Nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 3 vendeve vakant, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Duke pasur në konsideruar natyrën e veçantë dhe rolin shumë të rëndësishëm te Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e kësaj trupe gjyqësore u fokusua rigorozisht vetëm në kandidatët me pikët më të larta sipas sistemit të pikëzimit.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës këto kandidatura:
Daniela Shirka
Miliana Muça
Bib Ndreca
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Pasi diskutimeve me shumicë votash anëtarët e KLD-së, vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ndue Gjura, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijoi me shqyrtimin e informacionit të ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me procedimet penale ndaj gjyqtarëve R.D. dhe P.A. Pas diskutimeve rreth statusit të këtyre gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të pezullojë nga detyra këto gjyqtarët R.D. dhe P.A, deri sa të merret një vendim gjyqësor i formës së prerë, për çështjen penale në ngarkim të tyre.
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 3 gjyqtarët e mëposhtëm:
Ariola Kristo, Rrethi Gjyqësor Korçë;
Flora Hasimi, Rrethi Gjyqësor Durrës;
Shpetim Reka, Rrethi Gjyqësor Durrës.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.