Dekriminalizimi dhe Integrimi, dy pikat e pritshme të marrëveshjes

21 Dhjetor 2014, 09:38Politika TEMA

Mbërritja e Eduart Kukan në Tiranë pasditen e vonë të së dielës pritet të pasohet nga marrëveshja që ai dhe eurodeputeti tjetër, Knut Flenkeshtein do të hartojnë,  marrëveshje që do t’i japë fund bojkotit të opozitës.

Eurodeputeti i djathtë pritet të nisë të hënën takimet me kreret e politikës vendase. Të parin që Kukan do të takojë është kreu i opozitës Lulzim Basha, në orën 8 të mëngjesit.

Kjo orë e herët e fillimit të takimeve të të dërguarit të Parlamentit Europian për të pajtuar politikanët e Tiranës, tregon kohën e pakët në dispozicion që iu ka mbetur palëve për të bërë të mundur që opozita të jetë në Kuvend seancën e së mërkurës, afati i fundit ligjor për të mos djegur mandatet e deputetëve të PD.

Kukan do të marrë takim një orë më vonë me Kryeministrin Edi Rama, për t’i mbyllur në orën 10 të së hënës takimet me kreun e Kuvendit Ilir Meta.
Takimet e Kukan do të mbyllen disa ore përpara orës 13 të kësaj dite, kur kryetari i demokratëve Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar në Selinë Blu.

Nga takimi me grupin, që nuk thirret prej më shumë se tre muajsh, pritet që kryetari Lulzim Basha të japë qëndrime e forcës më të madhe opozitare për raportin me parlamentin.

Burime të Top Channel bëjnë me dije se marrëveshja e pritshme, “Flenkeshtein – Kukan”, të përmbaje dy pika nëse nuk përfshijmë në to, garancinë ndërkombëtare për zbatimin e saj, bashkëpunim në dobi të integrimit të vendit dhe detyrimi për hartimin e një drafti për dekriminalizmin.

Pika e fundit pritet të përcaktohet nëse parandalimi i personave me precedentë kriminalë të përshijë vetëm kandidatët për parlamentin e 2017-s, apo edhe të zgjedhurit e tjerë dhe nëpunësit e administratës publike.

Seanca e së mërkurës ku pritet prania e opozitës në sallë pas një bojkoti 6-mujor, mbyll edhe këtë sesion parlamentar për të rinisur javën e tretë të janarit të 2015. / Top Channel/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje