Tifozët e Borusias së Dortmundit kanë arsye të ndihen të trishtuar.
Jurgen Klop, njeriu që ngriti një skuadër të madhe e të suksesshme në Gjermani e Europë, nuk do të jetë më në stolin e verdhezinjve prej sezonit të ardhshëm.
Me një vendim krejt të papritur, si rrufeja në qiell të hapur, trajneri karizmatik njoftoi lamtumirën pas 7 sezonesh në “Signal Iduna Park”, ndonëse kontrata e mbante të lidhur me Dortmundin deri në vitin 2018.
Në sallën e mbushur me gazetarë, të gjithë heshtën sapo Klop nisi të flasë.
“E kam thënë shpesh se do t’ia bëja të ditur klubit momentin kur nuk do ta ndieja më veten perfekt për të drejtuar këtë skuadër të jashtëzakonshme.
Në vitet e fundit kemi humbur lojtarë pikërisht në momentet e fundit, duke mos patur mundësi për të reaguar, ndaj besoj se kjo është koha e duhur.
Nuk jam i lodhur, nuk kam kontakte me ndonjë klub tjetër dhe nuk mendoj të bëj një vit pushim”.
Që prej vitit 2008, nën drejtimin e tij, Dortmundi ka fituar dy tituj radhazi në kampionat në 2011-ën e 2012-ën, ndërsa një vit më vonë, Klop e udhëhoqi ekipin deri në finalen e Championsit, ku ëndrra u ndërpre nga Bayerni i Mynihut.
Klop mendon se thjesht ka bërë detyrën në një histori 7-vjeçare me suksese, por edhe dështime, siç mund të quhet sezoni aktual, me Dortmundin që deri pak ndeshje më parë luftonte për mbijetesën:
“Askush nuk duhet të më jetë mirënjohës. Kemi patur një marrëdhënie të sinqertë, ku të dyja palët kanë dhënë e kanë marrë”.
Me fundin tashmë të konfirmuar, një cikël i ri do të nisë si për trajnerin Jurgen Klop, ashtu edhe për Dortmundin.
Në lidhje me të parin menjëherë nisën spekulimet për një kalim të mundshëm te Mancester Siti, por ka edhe zëra të tjerë që e shtyjnë drejt Arsenalit apo Liverpulit.
Gjithsesi, është ende herët për një variant të besueshëm, ndërkohë që për stolin e Dortmundit ka nisur të lakohet emri i Tomas Tuchel, ish- trajneri i Mainzit, aktualisht i papunë.
Si tifoz i Dortmundit, me vjen qe po largohesh. Respekt kudo qe te shkosh!
Vendim ne kohen e duhur.Te LUMTE.