SHËNIM/ Agonia dy orëshe e një peme të gjymtuar nga Bashkia e Tiranës

6 Qershor 2015, 16:39Politika TEMA
SHËNIM/ Agonia dy orëshe e një peme të gjymtuar nga Bashkia

Një gumëzhimë elektrike më shpoi gjumin e mëngjesit. Kapa rrufeshëm orën dhe zgurdullova sytë: 06.04 e mëngjesit. Ishte ende herët për t’u ngritur. Zakonisht përgatitja për në punë më zgjat fiks gjysmë ore, prandaj mund të dremisja edhe ndonjë orë tjetër përpara se të nisja aktivitetin e përditshëm: pra, para se të thithja sërish të njëjtin pluhur të ndotur të Tiranës, të ecja sërish pranë koshave me plehra të një dite më parë, të mallkoja me të njëjtat fjalë fyese trafikun dhe tipat që do të vononin si gjithmonë, parkuar anash rrugëve dyshe me bllokazhin ndezur, të shaja nëpër dhëmbë semaforin që nuk punon, të shmangia me kujdes gropat në rrugë (oh, amortizatorët e makinës time të gjorë), të skërmisja dhëmbët përpara ndonjë polici bashkiak që debatonte me fakirin e radhës që kishte zbritur nga fshati për të shitur specat e domatet në trotuarët e shkallmuar e të ndotur të qytetit tim, të… të… të…

Por, gumëzhima elektrike nisi të elektrizohej edhe më. Ashtu, gjumëprishur, dëgjoja ca pasthirrma, ndonjë të qeshur, makina që i binin borive pa pushim, dhe fëshfërima degësh që pasi kërcisnin si kocka të thyera, shkaktonin në zhurmë mbytëse, të frikshme, thuajse si klithma pa zë. Hera-herës më ngjanin me ndonjë mizanskenë horror që luhej në kokën time, njerëz që me sharrë elektrike gjymtonin një të ngjashmin e tyre, e ashtu nga një lartësi e caktuar lëshonin gjymtyrët që binin pëlltumb mbi asfalt.

U ngrita somnabul, i trullosur nga të gjitha këto dhe iu afrova dritares, dielli më vriste sytë. Përballë meje qëndronte cung një pemë e zhveshur lakuriq nga degët ende të gjelbra, që dërgjeshin mbi asfaltin e thatë, gjithë pluhur. Dy njerëz, të hipur majë vinçit të makinës së Bashkisë po cungonin njërin nga krahët, rreth tre-katër të tjerë me jelekë portokalli ku shkruhej Ndërmarrja e Pastrimit, Bashkia Tiranë, pastronin degët e sharruara më parë, ndërsa një tjetër hante byrekun…me sa duket, kishte dalë pa mëngjes nga shtëpia. Më anash, një burrë shtynte kutinë e bananeve, domateve, sallatës jeshile, majdanozit e kushedi çë tjetër, teksa mundohej të gjente një copë hije, nën strehën e murit ngjitur.

U vesha dhe dola në rrugë… nga poshtë skena e batërdisë dukej edhe më e egër. Ngrita kokën: pema tashmë kishte marrë formën e skulpturës para Institutit të ish të Përndjekurve Politikë. Asnjëherë s’më ka pëlqyer ajo statujë, mirëpo sa herë e shoh më duket se diç ulëret me forcë. I hodha edhe një vështrim tjetër keqardhës, pemës, burrave që e gjymtuan, mbledhësve të degëve të vrara, burrit që priste myshterinj në gjysmë hije dhe vetes; dëshmitar i një vrasjeje m’u në mes të Tiranës, ngjitur me murin e shkollës “Vasil Shanto”, 6 qershor 2015.

Pastaj, makina e bashkisë lëvizi ca metra më tutje. Një pemë tjetër gjelbëroshe lartohej aty pranë. I ktheva kurrizin dhe u nisa për në punë, si një qen me bisht ndër shalë, i vetëdijshëm se s’doja të merrja pjesë në një vrasje tjetër… e teksa dëgjoja gumëzhimën elektrike të sharrës që përshkonte mishin e drunjtë, vetiu thashë nëpër dhëmbë: Edhe 15 ditë!

9 komente në “SHËNIM/ Agonia dy orëshe e një peme të gjymtuar nga Bashkia e Tiranës”

  1. Artan says:

    Tmerri me i madh i prerjes ishte ai i pemeve 20-30 metershe qindra vjecare ne qender rreth Skenderbeut qe beri Rama ne 2011!

    Sa keq i ka bere Tiranes Rama, dhe sa keq do i beje Erjoni, nuk mund te krahasohen me asnje gje te PDse!

    1. Zhelal Qiu says:

      Artan o qen

      1. librazhd says:

        zhelal moj buqe

  2. BIGU says:

    e vetmja pune qe ban luli i vocer i liut te madh, eshte shkaterrimi i pemeve dekorative dhe pyjeve ne teresi.shembuj ka sa te duash, pemet ne kombinet, ne polikumi,ne gjir te lalzit ne durres, golem ne pyllin e sodes,etj.kjo ne vetvete eshte politika e holle e pd per gjelberimin e shqipeise ne plane afatgjata.pritini edhe ca dite o njerez qe sdoni natyren se nuk njihni ZOTIN.
    KUSH VE DORE MBI PEMET KA VRARE JETEN.

  3. Balzaku says:

    “Gumëzhimen elektrike të sharrës” ????
    Mesoni te shkruani shqip o analfabetë te pershtateshem!!

    1. BIGU says:

      MERRU ME THELBIN JO ME CIKERRIMA. SHQIPERIA PO CPYLLEZOHET NGA TE KATER ANET.SKA ME AJER.

  4. plaku says:

    Ky shkrim me kujton shkrimin e shkelqyer te Fatos Lubonjes para disa vitesh ku ai me dhimbje njoftonin me lot ne sy qytetaret e Tiranes se Bashkia e atehereshme e Tiranes kishte vrare perfundimisht Rrapin e madh prane galerise se Arteve. Rrapi i madh ishte me i vjeter se sa qyteti i Tiranes. Rrapi u pre sepse nen tij do te behej nje feste e ambasades amerikane dhe bashkia budallaqe kishte frike se mos na thyej ndonje dege e ketij rrapi Monument, dhe na plagoste ndonje te ftuar.
    Cfare ndodhi. Amerikanet bene festen dhe Tirana jone mbeti pa rrapin shekullor qe ishte me i vjeter se ajo.

  5. fllad says:

    plaku ka te drejte, rrapi qe u pre tek Galeria Arteve ishte nje krim i shemtuar.

  6. ermal says:

    shpejt jeni kujtuar per rrapin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje