Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijojnë replikat në distancë në lidhje me zonat e përmbytura në jug të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore në përballimin e situatës.
Kryeministri Rama, i cili po ndjek nga afër situatën në disa nga komunat më problematike, përmes rrjetit social shkruan se gjithçka ecën sipas planit, çdo detyrim i fazës 2 është garantuar.
“Asnjë familje e prekur nga përmbytjet s’do mbetet pa kujdes si dikur!”, shkruan Rama në rrjetin social.
Rama tha se prioritet i qeverisë është zëvendësimi i dëmeve dhe mbështetje ndaj atyre që humbën prodhimin. “Do të përmbushim çdo detyrim ndaj familjeve dhe qeveria do të vijojë të jetë afër banorëve”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu referuar akuzave të opozitës, sa i përket mungesës së ndihmave në disa nga zonat e rrethuara nga uji, Rama ironizoi duke thënë “opozita është përmbytur në 23 Qershor, ta lëmë të thahet”.
Por kreu demokrat Lulzim Basha po përmes Facebook ka reaguar duke akuzuar Kreun e Qeverisë se nuk ka asnjë plan për përballimin e situatës.
“Leri shfaqjet me “faza” dhe “plane” që si ke bërë akoma.
Shpall emergjencën dhe cakto buxhetin në ndihmë të të përmbyturve.
Për përmbytjet në Serbi dhe Bosnjë çele 200 mijë euro me vendim qeverie, për Fierin dhe Vlorën vetëm fjalë, shfaqje dhe rrëmujë”, shkruan Basha. /gj.k/