“Më e rëndësishme është të fitojmë të ardhmen e përbashkët evropiane se sa një ndeshje sportive.
Ne e mirëpresim angazhimin e Serbisë në funksion të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të dy popujve dhe qytetarëve tanë, gjë që realizohet vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe qëndrimit larg retorikave të panevojshme nacionaliste që tentojnë të na kthejnë pas në histori.
Shqipëria qëndron e hapur për dialog dhe bashkëpunim konkret më Serbinë, ashtu si edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit”.
Është ky komenti i bërë nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë, i cili priti në një takim Kryetarin e Nënkomisionit të Jashtëm për Çështjet Evropiane në Senatin e SHBA Christopher S. Murphy
Duke biseduar për zhvillimet në rajon, Meta e siguroi Senatorin Murphy për vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar politikën e saj konstruktive rajonale përmes forcimit të bashkëpunimit me të gjitha vendet fqinje.
Meta theksoi se kjo vizitë konfirmon vëmendjen e vazhdueshme që SHBA i kushton Shqipërisë dhe rajonit të Evropës Juglindore. Në këtë drejtim, Kreu i Kuvendit vuri në dukje se Shqipëria qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aktive brenda NATO-s në funksion të suksesit të luftës kundër terrorizmit dhe për rritjen e parametrave të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të SHBA në kuadër të forcimit të institucioneve në Shqipëri dhe në veçanti në drejtim të reformës në drejtësi.
“Kuvendi e vlerëson mbështetjen e SHBA dhe inkurajon një prezencë gjithnjë e më të fortë amerikane në Shqipëri e rajon, veçanërisht për avancimin e reformave kyçe që e çojnë Shqipërinë më afër standarteve bashkëkohore të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe në drejtim të rritjes së investimeve amerikane në rajon”, u shpreh Meta.
Senatori Murphy shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Tiranë dhe mirënjohjen e thellë të SHBA për kontributin e Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare të NATO-s në Afganistan dhe Irak.
“Shqipëria, pavarësisht se është në vend i vogël, është një nga aleatët më të medhenj të SHBA. Ne e vlerësojmë aleancën tonë të veçantë dhe qëndrojmë gjithnjë përkrah Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik”, nënvizoi Senatori Murphy.
Në përfundim, Kryetari Meta dhe Senatori Murphy ndanë bindjen e përbashkët se forcimi i mëtejshëm i aleancës mes Shqipërisë dhe SHBA, e konsolidon perspektivën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.