Partia Demokratike e konsideron një farsë dëgjesën që është mbajtur në Komisionin e Mediat me katër kandidatët që aplikojnë për kryetarë të AMA-s.
Deputeti Luçiano Boçi tha se “deputetët e Rama – Metës në Komisionin e Edukimit dhe Medias rimbajtën farsën e dëgjesës me ata që duan të emërohen në krye të AMA-s”.
“Kjo është farsë sepse, sipas ligjit në fuqi, posti i kryetarit të AMA-s nuk është vakant. Rama-meta u rrekën me amendamente peza e memo fallso, në shkelje të ligjit që vetë e kishin votuar, në përpjekje për të shkarkuar kryetarin e ligjshëm.
Eshtë farsë sepse ligji i votuar edhe nga socialistët parashikon eliminimin e kandidaturave nga opozita dhe propozimin e dy kandidatëve në seancë plenare.
E paaftë të veprojë për shkak të sherrit brenda llojit me motiv babëzinë e klientelizmin, Rama-meta i propozojnë Kuvendit jo dy por katër kandidatë.
Farsë sepse AMA-s, rregullatori i medias elektronike, i duhet një barazlargim nga palët politike e operatorët e tregut. Kandidatët e shumicës janë vegla të klientit mediatik të Edi Ramës. Farsë sepse pasi shumica deklaroi se do të përfillte rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar deri tani i ka shkelur me të katër këmbët ato.
Paligjshmëria e kapja e shtetit për interes personal është refreni i Rama-Metës dhe ne do e kundërshtojmë parreshtur”, tha Boçi. /gj.k/