Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se koalicioni LDK-PDK është vetëm në dobi të Thaçit dhe Mustafës por jo në dobinë e qytetarëve.
Haradinaj tha se ata nuk janë të interesuar për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ngase nuk janë duke udhëhequr në interes të qytetarëve.
Këto komente Haradinaj i bëri në Pejë, ku Këshilli Drejtues i degës së AAK-së ka zgjedhur kryesinë e re të degës.
“Procesi zgjedhor dhe organizimi i degës së Pejës është shembull për funksionimin e partisë dhe në këtë kuadër edhe zgjedhja e Ali Berishës si sekretar organizativ është bërë me qëllim që këtë shembull që e kemi në organizimin e degës ta bartim në gjithë AAK-në”, tha Haradinaj në fjalën e tij.
Ai ka porositë anëtarët e Këshillit Drejtues të vazhdojnë të punojnë edhe më tepër ngase, sipas tij, AAK është forca që përfaqëson vlerat e vërteta dhe punon për interesin e qytetarëve të Kosovës.
Më pastaj u diskutua për kryesinë e re të degës së AAK-së në Pejë dhe kryetari i degës Muhamet Mala paraqiti listën e kryesisë e cila me shumicë votash u aprovua.