Arbana Xharra përballë ekstremizmit fetar

8 Mars 2015, 19:33Rajoni TEMA
Arbana Xharra përballë ekstremizmit fetar

Pas marrjes së çmimit nga Departamenti i Shtetit Amerikan, kryeredaktorja e gazetës “Zëri” Arbana Xharra është uruar edhe nga Zonja e Parë e ShBA-së, Michele Obama.

Obama përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, i ka uruar të gjitha fitueset për çmimet.

Arbana Xharra është ndër 10 gratë, të cilat u nderuan në Uashington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme që jep Sekretari amerikan i Shtetit.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra është ndër 10 gratë, të cilat u nderuan në Uashington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme që jep Sekretari amerikan i Shtetit.

Në ceremoninë e zhvilluar të premten pasdite, zëvendës-sekretarja e shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Heather Higginbottom, tha se Arbana Xharra ia ka kushtuar jetën si gazetare zbulimit të korrupsionit dhe ndryshimit të shoqërisë pa dhunë.

Ajo ka raportuar gjithashtu mbi ekstremizmin fetar dhe fjalët e saj e kanë nxitur qeverinë të përballet me probleme të tilla.

Ashtu si gratë e tjera që ndodhen sot në këtë podium, tha zëvendës-sekretarja e shtetit, Arbana është përballur me kërcënime me vdekje për punën e saj.

Por si kryeredaktore e njërës prej gazetave kryesore të Kosovës, ajo vazhdon t’i ndjekë zhvillimet kudo që ato të çojnë, pavarësisht rreziqeve për veten e saj.

Zëri i Amerikës: Si e nisët punën për të raportuar mbi ekstremizmin fetar?

Arbana Xharra: Kur kam filluar në vitin 2012, kjo ka qenë një temë që kam nisur ta hulumtoj me detaje. Gjatë tetë muajve kam zhvilluar 88 intervista në Kosovë, Maqedoni dhe në Londër. Kam gjetur disa burime financimi dhe kam dashur ta shoh dhe ta prek nga afër problemin se ku qëndron. Ka pasur shumë fjalë se po zhvillohet një ideologji e panjohur për ne dhe kështu vendosa të hulumtoj në detaje dhe të shoh se çfarë po ndodh.

Zëri i Amerikës: Cilat janë gjetjet tuaja kryesore? Për shembull, a keni zbuluar se nga vijnë financimet e ekstremizmit fetar?

Arbana Xharra: Pas luftës në Kosovë kemi qenë të fokusuar në zhvillimin e shtetit, ndërtimin e institucioneve. Në atë kohë, kanë ardhur shumë organizata humanitare, të cilat kanë ofruar kurse të gjuhës angleze dhe të kompjuterëve. Po ashtu, në këmbim është kërkuar që të mësohet një ideologji tjetër. Sot, 16 vjet nga mbarimi i luftës, ne po ballafaqohemi me këtë gjeneratë, e cila është duke zgjeruar ideologjinë e panjohur për ne. Po ashtu, ka edhe disa të rinj të cilët i janë bashkuar luftës së ISIS-it në Siri. Kemi patur vazhdimisht shkrime prej familjeve, të cilat vijnë nga një e kaluar tepër e varfër. Pra, është duke u shfrytëzuar ambjenti i varfër dhe papunësia e madhe. Është një problem me të cilin jo vetëm ne, por rajoni dhe i gjithë globi është duke u ballafaquar.

Zëri i Amerikës: Si kanë reaguar ata që kanë qenë në qëndër të investigimeve tuaja?

Arbana Xharra: Ka patur kërcënime të shumta. Fatkeqësisht janë fëmijët e mi ata të cilët gjithherë kërcënohen përmes meje. Kam raportuar në polici. Kam raportuar disa herë raste të tilla, por nuk kam patur ndonjë të dhënë nga policia nëse është kapur dikush apo. Edhe së fundmi para se të vija këtu kam patur një numër të madh kërcënimesh që kanë ardhur pas një reagimi tim. Por, i mbetet edhe organeve të drejtësisë të kryejnë punën e tyre, shpresoj sa më mirë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju nuk e ndieni mbrojtjen e policisë dhe të organeve të drejtësisë?

Arbana Xharra: Ata më thonë se, nëse më duhet diçka, t’i lajmëroj, por deri më tash, nga gjithë ato kërcënime që kam patur, nuk kam marrë vesh nëse është dënuar apo kapur dikush.

Zëri i Amerikës: A është e vështirë për ju të bëni dallimin mes ekstremizmit fetar dhe Islamit paqësor, të moderuar në Kosovë?

Arbana Xharra: Në fakt, janë imamët liberalë, të cilët më kanë ndihmuar shumë në zhvillimin e kësaj teme. Ata më kanë treguar në detaje se kush janë ata që po zgjerojnë këtë ideologji. Pra, e kam nisë punën bazuar në informacionet që kam marrë nga disa imamë, të cilët po ashtu kanë patur probleme me këto grupe. Është një imam në Kaçanik, i cili në vitin 2007 ka reaguar ndaj grupeve vahabiste dhe makina e tij është djegur. Tjetri në Drenas, i cili brenda xhamisë së tij është rrahur dhe shumë e shumë të tjerë. Kështu që këtë punë e kam nisur nga njerëz që edhe ata janë besimtarë dhe të cilët janë duke reaguar nga rritja e këtyre grupeve ekstremiste.

Zëri i Amerikës: Ju keni hulumtuar edhe për korrupsionin në Kosovë. Si është gjendja e korrupsionit dhe ku është përqendruar puna juaj?

Arbana Xharra: Fatkeqësisht nuk kemi ndonjë lëvizje tek koka e korrupsionit. Nuk fshihet më në Kosovë, sepse është shumë lehtë të vërehet se kush shndërrohet në milioner brenda natës dhe, nëse merr raportimin e pasurisë së tyre, sheh se zyrtarisht ka një pagë rreth 1,000 euro dhe prona e tyre është milionëshe. Kështuqë, gjithaq jam marrë me figurat e larta politike dhe lidhjet e tyre, por fatkeqësisht nuk është se ka ndodhur ndonjë gjë. Pas hulumtimeve jo vetëm të mia por edhe të shumë kolegëve të mi, të cilët vazhdimisht i nxjerrin në shesh këto lidhje, shikojmë se ata nuk e kanë ndonjë dert të madh fuqizimin e tyre financiar sepse ata fuqizohen politikisht. Fatkeqësisht, si në pushtet por edhe në opozitë kemi njerëz të përfshirë në krim dhe në korrupsion.

Zëri i Amerikës: A mund të më thoni diçka mbi lidhjet mes shtypit të shkruar dhe korrupsionit? A janë përpjekur politikanët të blejnë median e shkruar në Kosovë?

Arbana Xharra: Gjithnjë gjatë fushatave parazgjedhore shihet kur politikanët kanë në dorë të tyre disa media të caktuara. Media është ajo e cila në ballinën e saj apo në edicionin e lajmeve tregon edhe mbështetjen se cilës parti politike i takon. Që nga paslufta, ka patur shumë media që janë financuar nga grupe të ndryshme, po ashtu nga biznesmenë që janë të lidhur me partitë politike, kështu që kjo është evidente dhe e pranishme në Kosovë. Por kemi edhe media të pavarura dhe të besueshme, të cilat po vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre.

Zëri i Amerikës: A ka patur raste që politika t’ju ketë ofruar para edhe juve si gazetë për t’ju blerë?

Arbana Xharra: Normalisht që ka patur raste të tilla. Kjo ndodh gjithmonë në Kosovë. Kjo është ajo gjëja e tmerrshme, presioni që ndodh në forma të ndryshme. Kërcënimet, paditë dhe kjo është ajo që ballafaqohem unë dhe kolegët e mi.

Zëri i Amerikës: Si do ta përshkruanit gjendjen e përgjithshme të gazetarisë në Kosovë?

Arbana Xharra: Fatkeqësisht kemi një degradim. Por në anën tjetër ende ka gazetarë dhe media që mbesin të besueshëm.

6 komente në “Arbana Xharra përballë ekstremizmit fetar”

  1. Sokol.Milano says:

    Te lumte.Urime per suksese ne punen dhe familjen tuaj.

  2. m says:

    Bravo Albana,

    Beje trime moj bije se kjo rruge keshtu e ka. Do te kesh gjithmone njerez kundra, sepse ti lufton kunder dy negetiviteteve qe kane pushtet, njera qeveria e korruptuar, qe ka ne dore edhe gurin edhe arren, dhe tjetra fanatizmi fetar, qe ka ne dore shpirtrat e njerezve.

    Repsekt te thelle per ty!

  3. Pse...???!!! says:

    Na çatë bythën e na bëtë për të vjellë…!!!

  4. coli says:

    te lumte arbana sharra dicka eshte e dicka seshte por mbase kesaje interviste bere dicka te bukur per familjen dhe kjo mbane ere intrigat e tua me hamendje per te siguruar qe te mose keshe nje levizje te pa ligjeshme drejte SHBA munde te fitosh dekumentat nje kete menyre

  5. Klimax says:

    Nje cmim simbolik qe u jepet atyre grave qe punojne ne rajone dhe vende nga me te rrezikshmet ne planet, ne ato vende ku jane ende larg te qenit te lira, demokratike e te civilizuara, atje ku shoqerite e atyre vendeve vuajne nga plage te renda, nga luftrat, varferia, semundjet, papunesia, analfabetizmi, diskrimini gjinor, korrupsioni, ekstremizmi fetar e terrorizmi.
    Eshte nje vleresim kurajoz qe i behet punes se Arbana Xhares duke qene ajo nje nga dhjete grate e guximshme te botes, por ky cmim nga ana tjeter eshte vleresim negativ, nje kritike e ashper dhe nje grusht i rende ndaj qeverise e instuticioneve kosovare dhe mbi te gjitha ndaj shoqerise shqiptare qe krahasohet me nivele te vendeve si Afganistani, Somalia, Sudani, etj!!!!!

  6. NO PASION says:

    BRAVO ARBANA….PO TREGON RRENJET E TUA TE KULTURES ILIRE…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje