Fshatrat e komunës së Novoselës në Vlorë janë totalisht nën ujë, duke e kthyer zonën më kritike në jug të vendit si pasojë e përmbytjeve nga moti i keq.
Prefektja e Vlorës Etjona Hoxha në një komunikim me mediat tha se pavarësisht uljes së nivelit të ujit për disa momente, situata është përkeqësuar sërish ku në disa zona uji arrij në një metër.
“Patëm një moment qetësie se niveli i ujit u ul rreth 50 cm. Aktualisht arrin edhe në një metër, gjysmë metri në momente të caktuara të rrugës”, tha Hoxha.
Sipas saj, situata e evakuimit shikohet rast pas rasti në varësi të familjeve më të rrezikuara.
Prefektura ka marrë masat për të garantuar furnizimin me ushqim dhe ujë të pijshëm të familjeve që janë të izoluara në zonat e përmbytura. Sipas saj një pjesë e madhe e banorëve të komunës së Novoselës janë streguar tek familjarët e tyre, ndërsa të tjerë janë evakuuar nga ekipet e shpëtimit.
Hoxha tha se pasi të jetë garantuar shpëtimi i të gjithë banorëve të përmbytur, atëherë do të ndërhyhet përmes një plani të detajuar të masave për të ndërhyrë në kanalet e kullimit, që do të shmangte përsëritjen e një situate të njëjtë.
Situata në Fier
5 barinj kanë mbetur të bllokuar në zonën mes Bishanit dhe Poros. Sipas prefektes së Vlorës Etjona Hoxha është e pamundur të ndërhyhet me mjete motorike për shkak të terrenit të panjohur të zonës. Ndaj sipas saj, ndërhyrja për evakuimin e tyre do të bëhet me helikopterë.
Po ashtu, 4 barinj kanë mbetur të izoluar në fshatin Ferras të Fierit dhe tre të tjerë në Darzezë. Ata kanë apeluar përmes telefonatave në media se janë të rrethuar nga uji i cili ka marrë me vetë bagëtitë e tyre. Evakuimi i tyre pritet të bëhet me gomone.
Gjithashtu në Ferras një çift bashkëshortësh apeluan për avakuim pasi banesa e tyre ishte përmbytur plotësisht.
Po kështu në Levan të Fierit si pasojë e reshjeve të shumta janë përmbytur 4 banesa.
Situata në Berat
Në qytetin e Beratit situata duket më e qetë pasi niveli i ujit në lumin Osum ka rënë ndjeshëm. Po ashtu ura e Çorovodës, e cila u dëmtua si pasojë e prurjeve të mëdha të Osumit, është riparuar dhe tashmë është e kalueshme.
Rreth 90 familje janë evakuuar si pasojë e përmbytjeve që sollën dalja nga shtrati e lumit Osum , ndërsa rreth 300 hektarë janë nën pushtetin e ujit. Zona më e prekur në qarkun e Beratit është Ura Vajgurore. /gj.k/