Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, Zhaneta Beqiri, denoncoi sot publikisht ngritjen e pallatit ngjitur me këtë institucion, që Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për ndërtim. Beqiri kërkoi nga kryebashkiaku Basha mbajtjen e premtimeve për krijimin e hapësirave të gjelbra, ndërsa tha se ky pallat cenon sigurinë e fëmijëve të kësaj shtëpie sepse po ngrit ngjitur me muret e shtëpisë së fëmijëve.
“Jemi të indinjuar për këtë batërdi ndërtimore që po bëhet ngjitur me shtëpinë tonë. Kreu i bashkisë na premtoi më shumë hapësira të gjelbra, por po lejon një përbindësh të frikshëm të ngrihet pranë nesh. E kujtojmë kreun e bashkisë së Tiranës për premtimet që ka bërë. Ky pallat ngjitur me murin e Shtëpisë së Fëmijës është një ndërtim i frikshëm që prek sigurinë e fëmijëve”, deklaroi Beqiri.
Reagimi i drejtoreshës Beqiri vjen menjëherë pas atij të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, i cili kallëzoi kreun e Bashkisë së Tiranës për dhënien sipas tij në kundërshtim me ligjin lejen e ndërtimit të pallatit 11 katësh, në Rrugën e Elbasanit. Ndërkohë një ditë më parë edhe Këshilltari i Kryeministrit Edi Rama për Urbanistikën, Artan Shkreli denoncoi këtë pallat duke deklaruar se është jashtë çdo rregulli./j.h