Pensionet, ose borxhi që po i lëmë kalamajve

11 Janar 2015, 18:12Sociale TEMA

Nga Gjergj Erebara, BIRN

 

Kur Bismarku vendosi ligjin e pensioneve në vitin 1889 në Gjermani, sistemi qe konceptuar mbi parimin se ka katër të punësuar për një pensionist. Qe konceptuar që shoqëria njerëzore të punonte gjithmonë kështu. Papunësia logjikisht do të qe në nivele të ulëta, ndërsa popullsia do të qe konstante ose me rritje të ngadaltë. Një skemë e tillë vetëfinancohet nga të ardhurat. Kontributet e sigurimeve shoqërore të sotme shërbejnë për të paguar pensionet e sotme. Kjo quhet skema Paguaj Ndërsa Ikën, (Pay As You Go).

Ky qe parimi mbi të cilin u ngrit edhe skema shqiptare e pensioneve këtu e shumë dekada më parë. Por në vitin 1991 në Shqipëri erdhi një situatë krejt tjetër që nuk qe konceptuar në skemën origjinale. Me rënien e komunizmit, tri në katër shqiptarë mbetën të papunë ndërsa shteti i dobët i dekadave që pasuan qe i paaftë për të ndërtuar ekonomi të shëndoshë apo për të mbledhur taksa. Sot është një sekret i njohur nga të gjithë që pjesa jonë më e madhe përgjatë 25 viteve të fundit ka mbetur për shumë vite pa punë ose është detyruar apo ka zgjedhur të punojë në të zezë.

Ndërkohë, brezi i pensionistëve të asaj kohe, pra shqiptarët që kishin filluar të punonin në vitet 1960 dhe mbushën moshën e pensionit në vitet 1990, mbeti me gisht në gojë. Zgjidhja që gjetën qeveritë shqiptare që nga ajo kohë për problemin e rënies së kontribuuesve në skemë përballë numrit të lartë të pensionistëve qe ulja e pensioneve. Dmth, nëse në skemën origjinale qe menduar që katër punëtorë të paguajnë një të katërtën e rrogës për të dhënë një pension sa 70 për qind e rrogës mesatare, duke qenë se nuk kishim më katër punëtorë, u ul masa e pensionit, nga 70 për qind në 30 për qind, që është aktualisht. Duke qenë se sot kemi në skemë afërsisht një punëtor i cili paguan 25 për qind të pagës për një pensionist, i cili merr pension sa 30 për qind të pagës, diferenca quhet deficit. Deficiti paguhet sërish nga të punësuarit e sotëm, por paguhet përmes taksave dhe tatimeve dhe jo përmes kontributeve. Këtë deficit e paguajnë edhe punëtorët në të zezë përmes taksave të konsumit dhe natyrisht, e paguajnë edhe pensionistët, të cilët nga pensionet e tyre të vogla vijojnë të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për mallrat apo shërbimet që konsumojnë.

Papunësia vijon të mbetet në nivele të larta edhe sot në Shqipëri dhe ka gjasa që do të vijojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Por Shqipëria ka edhe një problem tjetër, pak më të komplikuar.

Besoj që të gjithë e dinë tashmë që gjenerata aktuale e 20 apo 30 vjeçarëve shqiptarë kanë bërë pak fëmijë. Pak do të thotë një, dy ose në raste të rralla, tre fëmijë. Pra në rast se aktualisht kemi rreth 500 mijë punëtorë që paguajnë po aq pensione, plus kemi punëtorët në të zezë që paguajnë taksat mbi konsumin, në të ardhmen ka gjasa që do të kemi vetëm pensionistët dhe punëtorët, por jo të ardhurat nga taksat mbi konsumin që kemi sot. Ka gjasa që nuk do të kemi as fëmijë për të çuar në emigrim dhe për të na sjellë remitanca.

Askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen dhe ndoshta, pas 30 vjetësh gjërat mund të jenë përmirësuar. Psh, brezi i ri i shqiptarëve mund të zgjedhë të bëjë më shumë fëmijë. Ose ne mund të fitojmë një qeverisje normale që krijon një ekonomi normale. Ose fëmijët tanë mund të dalin të gjithë gjeni, të kenë vende pune me rroga të larta, të mjaftueshme për të paguar dy palë pensione e dy palë ilaçe për prindërit.

Por kjo situatë na vë përballë një zgjedhjeje të vështirë.

Shumë vende të botës janë përballur me këtë problem. Zgjidhja në shumicën e rasteve konsiston në ndryshimin rrënjësor të skemës. Ky ndryshim rrënjësor do të thotë që vendi të fillojë të paguajë pensionet aktuale nga taksimi i përgjithshëm ndërsa të vendosë kontributet aktuale në një fond kursimi. Kjo nuk është gjë e lehtë. Mbi brezin aktual të shqiptarëve kërkohen taksa njëkohësisht për të shlyer detyrimet ndaj gjeneratës së mëparshme por edhe për të kursyer për të ardhmen. Zgjedhja përballë të cilës duhet të vihen shqiptarët është pikërisht kjo: A duan të paguajnë më shumë taksa sot me synimin për të paguar pensionet aktuale dhe njëkohësisht, të kursejnë për të ardhmen? Apo duan që të vijojnë kështu siç janë dhe t’i varin shpresat te gjendja e punësimit dhe numri i punëtorëve pas 30 vitesh?

Në gjuhë popullore mund të thuhet se shqiptarët do të duhet të zgjedhin nëse duan një vezë sot apo një pulë pas 30 vjetësh. Qeveritë përgjatë të gjithë ekzistencës së skemës që nga vitet 1950 kanë zgjedhur vezën sot. Në fund fare, qeveritarët e kanë pensionin në shumicën e rasteve të garantuar jo nga skema e sigurimeve shoqërore. Rrjedhimisht ata zgjedhin për ne dhe natyrisht që zgjedhin vezën sot. Shqetësimi kryesor i politikanëve është se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet për pushtetin vendor pas më pak se gjashtë muajsh, ose si do të shkojnë zgjedhjet parlamentare më 2017. Duket se nuk kanë kohë të mendojnë se çfarë do të ndodhë pas 30 vjetësh.

Tani, në rast se shqiptarët vijojnë të zgjedhin të kenë një numër minimal fëmijësh që kanë sot, mbi këta fëmijë pas 30 vjetësh do të bjerë një barrë edhe më e rëndë nga sa i ra brezit tonë. Brezit tonë iu desh të paguajë më së shumti nga të ardhurat e veta ilaçet e prindërve, kur i kishte të ardhurat. Por në brezin tonë ne jemi nga dy, tre apo katër fëmijë që paguajnë ilaçet e dy prindërve. Brezi i ardhshëm i shqiptarëve ka gjasa që do të jetë një fëmijë i vetëm që do të ketë detyrimin të paguajë pensionet dhe ilaçet e dy prindërve. Logjika ta do që ne nuk duhet t’ia lëmë brezit të ardhshëm këtë borxh, qoftë nga pikëpamja morale, qoftë nga pikëpamja praktike. Nga pikëpamja morale kuptohet, ndërsa nga pikëpamja praktike, mund dhe duhet të kemi parasysh se fëmijët tanë mund të mos kenë paratë e mjaftueshme për të paguar pensionet dhe ilaçet e të dy prindërve.

Qeveria me reformën aktuale të pensioneve ka bërë pikërisht zgjedhjen e dytë. Të vijojnë siç janë pa e vrarë mendjen se çfarë do të ndodhë pas 30 vjetësh. Ka zgjedhur t’ia faturojë borxhin gjeneratës së ardhëshme të shqiptarëve pa e vrarë mendjen nëse kjo gjeneratë do të ketë apo jo para. Ne të tjerët duhet të bëjnë zgjedhjen e parë.

6 komente në “Pensionet, ose borxhi që po i lëmë kalamajve”

  1. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Numeri i daljes ne pension,do vij duke u ulur,500000 te punesuarit e sotem,do jene pensioniste pas 35 vjetesh,ku popullsia do qendroj ne vend ose do kete rritje.
    Shqetesim do jene,pensionet sociale,numeri i te cilave do kaloj kontributet.
    Formula 4 me 1,nuk funksionon,per 500 mije te punesuarit e sotem do duhen 2 miljon te punesuar.Shqiperia duhet te kete mbi 6 miljon banore.
    Kush do ti hape keto vende pune ?!
    Punonjesit e fshatit ose duhen te perfshihen ne skemen e pensioneve me detyrime te njejta me puntorin ose duhet te largohen nga skema e pensionit.
    Pension social,per ata qe jane me prone dhe dembel,nuk duhet te kete.

  2. human says:

    skema prehistorike ka qen kur makinat sa kishin filluar te perdoreshin dhe raporti makin/fuqi puntore ishte 9:1, ndersa me evolimin e teknollogjise ky raport po shkon ne sens te kundert. Pra pseudoekonomistet qe llapin apo edhe injorantet politikane ose te shitur, ose qe punojne kunder popullit te tyre, por edhe ju gazetaret qe i nxirrni shabllon keto informacione, mund te mashtrojne masen pasi normal nuk e kuptojne por e verteta eshte se pensionet duhet te paguhen jo me nga njerzit por nga TEKNOLLOGJIA qe do te thote njeriu vendosi mendjen ne pune per te eleminuar fuqin puntore dhe per te shkurtuar oret e punes duke rritur produktivitetin por klasa drejtuese dhe hajdute kerkon ta marri te gjithe kete pasuri dhe popullit te thjesht tu thoj qe skemi si tu paguajme se spunon njeri. Ka ardhur koha qe njerzit te behen koshjent dhe tu thon ketyre plehrave politikane e financjer qe kjo pasuri e krijuar nga mendja e ndritur e njerzeve te thjesht te dal nga populli i perket po atij dhe jo atyre!!!

  3. artikulli ka sinqeritet ne shpeginet reale dhe nivelin e humbjes nga 70 % e rroges ne 30%por kur vjen zgjidja eshte nje navitet qe flitet per vezen sot ose pullen pas 30 vjetesh me kete poulli shqipetare e ka ngrene shume heresi ne sistemin e kaluare dhe sot akoma me teper me zbatimn dhe levishmerin e taksave si dhe pronare ne objektet e banimit taksat dhe cmimet e sherbibeve komunale dhe rritja e pa inmagjinushme e energjise elektrike dhe ujit si dhe gabimet ne drejtimin ekonomiksi kontratat me te huajte shitja e produkteve tona te paperpunuara lejimi ishitjes se produkteve te huaj dhe zvogelimin e produkteve te tona si demet qe vijne nga masat administative nga vendimet jo te drejte qe gjykata vendosin te demeshperblehen dhe qeveria jone i paguan nga te ardhurat nga buxheti ishtetit dhe jo nga xhepi i nenpuneseve miladere shteti nuk funksionon si konsullente i biznesit por si gjobe venes ndeshkimet me burg qe ka nje kosto financiare ne vende te dhenijes se nje alternative tjeter shkeputija nga populli dhe shtimi i numerit te policeve si dhe investimet tek rruget qe puna eshte e ciklit te mbullur dhe kerkojne shume fonde mirembajtje qe dhe po te behen me pages nuk mbulohen kushtetuta nuk funksionon ose ndryshohet per interesave te punonjeseve te shtetit

  4. ed says:

    Ahahaha sa kot. Po ilaçet që nuk i paguan skema e re e pensinove, a nuk do i paguajnë prapë fëmijët o shoku gazetar që nuk thellohesh? Ca shkrime i bën mirë, por këtë më mirë ta lije në sirtar.

    Realiteti është që e vetmja skemë e drejtë është skema ku paguajnë të gjithë në një qese të përbashkët, dhe pensionistët marrin sipas nevojave. Të tjerat janë vetëm para poshtë jastekut dhe mashtrime.
    Po ato paratë e mbledhura në fondin e kursimit që propozon, ku do i investosh, në bursën e Nju Jorkut? apo thjesht do i bësh mal për 30 vjet, dhe do ja lesh në kujdestari LSI-së?

    Zoti gazetar, ekuacioni është i thjeshtë, pa punësim çdo sistem është i rrënuar. Por qeveria e ka më kollaj të presë pensionet me justifikimin e reformës sesa të mbledhë sigurime e të krijoje vende pune (në mënyrë direkte, apo indirekte). Por deri më sot qeve ria, vetëm ka mbyllur shumë mundësi pune, me arsyetimin demagogjik të luftës ndaj informalitetit (ndërkohë që informalieti vazhdon njësoj atje sipër, mjaft të shikosh ku janë Sandri e Imami sot).

    Siç e ka thënë Piketty, pensioni është kapitali i atyre pa kapital. Por fundja ça pune ka logjika dhe Piketty në Shqipërinë konsensuale, ku i vetmi ideal është vjedhja e shtetit nga pushtetarët të mbështetur nga justifikimet që u fabrikojnë mediat.

  5. xho says:

    Z. human. Ju na thoni per nje teori qe nuk kuptohet ose eshte nje bllof.”shkurtim I oreve te punes , per te ritur produktivitetin”Nuk jam dakord me ju sepse po te jap nje shembull qe e njohin te gjithe.Ne SHBA ku teknollogjija ne pune eshte e larte, qe per shqiptaret kjo eshte nje ender dhe asnje here nuk do ti afrohen kesaj teknollogjije, por vetem do ti largohen me shume asaj.Megjithate ne SHBA njerzit punojne cdo dite nga dy deri tre pune.Pra ata marin dy ose tre ceqe ne jave. Eshte lluks I madh po te punosh ne nje pune ne dite..Klasa drejtuese ne Shqiperi ben qejf dhe mendon per vehten e saj ketu jam dakord me ju dhe ketu eshte faji ityre qe nuk pranojne te vendosin ligje per te lehtsuar jeten e njerzve kur edhe populli nuk eshte I afte te detyroj keta njerez te punojne per popullin. Menyrat jane te ndryshme.

  6. xixa says:

    SA SHQIPETAR E JANE NE DIENI QE NE VITET 50 NE SHQIPERI PAGUHEJ NJE TAKS BEQARIE,KUSH NUK KISHTE FEMIJE PAGUANTE TAKS DHE QELLIMI ISHTE SHTIMI I POPULLSISE,SOT KEMI PLANIFIKIMIN FAMILJAR I CILI NE TE SHUMTEN E RASTEVE QIFTET ZGJEDHIN MODELIN JETO SI MBRET DHE NGORDHE SI QEN,POR EDHE NGORDHJA ESHTE ME KOSTO PER SHOQERINE. QEVERITE PAS 90 NUK E KANE VLERESUAR ASNJE KETE ASPEKT, PERPARIMI I TEKNOLOGJISE NUK DO TE THOTE PAKSIM TE PUNETOREVE,POR LEHTESIM TE PUNES SE TYRE,ESHTE KOHA TE MENDOHE PER SHKURTIM TE ORARIT TE PUNES ME LIGJE DHE SKLLAVOPRONARET TE MOS LEJOHEN TE MBAJNE PUNETORET PER 12-14 ORE NE PUNE,DHE TE MOS MBAJNE PUNETOR NE TE ZEZE,SHKURTIMI I ORARIT TE PUNE DO TE THOTE ME SHUME PUNETOR NE PUNE ME NJE ORAR ME TE SHKURTE DHE NDOSHTE SKEMA E TAKSAVE MUNDE TE RISHIKOHET QE TE MOS RENDOHEN EDHE SKLLAVOPRONARE,TE GJITHA TE TJERAT MANOVRIMET QE PO BEN QEVERIA JANE VRIMA NE UJE PER TA NDERLIKUAR PROBLEMIN QE ARRIHET NE ATE QE TE MOS E KUPTOJE ASNJERI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje