Bashkëpunimi rajonal në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes përballë kërcënimeve të ndryshme është shumë i rëndësishëm për vendet tona. Kështu u shpreh ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në fjalën e mbajtur në Ministerialin Gjithëpërfshirës Rajonal që u mbajt në Budva në Malin e Zi.
Ky ministerial, i cili vjen menjëherë pas Samitit të Uellsit, diskuton mbi sfidat më të rëndësishme në fushën e Mbrojtjes dhe kapacitet e përbashkëta. Temat kryesore që po diskutohen janë ato që kanë të bëjnë me zhvillimet më të fundit në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
Kodheli falënderoi të pranishmit, përfaqësues të vendeve anëtare të Aleancës, vendeve aleate, si dhe SHBA për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë kësaj nisme të rëndësishme rajonale.
Në fund të këtij takimi të pranishmit dolën me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës shprehën vendosmërinë e tyre për të inkurajuar paqen, stabilitetin, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aleatët strategjikë, si në aspektin politik ashtu dhe në fushën e Mbrojtjes.