Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ftoi opozitën për të marrë pjesë në procesin e ngritjes së dy komisioneve hetimore parlamentare që Kuvendi vendosi të ngrihen seancën e fundit plenare pas kërkesës që ajo vetë bëri si kusht për kthimin në Kuvend.
Sipas Metës, shumica është e angazhuar për bashkëpunimin me opozitën në kuadër të reformave për integrimin e vendit.
“Opozita ka të drejtë të bëjë kërkesa nga më të ndryshmet, por besoj se vendimi i Kuvendit tregon maksimumin e përgjegjshmërisë për t’i krijuar hapësirat që ajo të përmbushë funksionet e saj në këtë sistem demokratik, që duhet t’i dalim vetë për zot në kuptimin e marrjes së përgjegjësive.
Nuk marrim askënd për dore për të zbatuar rregullat. Me këtë rast dua të theksoj angazhimin e grupeve parlamentare të maxhorancës për të vendosur emrat që duhet të përfaqësojnë në përputhje me rregulloren.
Kjo përpjekje pozitive bëhet dhe në kuadër të një klime të re dhe të një bashkëpunimi të dobishëm dhe në interes të reformave që kërkon vendi dhe procesi i integrimit”, tha Meta në një konferencë për mediat
Në vijim ai sqaroi se vendimi për dy komisionet hetimore do mbetet në fuqi, për aq kohë sa opozita nuk është tërhequr nga ngritja e këtij komisioni.
“Doja të ftoja opozitën që të merrte pjesë ne seancën e nesërme plenare, jo thjesht për tu rikthyer në parlament por edhe për të plotësuar përfaqësimin që i takon në 2 komisionet hetimor që kuvendi ka vendosur të ngrihet.
Dua të theksoj angazhimin e grupit parlamentar të mazhorancës për të vendosur emrat që do të përfaqësojnë në përputhje me rregulloren.
Kjo do të ishte pozitive edhe në kuadër të një klime të re dhe të një bashkëpunimi më të dobishme në interes të reformave që kërkon zhvillimi i vendit”, theksoi Kryeparlamentari Meta.
Gjithashtu Kreu i Kuvendit komentoi edhe rrëzimin e dekreteve të Presidentit Bujar Nishani në Komisionin e Ligjeve përsa i takon dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë .
“Nuk besoj se debatet janë gjithnjë të dobishme, por në rastin konkret do theksoj rëndësinë e procesit dhe të mos ndikohen emocionalisht pasi ky proces për zgjedhjet të kandidatëve për Gjykatën e Lartë përputhet me vetë kërkesën e ligjit, ka nevojë dhe për vendosjen e kritereve shtesë si rezultat i një konsultimi që duhet të realizohet mes presidentit dhe grupeve parlamentare dhe që më pas është mbështetur dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Besoj se ky konsultim duhet të realizohet sa më shpejt për të ecur sa më shpejt për përzgjedhjen e kandidatëve për kriteret”, tha Meta
Duke u ndalur tek incidentet e ndodhura në fushën e gjelbër në stadiumin ‘Partizani’ në Beograd, Meta theksoi se gjykimi i kësaj çështje i takon komisioneve sportive. Më tej ai shtoi se duhet të evitohen konfliktet politike dhe komentet.
“Lidhur me ndeshjen dhe evitimin e konflikteve nëpërmjet futbollit, që më pas kthehen në konflikte politike, por nuk doja ta bëjë këtë për diversion, pasi kemi pasur dhe vendime të tjera realiste nga Serbia.
Personalitet të ndryshme të Serbisë kanë mbajtur qëndrime pozitive. Nuk dëshiroj ti kthehem ndeshjes, pasi i takon komisioneve sportive. Ajo çka është me rëndësi është të punojmë për të një ardhme, për të fituar mbi të ardhmen evropiane”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit ka mbështetur vizitën e kryeministrit Rama në Beograd, që do të mbajë më 10 nëntor, sipas të cilit është pakt i politikës shqiptare.
“Është pakt i politikës së Shqipërisë për bashkëpunim rajonal, në funksion politik në kuadër të integrimit. E vlerësoj kryeministrin Rama për të vazhduar vizitën, dhe për ta paraqitur rajonin ndryshe, siç duhet të jetë Ballkani në sytë e BE”, tha Meta.
Duke u ndalur tek një çështje tjetër tepër e rëndësishme si ajo e zgjedhjes së drejtuesit të ri të Bankës së Shqipërisë, si dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Meta theksoi se duhet të ketë konsensus mes palëve. Sipas Metës, bashkëpunimi mes Presidentit të Republikës, Nishanit sëbashku me kryeministrin Rama do të jetë i dobishëm për zgjidhjen e duhur.
“Për çështjen e Guvernatorit të ardhshëm kam shprehur besimin se është një çështje që duhet zgjidhur dhe një konsensus midis Presidentit dhe Kryeministrit do ishte mjaft i dobishëm për të dhënë zgjedhjen e duhur.
Qëndrimi i Kuvendit për të plotësuar vendet vakante për Këshillin Mbikëqyrës, është se po punohet për të plotësuar kërkesat. Kuvendi nuk është i detyruar nga ligji, por është prioritare për të, për të bërë një proces transparent”, tha Meta.
Ndërsa në lidhje me faktin që kryeparlamentari të jetë pjesë e personave që mund të jenë përgjuar nga SHISH, ai u përgjigj se “jam prononcuar edhe më parë për këtë çështje, mbetemi në pritje të rezultateve të komisionit hetimor parlamentar, pa asnjë paragjykim dhe hatërmbetje”. /gj.k/