Tema Tv/ "Në çadra me mbi 500 persona. Na kapi një epidemi, që plasi nga mungesa e higjenës"- Rrëfimet e dy azilkërkuesve shqiptar në Gjermani

15 Korrik 2015, 12:31Sociale TEMA

Nga Nertila Dosti

Historitë e dy azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani përcjellin për Tema Tv situatën në kampet gjermane ku janë strehuar azilkërkues jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vende të tjera. Dy të rinj nga Fieri e Saranda rrëfejnë përvojën e tyre në kushtet e vështira në çadrat e vendsoura për emigrantët, ndërsa theksojnë se për shkak të higjenës së munguar ka plasur epidemia. Megjithatë ata janë të vendosur të mos kthehen në Shqipëri edhe pse mund t’iu refuzohet kërkesa për azil. Klevjan Mema  e Astrit Beta thanë se do të kërkojnë azil edhe në vende të tjera, nëse ata do të refuzohen nga shteti gjerman. Për Tema TV ata rrëfejnë kushtet e vështira në të cilat po jetojnë këto ditë të qëndrimit në kampet gjemane të azilkërkuesve.

Megjithëse po jetojnë në kushte shumë të vështira në kampet e Gjermanisë, azilkërkuesit shqiptarë nuk e kanë opsion kthimin në atdhe. Janë mbi 22.000 emigrantë shqiptarë që kanë aplikuar për statusin e azilantit në Gjermani.

Statistikat e Minsitrisë së Brendshme Gjermane i rendisin azilantët shqiptarët të dytët, pas sirianve .

Për muajin qershor rezulton se 5 932 shqiptarë kanë kërkuar azil . Dy të rinj që po jetojnë në çadrat e ngritura nga autoritet gjermane për azilkërkuesit rrëfejnë peripecitë që po kalojnë megjithatë ata shprehen se nuk do të kthehen në Shqipëri.

Në kamp kam qëndruar edhe dy javë pa u larë, u përhap një lloj sëmundje që u prekën edhe të tjerë…” kështu nis rrëfimi i 21-vjeçarit nga Fieri, i cili ashtu si mijëra shqiptarë “pushtuan” Gjermaninë për mundësi më të mira jetese. Klevjan Mema tregon se kushtet ekonomike e detyruan që të udhëtonte në Gjermani për të përfituar statusin e azilantit.

“Në Gjermani kam katër muaj që po jetoj. U largova për shkak të kushteve ekonomike. Ika me një grup shokësh, ku nga Shqipëria ika në Itali, më pas në Francë dhe nga Parisi në Gjermani.

Erdha për herë të parë në Frankfurt dhe shkova në një vend ku regjistroheshin azilantët dhe iu thashë kërkoj azil. Aty më morën dhe më regjistruan”, tregon Klevjani. 

Ai rrëfen se ka ndenjur  në çadër me 500 persona të tjerë, ku mungonte higjena dhe ku ushqimet që konsumonin ishin të konservuara.

Unë shkova në një kamp ku në një çadër rrinin bbi 500 veta  minimumi. Nuk ishte ambient i pastër, nuk jetoje dot në ato kushte.

Aty kishte shumë njerëz. Nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe nga vendet e tjera të botës. Ishim shumë keq, një krevat sa për të fjetur edhe asgjë tjetër. Ushqimet na i jepnin ata dhe nuk kishte shume cilësi, ishin të konservuara.  Për larjen nuk ka pasur kushte të mira. Kemi qëndruar edhe pa u larë dy javë maksimumi. U hap një si tip sëmundje në kamp dhe u sëmurën shumë njerëz nga kjo sëmundje”, tregon i riu nga Fieri.

Edhe pse statusi i azilantit i është refuzuar nga autoritetet gjermane, Klevjani thotë se ende nuk po e kthejnë në Shqipëri. Për të asistenca financiare prej 325 euro që ofron sheteti gjerman është e pamjaftueshme.

“Tani rri në një dhomë në një hotel. Kam një muaj e gjysmë që po rri këtu dhe  kam një leje qëndrimi 3 mujore.

Kushtet tani janë shumë mirë. Jemi 30 persona në hotel, por në një dhomë jemi 2 veta”. Na japin 325 euro por nuk na dalin ato lekë. Janë shumë pak për ne., tregon më tej 21 vjeçari.

Ai thotë se tani nuk merret me asgjë, por po pret për një leje pune.

“Tani nuk bëj asgjë. Vij vërdallë, presim për një leje pune se pa leje nuk punojmë dot. Jemi në pritje, nuk e di çfarë do ndodh. Kam dhënë një intervistë, por përgjigja ka dalë negative. Megjtihatë nuk na kanë kthyer akoma në Shqipëri. Besoj se do na mbajnë disa kohë, nuk do na kthejnë kaq shpejtë. Është e sigurt që do marrë një leje 6 mujore”, rrëfen Klevjani, i cili më tej thotë se  “shqiptarët janë detyruar të kthehen edhe nga kushtet, pasi  nuk janë njëlloj për të gjithë. Ka edhe kushte ekstreme që nuk jetohet. Një shoku im jetonte me serb dhe maqedonas, kushtet ishin shumë të këqija”, tregon ai.

Pak më optimiste duket situata për azilkërkuesin Astrit Beta, i cili ka lënë qytetin e tij bregdetar Sarandën për tu larguar drejt Gjermanisë bashkë me dy djemtë e tij dhe bashkëshorten.

38-vjeçari nuk duket i pakënaqur me kushtet që i ofron shteti gjerman pasi përfiton një shumë prej 1100 eurosh. Astrit Beta është në pritje të përgjigjes për statusin e azilantit dhe nëse ky status i refuzohet, ai thotë se gjtihsesi nuk do të kthehet në Shqipëri.

Në Shqipëri , nuk e di se çfarë do vendos. Nuk besoj se do kthehem, se do të kërkoj në ndonjë shtet tjetër azil për arsye shëndetësore, sepse dy pjesëtarë të familjes nuk i kam në gjendje shëndetsore të mirë. Pse të vij në Shqipëri kur nuk më japin një zgjidhje.Ekonomia familjare e imja ka mbaruar. Katër pjesëtarë në familje nuk janë të siguruar apo të punësuar.

Në Gjermani janë të drejta të barabarta për të gjithë. Është një shtet ligjor. Mesa kemi parë, të gjithë shqiptarët thonë se në Shqipëri jetojme se nuk vdesim dot. Gjermania është shtet me ligje.

Kushtet janë shumë të mira, na japin ndihma dhe asistencë. Unë marr 1100 euro në muaj, plus dhe ndihma të tjera si rroba dhe ushqime. Për të mbajtur familjen kushtet janë normale”, thotë Astriti, i cili e ka marrë vendimin që mos të kthehet më në Sarandë. 

Pak ditë më parë, në një intervistë për Tema Tv, Kreu i grupit parlamentar të CDU-së njëherësh edhe deputet i Bundestagut gjerman, sqaroi se çdo kërkesë e emigrantëve trajtohet individualisht. Kjo kërkesë shqyrtohet brenda një afati kohor makismalisht prej 3 muajsh dhe më pas merret vendimi fiton apo nuk fiton.

Ndërsa një javë më parë, kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi Tiranën dhe një ndër çështjet që ajo bisedoi me kryeministrin shqiptar ishte edhe ajo e azilkërkuesve. Merkel u shpreh qartë se Gjermania nuk pret azilkërkues, por vetëm forcë punëtore të specializuar nga Shqipëria. Megjithatë fluksi i azilkërkuesve shqiptar drejt Gjermanisë është në rritje.

2 komente në “Tema Tv/ “Në çadra me mbi 500 persona. Na kapi një epidemi, që plasi nga mungesa e higjenës”- Rrëfimet e dy azilkërkuesve shqiptar në Gjermani”

  1. ananananananannannanana says:

    Keshtu propagande bente regjimi dhe ne ’90. Permes mediave simotra sigurisht.

  2. HAJDUTI says:

    Albania…..kjo eshte jeta ottomane…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje