Dr. Gafur Muka
Të gjithë duam t’a shijojmë peizazhin. Dhe të gjithë duam që peizazhi të na lërë shije të mirë. Duke qenë i shumëllojshëm ai, dhe duke qenë edhe soditës edhe krijues edhe vlerësues të tij ne, kemi jo vetëm të drejtën e pëlqimit apo mospëlqimit por edhe të drejtën të përpiqemi t’a ndryshojmë. Ama përpjekjet tona duhet të jenë në sensin e përmirësimit. Pikërisht këtu lind problemi: në përpjekjet tona për ta përmirësuar, herë pa dashje por, shumë herë me dashje, ndryshimet bëhen për të përfituar në kurriz të “përmirësimit”. Kjo ka bërë që njerzit të vihen në analizë të rezultatevë të ndryshimit të peizazhit, të nxjerrin konkluzione nga këto analiza dhe të përcaktojnë strategji të tilla që “edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”. Pjesë e atyre që merren me hartimin e këtyre strategjive janë specialistët e mjedisit. Në formimin e tyre strukturohet dija që nis me peizazhin natyror dhe përthyhet pastaj në peizazhin urban, industrial, rural… pra peizazhin që krijon aktiviteti i njeriut.
Gjeologët, në formimin e tyre, e lidhin peizazhin e sotëm natyror me proceset që kanë ndodhur në miliona vjeçarë. Në këtë peizazh ata janë gjithmonë në gjurmim të pasurive natyrore, kryesisht të mineraleve, naftës por edhe të ujit. Janë ata të parët që e tundojnë fort njeriun të kërkojë rrugë për t’i përdorur me sa më shumë dobi këto resurse. Dhe të gjithë e dinë që historia e zhvillimit industrial nis pikërisht me këto përdorime.
Këto ditë 10 studentë të diplomës master shkencor në gjeomjedis, për pesë ditë rrjesht, gjurmuan efektet e ndryshimit të peizazhit natyror në objekte ku oferta e natyrës dhe aktiviteti i njeriut kompozojnë ndikimin në mjedis. Në të gjitha rastet ishte vetë realiteti që ekspozonte vlerën e ndryshimit, ndërkohë që pedagogët shoqërues Çerçis Durmishi e Spiro Thedhorjani shpjegonin konkretisht marrëdhëniet natyrë- aktivitet njerzor, harmoninë dhe joharmoninë, stadin aktual dhe pritshmëritë, këndvështrimin e sotëm dhe atë të brezave që do vijnë. Për studentët ishte interesant shpjegimi i gjeologjisë së terrenit konkret, evidentimi i strukturave gjeologjike dhe i resurseve që lidheshin me to, njohja me aktivitetin e kryer, efektet e këtij aktiviteti në mjedis etj.
Ndalesa e parë ishte në fshatin Ibë, pranë hyrjes së tunelit të Krrabës. Fenomeni i ndodhur ishte rrëshqitja e aluvioneve. Gjeologjia-thotë prof. Çerçisi- e favorizon këtë por aktiviteti njerzor, dmth punimet e kryera për hapjen e rrugës, kanë ndikuar në realizimin e rrëshqitjes. Studentët shohin përmasat e saj si dhe objektet e dëmtuara. Vërtet është vlerë ndërtimi i rrugës por kishte mundësi që edhe rruga të ndërtohej edhe rrëshqitja të shmangej. Për këtë duheshin kryer studime të hollësishme gjeologo-inxhinierike. Këto, natyrisht, duhet t’i kryejnë specialistë kopetentë, rekomandimet e të cilëvë duhet të merren në konsideratë nga investitorët. Për studentët tashmë është e qartë: jo rrallëherë anashkalohen rekomandimet e specialistëve prandaj jo rrallëherë ndodhin edhe dëmtime të pariparueshme në mjedis.
Rrëshqitja…edhe mund të ishte shmangur
Pohimi “tekat e natyrës janë të çuditshme” vlen edhe për atë që ka ndodhur në fshatin Shijon në luginën e lumit Kusha. Në vitet ’90 gjeologët rekomanduan shpimin e disa puseve të thellë në kërkim të naftës. Në njërin prej këtyre puseve (Kozani 8), në thellësinë prej afro 1800 m shpërtheu ujë termal me temperaturë rreth 660 dhe një prurje konstante prej 10.3 l/sek.
Kozani 8…përse të rrjedhë kuturu?
Por le t’i lëmë çuditë e natyrës dhe të shohim çuditë e njeriut. Ky ujë, edhe pse me vlera kurative, akoma nuk është vënë në përdorim ashtu siç e meriton. Vetëm një godinë dykatëshe dhe dy apo tri vaska në një mjedis krejt modest përbëjnë infrastrukturën aktuale të përdorimit. Është e qartë që familja, që medemek e menaxhon këtë pasuri natyrore, nuk është në gjendje të kryejë investimet e duhura. Veçse shteti, po po shteti, duhet të kërkojë dhe të gjejë një zgjidhje. Në këtë mjedis të bukur natyror, ngritja e një kompleksi të kredituar, do kishte një përjetesë mjaft pozitive si për familjen ashtu edhe për fshatin, zonën e gjithë vendin. Interesi nuk ka munguar. Vetë specialisët e Fakultetit të Gjeologjisë e Minierave kanë kryer studime e kanë propozuar projekte konkrete. Por… Është problemi i veshit të shurdhër apo i atij që s’do të dëgjojë?! Kush do ta shpëtojë këtë mjedis nga “djegja” prej ujit që rrjedh kuturu…?
Ndalesa në Prrenjas lidhet me praninë atje të shfrytëzimeve të braktisura. Për studentët puna në minierat e hekurnikelit është një histori që duhet mësuar, ndërsa për mua dhe prof. Çerçisin është një kohë e jetuar. Në kujtesën tonë, gjatë viteve të mësimit në shkollën e mesme të Minierave dhe Gjeologjisë, rajoni Pishkash-Prrenjas ishte një rajon i populluar dendur me gjeologë e minatorë. Qyteti ishte ndërtuar enkas për ta, ndërsa shkolla prodhonte kuadro të mesëm për të gjitha ndërmarrjet gjeologjike e minerare të vendit. Po sot!? Studentët shikojnë kullat e puseve të braktisura si dhe ndërtesat po të braktisura, të cilat atëbotë i shërbenin prodhimit të hekurnikelit. Braktisja e minierave pasi shfrytëzohen është një proces i natyrshëm- u thuhet studentëve- por, pas kësaj edhe rikuperimi i dëmit të shkaktuar në mjedis është po ashtu një detyrim ligjor i cili, edhe pse me kosto të lartë, duhet të planifikohet për t’u realizuar. -Askush nuk e di edhe sa kohë do mbeten në këtë gjendje zonat me objekte minerare të braktisura, veçse është e qartë që prania e tyre në mjedis ka përjetesë negative në zhvillimin e zonave anekand vendit- thekson prof. Vasil Jorgji.
Sapo fillon zbritjen, pasi ke kapërcyer Qafë-Thanën, vështrimi gjen prehje edhe në sipërfaqen blu të liqenit të Ohrit. Prania e liqeneve, kudo që ato ndodhen, është një bekim i zotit. Flora dhe fauna e tyre ndikon në mënyrë thelbësore rajonin përreth. Mardhënia e banorëve me liqenin është marrdhënie me dimension jetësor. Ajo fillon me frymëmarrjen (frymon erë liqeni), kundrimin e shpezëve liqenore (mjellmat, patat, rosat), notin e pastaj vjen gjuetia e peshkut (koranit)… Banorët e Pogradecit dhe të gjithë ngujimeve përreth janë dhe banorë liqeni. Studentët kanë interes për ujin e liqenit. Ata tashmë e dinë se nga buron liqeni, e dinë se edhe brenda tij ka burime uji kristal, e dinë po ashtu se ky ujë përdoret edhe si ujë i pijshëm për qytetin. Po si? Kemi ardhur të vizitojmë pikërisht atë objekt që mundëson kapjen e ujit të burimeve brenda liqenit për ta dërguar pastaj në tubacionet e ujit të pijshëm. Vepra quhet kaptazh. Është ndërtuar kohët e fundit sipas një projekti të mbështetur nga qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës. Ka një kapacitet për furnizimin e rreth 100 000 banorëve. Inxhinieri gjeolog Dëfrim Mazelli u shpjegon studentëve të gjitha detajet e projektit të realizuar tashmë. Po si vete më tej kjo historia e ujit të liqenit? Studentët janë kuriozë për këtë prandaj dhe nisemi të vizitojmë impiantin e pastrimit të ujrave të zeza. Këdo të pyesish në Pogradec të thonë: Është një projekt i realizuar nga gjermanët, duke lënë të kuptohet që është fjala për një vepër që “s’ka të sharë”. Specialistët që punojnë këtu shpjegojnë të gjitha hollësitë për të cilat interesohen studentët. Ata mësojnë se prej këtu uji i kthehet sërish liqenit, mjaftueshmërisht i pandotur për t’u hipotekuar si “ujë liqeni”. Ja një marrdhënie model e cila duhet të bëjë “këmbë”.
Uji kristal i burimeve të liqenit. Pogradecarët bekojnë edhe natyrën edhe…atë që ua solli në tavolinë.
Edhe këtu është një burim i liqenit
Bënja, atje në kanonin e Langaricës, nuk ndjehet rehat. Vizitorët e saj vërtet i kënaq bukuria e natyrës dhe vlerat kurative të burimeve termale por…infrastruktura. Për të kanë munguar dhe akoma mungojnë fjalët e mira. Në ndërkohën tonë atje, vjen një grup motoçiklistësh çekë të cilët duan të shijojnë njëcopëherë magjinë e burimeve. Mbarojnë punë shpejt dhe largohen duke marrë me vehte kënaqësinë e ujit dhe, duke lënë aty vetëm copëherën e qëndrimit. Asgjë tjetër nuk ishte me interes për to. Por për studentët është me interes të njihen me vlerat e resurseve natyrore të Bënjës. Prof. Spiro u flet për burimet e ujit, për vlerat e tij, për mundësitë e përdorimit jo vetëm të ujrave por edhe të bukurive të gjithë kanonit të Langaricës. Studentët ndalen posaçërisht tek sejcili prej burimeve: ai i reumatizmës, ai tjetri i lëkurës, ai i treti i stomakut dhe ai më sipër i…priftit. Si i priftit?! Prifti-tregohet- nuk erdhi këtu me këmbët e veta por, me vetëm dy javë qëndrim këtu, ai u largua me këmbët e veta. Mrekullinë e bëri uji i burimit. Studentët duan të dinë si është e mundur që në një territor kaq të vogël, uji të burojë me karakteristika kaq të ndryshme. Epo, këto janë “sekrete” gjeologjie dhe nganjëherë vështirë të shpjegueshme. Strukturat e tokës servirin me bujari “menunë” e milona vjeçarëve. Njerzit, me sa duket, akoma s’ia kanë ngenë ta shtrojnë ‘tryezën” ashtu siç e meriton “ushqimi”. Dhe kështu siç është, Bënja ofron kryesisht vlera gjeologjie…Po më tej?! Le të presim…
Bënja…Uji që të shëron dhe “tryeza” që të mungon
Syri i kaltër. Është një mbasdite e mrekullueshme por numri i vizitorëve numërohet me gishtat e dorës. Çfarë ka ndodhur me burimin? Jo, asgjë nuk ka ndryshuar nga kushtet gjeologjike që përcaktojnë origjinën e tij. Ndryshime të vogla dhe të pritshme ka në parametrat hidrografikë por… ndryshime kanë ndodhur në florën dhe faunën përreth. Që edhe rrepet thahen një ditë-kjo është ligjësi e natyrës, por kur këtë ditë e afron mungesa e kujdesit për to apo, për më keq, kur “vdekjen” ua afron vetë njeriu, atëhere të kapllon trishtimi. Gjithë çfarë është ndërtuar aty, tek syri i kaltër, duket se është ndërtuar për ta “qorruar” atë. E pra, syri i kaltër mezi sheh e mezi shihet. Interesi për ta shpëtuar atë duhet të jetë në projektet e emergjencës si të pushtetit lokal ashtu edhe atij qëndror. Por një projekt i koordinuar nuk duket gjëkundi edhe pse fjalët e mëdha thuhen e thuhen… Si do vejë halli i syrit të kaltër? Studentët tanë na vështrojnë drejt e në sy, me ngulm. Ata e duan një përgjigje.
Syri i kaltër…Rruga e kuçedrës nuk është larg
Tani jemi në Sarandë. Hoteli ku do flemë është “bukur” larg detit. Vlerësojmë kështu, jo duke u mbështetur në distancën reale, pasi ajo nuk është më shumë se 200-300 m, por në mundësinë për të parë e shijuar det. Të dalësh një shetitje anës detit është e pamundur. Aty në Sarandë, dmth në qytet, rajonizohen resorte, sejcili për hesap të vet. Vizitorit nuk i krijohet mundësia që të shetisë në qejf të vet. Saranda është bërë një qytet bregdetar pa një shetitore buzë detit. Pas brezit të parë të ndërtimeve të gjithë kanë të drejtë të pyesin: a ka det këtu?
Largohemi nga Saranda me ndjesinë e detit të mbytur dhe me keqardhjen e vetëmbytjes së qytetit. Ndoshta një ditë do ta kuptojmë që çdo plagosje e natyrës është, jashtë çdo dyshimi, vetëplagosje. Le ta themi këtë, së paku për studentët tanë.
Me ne fund erdhi dhe nje shkrim i bukur per cdo lexues qe eshte i interesuar mes te tjerave te dije edhe per gjeologjine,dhe pikerisht per keto qe shkruan autori.Me vlejti pasi mora informacionin e duhur para se te nisesha me pushime ne Sarande.Nje pershkrim i kendshem,zhbirues,konkret dhe mjaft realist i terrenit,gje qe na ben te mundur te shohim qarte kete gjendje ku ne ndodhemi.Por kue lewxova per Surin e Kalter,apo per Saranden qe po ;mbytet;te them te drjeten sikur u pezmatova disi,pasi te kalpoish disa jave pushime me familjen ,te shetishes me femije te vegjel neper rruget e qytetit,qenka jo fort e kendshme,nejse e falenderojme autorin, si mik qe e kam per kete shkrim te kendshem qe na dha!