej ne fjalorin shqip-shqip on line dhe nuk e kishte, mjerisht per fjalor shkruesit tane)

        Mund ta ndeshesh si folje: Vikas; si emer: Vikama/vikame- qe eshte thirrja qe del nga vikamesi dhe degjohet nga marresit e saj.

        Ndofta gabohem, por kam pershtypjen, se nje perdorim ne terrenin e saj natyror te gegerishtes te kesaj fjale, mund ta gjesh, (ndermjet shume autoreve gege: vikama e lirise-Mjeda?) edhe tek libri i Ate Zef Pellumbit “Rrnoj me tregue” ku, ne nje kapitull te tij, qe mund ta cilesoj pa frike si homerik, kleriku franceskan, i pranishem si mik ne qelen e famullitarit te nje fshati ne Mirdite?/Malesi e Mbishkodres?-nuk me kujtohet, pershkruan ceremonine e sterlashte, unike, te ritualit te varrimit te nje gruaje/nene ne nje kulle malesore.

        Ne kete skenar, At Pellumbi, na percjell ardhjen e njerzve te fisit te gruas se vdekur, te fisit ku ajo ishte bije, nga nje fshat tjeter, te cilet vinin duke cjerre fytyren dhe duke goditur gjokset dhe duke thirrur /vikatur emrin e bijes se tyre te vdekur, tashme nuse/nene ne shtepine e burrit dhe te femijeve te saj.

        Pikerisht aty, kam ndjesine e forte, se At Pellumbi na flet per “vikamen” qe vinte nga mortoret qe njoftonin keshtu se sapo kishin mbrritur ne kufinjte e fshatit ku kishte nuseruar dhe vdekur tashme, bija e tyre.

        Dhe, i dashur Evropa, ne mos gjetsh dot kohe ta lexosh komplet librin voluminoz te At Zef Pellumbit, te sugjeroj te mos lesh pa lexuar disa nga kapitujt e tij me brilante, aty ku prifti franceskan nuk eshte me, as prift dhe as nje njeri i involvuar ne politike si antikomunist, por eshte thjesht nje antropolog i lindur dhe nje rrefimtar i talentuar deri ne permasat e nje tregimtari gjenial.

        1. Evropa says:

          Drini Bardh e Zi!
          Edhe ne fjalorin tim te shqipes folja vikam/e do te thote britme; thirrje; vigme. E shfletova edhe fjalorin serbo-kroatisht dhe e gjeta foljen vikati, qe ne shqip perkthehej “bertas me gjithe fuqine qe kam”. Pra, eshte fjale sllave qe ka “hyre” ne shqipe.
          Librin e At Zef Pellumbit e kam lexuar dhe sigurisht qe do te gjeja kohe per ta lexuar edhe sikur te ishte dyfish me voluminoz.

          1. Drini Bardh e Zi says:

            Evropa, flm per sjelljen e origjines se huaj te foljes “vikas”, te cilen une nuk e dija, por qe nuk me cudit aspak te jete e tille.

            Sidoqofte, ajo ka hyre tashme ne fjalorin gegerisht te shqipes, ashtu sikurse mijera fjale te tjera me prejardhje nga fqinjet apo pushtuesit e Shqiperise.

            Kam lexuar se, nje dijetar/linguist shume i njohur, emri i te cilit nuk me kujtohet, paskesh thene se, afro 60% e fjaleve te shqipes jane te huajtura.

            Megjithate, kjo nuk e ka prekur strukturen e saj te lashte morfologjike dhe sintaksore duke ruajtur karakterin e saj unik.

            Dhe, ne fund, nje pyetje miqesore: Nese e dije kuptimin e foljes “vikas”, pse me pyete per te?

            A ishte nje provokim apo nje kritike per perdorimin e fjaleve te huajtura te shqipes?

            Apo, thjesht nje, reagim mospelqyes per permbajtjen e komentit tim?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje