Asllan Dogjani zëvendëson Halim Kosovën në Kuvend

16 Prill 2015, 18:22Politika TEMA

Asllan Dogjani pritet të jetë deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë pasi Halim Kosova do të dorëzojë mandatin e deputetit për shkak të angazhimit të tij në garën për Bashkinë e Tiranës. Dogjani do të zëvendësojë Kosovën si deputet iQarkut të Tiranës, referuar listës shumëemërore të Partisë Demokratike në këtë qark.

Për shkak të angazhimeve në garën për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, Kuvendi i Shqipërisë do të pësojë ndryshime në 3 grupet parlamentare të PS-së, LSI dhe PD-së.  Të paktën 7 deputetë aktualë do t’i duhet të lënë mandatet e deputetëve për të kandiduar për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit. Referuar zyrtarizimit të emrave nga pozita dhe opozita për kryetarët e bashkive, 4 deputetë të mazhorancës dhe tre të Partisë Demokratike duhet të dorëzojnë mandatet e tyre si ligjvënës.

Partia Socialiste tashmë ka vendosur që për Bashkinë e Fierit të kandidojë me deputetin Armando Subashi, ndërsa deputetja Majlinda Bufi do të kandidojë për Bashkinë e Roskovecit. Në vend të tyre në Kuvend do të hyjnë Bujar Cela dhe Antoneta Dhima.

Deputeti socialist i Krujës, Artur Bushi ka vendosur të heqë dorë nga mandati për të garuar për Bashkinë e Krujës. Në vend të tij në Kuvendin e Shqipërisë do të hyjë Shkëlqim Troplini.

Nga Partia Demokratike do t’i duhet të dorëzojnë mandatet e deputetëve Halim Kosovës, Besnik Duzhës dhe Ardjan Turkut, të cilët janë kandiduar si kandidatë për Bashkinë e Tiranës, Tropojës dhe Elbasanit. Duzha dhe Turku do të zëvendësohen në Kuvend nga Mimoza Hajdarmataj dhe Arbiola Halimi. Ndërsa nga LSI mandatin e deputetes do ta lërë Miranda Rira që do të garojë për bashkinë e Prrenjasit, duke i lënë vendin në kuvend Edlira Çekrezit. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje