Partia Socialiste do të nisë analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit duke filluar që nga java e ardhshme. Asambletë në rrethe të PS, do të bëjnë një bilanc të arritjeve dhe dobësive të partisë më të madhe në pushtet, për t’i paraparirë kështu zgjedhjeve të brendshme dhe betejës së 2017-ës.
Mësohet se nga 20 Korriku, Asambletë në Rrethe të PS do të nisin procesin e punës referuar udhëzimeve të miratuara nga Asamblea kombëtare e kësaj partie.
Procesi i analizave pritet të përmbyllet brenda 30 Korrikut.
Të njëjtat burime thanë se fokus të veçantë do të kenë analizat e bashkive Shkodër, Lezhë, Pogradec dhe Përmet, zona, bashki në të cilat, PS humbi në zgjedhjet e 21 qershorit.
Analiza e Asambleve do te jetë edhe baza mbi të cilin do të nisin zgjedhjet brenda partisë në muajin shtator.
Vendimi i Asamblesë Kombëtare një ditë më parë, përcakton qartë periudhat zgjedhore brenda partisë.
Zgjedhjet në organizatat socialsite do të mbahen nga data 10 shtator deri në 10 nëntor, ndërsa zgjedhja e delegatëve të kongresit sipas parimit një anëtar një votë do të mbahen në 21 nëntor.
Ky proces, i paraprin, Kongresit Zgjedhor, që pritet të mbahet në muajin janar, nga ku do të dalin anëtarët e rinj të Asamblesë dhje do vulosen ndryshimet në statutin e partisë.