Intervistë e qershorit 1992, me Kujtim Sinon, avokatin e vëllëzërve Çuko

3 Shtator 2015, 11:33Dossier TEMA

Ky më shumë bashkëbisedim, i organizuar si një intervistë, është realizuar në qershor të vitit 1992, me avokatin Kujtim Sino, pak ditë pas varjes së vëllezërve Çuko, vrasësve të bujshëm të atij viti.. E realizova këtë intervistë pas shumë mundimesh, po edhe dyzimesh me veten çështë e drejta, sepse atmosfera publike ishte terrorizante. Nuk munda ta botoja dot në gazetën “Sindikalisti” që drejtoja vetë. Shefat më të lartë politikë, thanë: “mos na hap telashe, kemi halle të tjera”. “Telashe do na hapësh, po nami u bëftë!”, tha edhe Lutfi Dervishi që atëherë drejtonte gazetën “Republika”. Dhe e botoi. Opinioni akoma gumëzhinte i ndërsyer nga krimi monstruoz, pa e vrarë kush mendjen për cilësinë e drejtësisë që u dha për dy vëllezërit. Në të vërtetë, intervista pati jehonë për një kompleks arsyesh dhe jo vetëm se ishte gati tabu, të dëgjoje avokatin e dy vrasësve të pamëshirshëm, që shuan një famije të tërë. Ishte fillimi në gjithçka që përbënte demokracinë e panjohur për ne. Nuk di për çfarë arsye është rihapur përsëri diskutimi për atë ngjarje, por unë mëndova t’ia rekomandoj z. Mero Baze ribotimin e kësaj interviste. Jam i bindur se mesazhet e atëherëshëm të avokatit Kujtim Sino, rezultojnë jetëgjatë gjer në ditët e sodit, kur krimi i të gjitha llojeve po bën kërrdinë dhe drejtësia e vetësijshme për katandisjen, po i përjeton si komplimeta, cilësimet si për një kurvë pa din e pa iman!

ARBEN BLLACI

  I deruar avokat! Te biseda me ju, mbërrita pas një sërë mëdyshjesh dhe hezitimesh që e kanë burimin te kompleksiteti i problemit që do të diskutojmë. Do desha, me këtë rast, të di, ju vetë, a e kaluat këtë gjëndje mëdyshjeje,para se të merrnit përsipër mbrojtjen. Nëse po, mbi ç’motive pastaj, u deklaruat mbrojtës i kriminelëve të Libofshës?

– Gjendja e mëdyshjes dhe debatit me veten, përpara se të bëhesh personazh në ngjarje të përmasave të tilla, është mëse e natyrëshme. Padyshim që një gjendje të tillë, kalova edhe vetë. Madje edhe më me intensitet se ju. Por edhe me një avantazh më shumë, me avantazhin që më jep profesioni i avokatit. Mëdyshjen e bëra vendim kur u njoha me detajet e krimit gjatë procesit hetimor paraparak, kështu le ta quajmë, edhe pse gjithë koha e gjykimit të procesit, nuk e përmbushi harkun kohor të domosdoshëm për të qenë paraprak. Pas kësaj njohjeje pra, krjova bindjen se njeri nga kriminelët, pikerisht Josif Çuko, i përmbushte elementët për një mbrojtje me mundësi konkrete suksesi. Së dyti, gjatë karierës time të ndërprerë në kuadrin e heqjes kriminale të avokatisë, ishte rasti i parë i të tilla përmasave. Pra edhe më i përshtatshmi për të verifikuar veten dhe aftësitë e mia. Së treti, dhe më e rëndësishmja, si specialist, si njeri i ligjit, desha të verifikoj nga afër, se sa e vërtetë është klima, të paktën premise e saj, për krijimin e një shteti ligjor dhe më tej akoma, deri në ç’shkallë qëndron respekti ndaj ligjit, që sot shtrohet si domosdoshmëri nga shumëkush. Eshtë vendi të them, se respektin, korrektësinë dhe rigorozitetin ndaj ligjit, e dëshmojnë më saktë se kurrë, pikërisht rastet ekstreme si ai i Libofshës. Se sa të sakta i gjeta këto pandehma, gjatë procesit të njohur tashmë, nuk është e domosdoshme t’i shpreh me nje frazë të vetme,

Eshtë, siç duket, momenti që ju të riprodhoni edhe një herë detaje që ndoshta ju zgjojnë përjetime të pakëndshme. Do ishte në interes, jo thjesht të stimulimit të një sensasioni për publikun, por në funksion të qëllimit të bisedës, të na riprodhoni diçka nga ngjarja.

– Edhe pse në një vështrim të përciptë, mund të duket paradoksale, në të vërtetë ditët e punës me ta, përbëjnë vërtet përjetime të pakëndshme dhe komplekse njëherësh. Për të qenë i kursyer në intepretime, secili duhet të ketë parasysh se pavarësisht nga vepra që kryen dhe tmerri që mbollën, ata ishin njerëz. Ky është kusht themelor, që përligj edhe mbrojtjen e tyre. I ndodhur fare pranë botës dhe shpirtit të tyre në kaos, si i vetmi mbrojtës ligjor, njeriu, dhe unë e provova këtë, e gjen veten rob të sentimenteve që, në fund të fundit, i ka në natyrë. Po nuk harroja për asnjë çast, që ishin edhe kriminelë. Përballë këtyre alternativave, mbrojtja ime, më shumë se te subjektet, synonte te kontributi për respektimin dhe mbrojtjen e ligjit, paanësinë e tij. Në fund të fundit, kontribut për ndriçimin e fizionomisë së drejtësisë, deri dje, të deformuar nga pasqyra e diktaturës.

Fare shkurt, ngjarja është kjo. Për të bërë atë që tani dihet, inisiatori Ditbardh Çuko, vëllai i vogël, kërkon edhe ndihmën e Josifit, vëllait të madh. Ky e kundërshton, veç të tjerash, edhe pse së shpejti kishte në plan të ikte në Greqi. Kundërshtimi i tij vazhdoi edhe ditën e krimit, deri edhe para mureve të shtëpisë ku hynë. Më në fund, Ditbardhi e kërcënon se në mos pranoftë, ka për ta nisur punën duke vrarë Josifin vetë. Në të tilla kushte, Josifi detyrohet të pranojë dhe së bashku hynë për të bërë zhdukjen e tmerrshme të një familjeje të tërë. Kjo dihet tani nga të gjithë. Ajo që nuk dihet nga të gjithë e që i dha shkas edhe mbrojtjes sime, është fakti se Josif Çuko ka dhënë vetëm një goditje me muqe të sopatës, me qëllim që ta trulloste dhe jot a vriste viktimën. Vdekja është shkaktuar pastaj nga një sërë goditjesh dhënë nga Ditbardhi, vrasës edhe i viktimave të tjera, krejtësisht i ndërgjegjshëm për krimin. Pas kësaj, pa bërë ndonjë bastisje të veçantë, largohen nga vendi i krimit, duke marrë një valixhe thuajse bosh. Josifi niset për në Greqi, siç kishte planin, kurse Ditbardhi jo. Ky që në momentin e parë të arrestimit, pranon pa asnjë hezitim vrasjen e pesë personave. Përfundimisht, vrasës u cilësuan të dy vëllezërit Çuko. Vrasës, po jo me shkallë të njëjtë faji. Kjo u vërtetua në seancat gjyqsore, po edhe nga reagimi sallës, si gjatë seancave, ashtu edhe në kohën e dhënies së dëminit. Nëse litari i Ditbardhit u prit me duartrokitje, xhest me të cilin unë nuk pajtohem, litari i Josifit nuk u prit me frenetizëm. Kam bindjen e palëkundur se, nëse litari i Ditbardhit, i gjykuar në kushte laboratorike ishte i përligjur, përkundrazi, dënimi i Josifit po me litar, ishte i padrejtë. Për të qenë i sinqertë, duhet të them se edhe njëzetë e pesë vjet burg, për të do të ishin shumë. Këto që them, u provuan qartë në gjyq, edhe pse për fat të keq, nuk u përfillën nga asnjëra prej gjykatave të dy niveleve.

Avokat, pak më sipër theksuat fjalët “në kushte laboratorike”. Si ta kuptojmë këtë shprehje, si rezevë tuajën për procesin gjyqsor, apo si shkas për të plotësuar diçka në kuadrin e pyetjes time?

– Të dyja së bashku. Thashë në kushte laboratorike, duke nënkuptuar rastin nëse gjyqi do ishte bërë pasi të ishin konsumuar besnikërisht  dhe me seriozitet, procedurat e tjera. Eshtë indinjues, s’ka shoqe, shpejtësia me të cilin u zhvillua ky gjyq. Observacioni i mjekëve psikiatër, absolutisht i domosdoshëm në raste të tilla, zgjati vetëm gjysëm ore në kushtet e dhomave të izolimit, qeli dhe me pyetje prej fëmijësh. Kjo është një shkelje e rëndë e procedurës ligjore, e domosdoshme dhe e detyrueshme per t’u zbatuar. Praktika botërore tregon se për raste analoge, ligji është tepër ekzigjent. Mund të përmend si shembull, rastin e atentatit ndaj ish presidentit amerikan Regan. Atentatori u mbajt afro një vit nën observacionin e rreptë të mjekëve specialistë dhe në fund rezultoi i papërgjegjshëm. E pra, Regani ishte as më shumë sa më pak, po vetë presidenti i SHBA… Të kuptohemi drejt, ajo që synoj të them, nuk është në rastin tone, inisitimi për një papërgjegjshmëri të stimuluar, por insisitmi për zbatimin korrekt të ligjit. Dhe ishte i domosdoshëm. Pse? Sepse në trungun familjar të fajtorëve, ka pasur tre të sëmurë psiqikë, njëri madje, ka vdekur në çmendinë. Më tej, Ditbardhi ka manifestuar edhe më parë simptoma çrregullimi mendor. E quante psh., normale që te koka metalike e krevatit ku flinte babai i tij, të mprihte thikën. Në takimin e parë që pata me të, më bëri përshtypje gjakftohtësia e tij krejt e rrallë dhe e pazakontë, për një njeri normal në ato rethana.

– Ç’do bëhet me ne? – më pyeti pasi e takova dhe i thashë se isha mbrojtësi i tyre.

– Në litar, Ditbardh! – iu përgjigja thatë, me qëllim që ta pergatitja psikologjikisht për të shmangur ndonje spektakël të pakëndshëm gjatë gjyqit.

– A qajnë njerëzit në litar? – vijoi pyetja.

– Edhe qajnë, – i thashë – po ka edhe nga ata që e rrëzojnë stolin vetë…

– Edhe unë vetë do ta rrëzoj! – m’u përgjigj i qetë.

Tip krejt tjetër ishte Josifi. Pa numëruar hezitimin e tij të përsëritur për të marrë pjesë në krim, duhet të them se ishte njeri që kujdesej për prindërit, i donte ata. Në takimin me të, u hodh e, duke qarë, më puthi duart duke m’u lutur të bëja çështë e mundur për jetën e tij, sepse nuk ishte vrasës. Pra, nga një krahasim, qoftë edhe i përciptë, edhe pse vëllezër, edhe pse pjesmarrës në të njëjtin krim, nuk ishin njëlloj natyra kriminale. Këtë diferencim trupi gjykues duhej ta kishte bërë, që të bënte pastaj saktë, edhe diferencimin e dënimit. Jam i bindur se qafa e Josifit, ishte tepër e brishtë për litarin. Edhe një fakt tjetër ma përforcon këtë binjde; pas lënies në fuqi të vendimit për varje, edhe nga Gjykata e Kasacionit, babai i tyre, më thotë aty në sallë; “As Josifin nuk ma falën?!” Më duket se një dhëmbshuri e tillë, më shumë se një ndjenjë prindërore, e shenjtë edhe ashtu, ishte një ndërgjegjësim sublim se Josifi njeri, po edhe bir i tij, nuk meritonte të varej. Për fat të keq, asnjë nga këto rethana nuk u mor parasysh. Për fat të keq, peshorja e drejtësisë qëlloi difektoze, për fat të keq, dhe kjo është një absurditet, trupi gjykues i dy niveleve, dënim quajti vetëm litarin dhe harroi që dënim ështe edhe pushkatimi, edhe dënimi me njëzetë e pesë vjet burg, plotësisht i merituar për Josifin.

Po vë re se gjatë bisedës, ju asqë po i referoheni sensibilitetit të opininot të gjerë, lidhur me këtë ngjarje. Harruat edhe interpretimin që i bëri televizioni me “opinionet” e tij. Si e konsideroni këtë veprim, a ndihmoi në drejtësinë e vendimit të dhënë?

– Absolutisht jo! Me shumë sukses, bëri të kundërtën. Veprimi i televizionit lidhur me këtë ngjarje, është i dënueshëm nga kushdo që njeh sado pak ligjet. Më duket se nuk është thjesht dilentantizëm një veprim si ai, pa precedent në praktikën botërore. Të paktën të asaj pjese të botës që na është dhënë mundësia të njohim. Pikërisht televizionizimi i çështjes, ndikoi në gjakxehtësinë e trupit gjykues dhe çdo vendim i marrë më gjaknxehtësi e sipër, është zakonisht i padrejtë. Kështu thotë një maksimë e vjetër e profesionit tonë. Nuk dua ta absolutizoj, po në rastin që po diskutojmë, është vendi të thuhet, sepse sensibilizimi, edhe televiziv, i trupit gjykues, ndikoi në maksimizimin e subjektivizimit të dhënies së dënimit. Për sa kohë çështja nuk ishte futur në kanalet e gjykimit, televizioni duhej të bënte vetëm një njoftim, qoftë edhe të detajuar, pa hyrë kursesi emocionalisht, në të drejtat e instancave të specializuara dhe kompetente. Në gjyq gjykon gjykatësi, ligji, sovraniteti i tij dhe jo opinioni. Nëse do lihej gjithçka në dorë të opininit, athere ç’kuptim dhe ç’funksion do të kishte gjithë kjo makinë që quhet Drejtësi? Jam i ndërgjegjshëm edhe për një elemet tjetër që ndikoi direkt dhe fort, në këtë proces; domosdoshmëria e rivendosjes së rendit krjetësisht të rrënuar. Ai gjyq iu server opnionit më tepër si efekt, se sa si zbatim serioz ligjishmërie. Po efekti krijon vetëm iluzione jetëshkurtëra, jo bindje. Bindjet i krijon repsktimi me fanatizëm i ligjit, jo spekllimi me të. Them spekullimi, se edhe gjatë ekzekutimit, nuk janë zbatuar rregullat përkatëse. Profesionistë sadistë, pa pasur asnjë shkas nga ligji, kanë kënaqur instiktet e tyre të ulëta. Qarkullojnë fjalë për t’u besuar, se para se t’i varnin të dënuarit, u janë bërë injeksione për forcim zemre dhe litari nuk iu është vënë drejt e në fyt, me qëllim që të zgjatej vuajtja dhe agonia e tyre. Aspak njerëzor nuk ështe edhe ekspozimi i kufomave për tetëmbëdhjetë orë rresht në sheshin kryesor të Fierit. Pa përmendur pastaj flagrancën e enigmës së zhdukjes së kufomave që s’dihet ku janë. Tek unë vijnë prindërit e të varurve dhe më luten t’i ndihmoj për të gjetur kofomat e fëmijëve të tyre. Mbi ç’bazë ligjore veprohet kështu, sot, në demokraci? Vërtet po diskutojmë për një ngjarje që u mbyll, po kush na siguron që një tjetër e ngjashme, nuk do të ndodhë dhe nuk do të veprohet po kështu?! Më duket se gjithë këto shkelje të procedurës, i stimuloi edhe ndiki i emocionit mbi ftohtësinë e ligjit, porosia nga poshtë, opinion i ndërkryer në rastin tonë, që zëvëndësoi porosinë e dikurshme nga lart. Sistematizimi i këtyre dukurive aligjore, është as më shumë as më pak, por eksploziv në themelet e shtetit juridik.

Dihet tashmë, që vendimi me varje, u konfirmua edhe nga Presidenti i republikës. A patët ndonjë iluzion, se ai diçka mund të ndryshonte nga vendimi i gjykatave?

– Të them të drejten, pata. Ajo që ushqeu iluzion tek unë, ishte procedura fatalisht e shpejtuar dhe për pasojë, edhe e gabuar, me të cilën u veprua në këtë proces. Po kështu edhe ekzaminimi qesharak psikik, aq i domosdoshëm e përcaktues, në krime të kësaj natyre. Sikur të pyetesha unë, nuk do të nguroja të merrja edhe psikiatër të huaj. Asnjë harxhim valute, sado i konsiderueshëm qoftë, nuk e kopmenson dot krijimin e bindjes së njerëzve në drejtësinë e ligjit, të besimit në të.  Ky është themeli i shtetit ku sundon ligji. Po edhe Presidenti nuk ndryshoi gjë. Nuk e di a kërkoi hollësi proceduriale, por si mjek nga profesioni, të paktën te ekzaminimi psikik duhej të ishte ndalur.

I nderuar avokat! Si spjegohet që e përmendni kaq shpesh fjalën Ligj? Edhe diçka tjetër, tani që po mbaron biseda jonë,  fillon njëherësh gjyqi i opinionit për temën delikate të saj. A mendoni se të paktën këtë gjyq, do ta fitojmë?

– Patjetër. Prova e parë që dëshmon për këtë, është pikërisht vëmendja juaj për përdorimin e shpeshtë të fjalës ligj nga unë. Ju siguroj juve dhe opinionin, se shkas i mbrojtjes time, ishte pikërisht respektimi dhe nderimi ndaj ligjit. Kemi edhe një provë tjetër të pakundërshtueshme; në përfundimin e gjyqit të Fierit, nëna e pesë viktimave, e vetmja që shpëtoi gjallë, afrohet, më jep dorën dhe më thotë:

– Të lumtë bir, sot e mora vesh se ç’është drejtësia dhe ligji.

Dhe ishte nëna e një familjeje të zhdukur në pak minuta, mu në shtëpi të saj… Edhe pse nuk fitoi alternative ime, unë atë gjyq kursesi nuk e quaj të humbur. Mesazhi që vjen prej mbrojtjes është shumë domethënës. Në fund të fundit, gjyqi, mbrojtja, nuk janë për kafshën, po për kriminelin, megjithatë njeri. Në fund të fundit, gjithë aparati i gjykimit, s’është gjë tjetër, veçse mishërimi i humnaizimit dhe mëshirës, edhe në rethanat më ekstreme. Sa më i madh të jetë humanzimi, mëshira e njeriut, për shëmbëlltyrën e tij të denatyruar nga inkriminimi, aq më e lartë është shkalla e civilizimit dhe emancipimit të një shoqërie. Pa pasur parasysh nënshtrimin ndaj këtij ligji universal, biseda jonë do të ishte krejt e pakuptimtë.

5 komente në “Intervistë e qershorit 1992, me Kujtim Sinon, avokatin e vëllëzërve Çuko”

  1. Polic i thjeshte says:

    Ne SHBA nese shohin nje iriq ne rruge te cilin e ka shtypur makina njerezit heqin kemben nga pedalja e gazit dhe e shoqerojne me nje veshtrim viktimen, nese shohin nje avokat qe e ka shtypur makina…. i japin gaz me teper dhe nese ndonjeri qe ka mundesi ia kalon edhe rroten e tij siper!!

  2. Artan from Montreal says:

    Gazetar legen !
    Si mundesh te harxhosh kaq shume boje e leter ne perpjekje per te kuptuar se valle a qe i drejte vendimi i ekzekutimit te dy vellezerve krimi i te cileve eshte i dokumentuar nga policia, dhe i pranuar prej tyre ???
    Po behen 25 vite qe kur gazetaria ka rene ne dore te katundareve qe shkruajne lloj lloj pacavuresh pa asnje kod moral apo etik. Qe prej 1992 kur ndodhi kjo vrasje e deri me sot mediat me shume shkruajne per vellezerit Cuko se sa per viktimat. Mos harrojme qe keta dy vellezer monstra zhduken nje familje te tere perfshi dhe nje foshnje dhe per kete vendimi per ekzekutim te tyre ishte minimumi i mundshem. Uroj qe shpirtrat e ketyre dy monstrave te jene duke u perzhitur ne flaket e ferrit e kurre te mos gjejne qetesi. Paqja qofte per shpirtrat e viktimave te tyre.

  3. lefter says:

    Avokati nuk mbron per humanizem, por per leke se s’ka se si te jeshe human me njerez qe bejne vrasje makabre, te qellimshme. Pse nuk je human per ate qe iken, por per ate qe eshte gjalle? Se ai nuk flet me dot? Apo i gjalli me te gjallin dhe i vdekuri me te vdekurin, zoti avokat? Mbrojtja e krimineleve qe bejne vrasje te qellimshme eshte antihumane dhe stimulon vrasje te tjera, po ashtu dhe mos respektimi i te drejtes te te vdekurit duke mos denuar me vdekje te gjallin. Kush vret me qellim, duhet te vritet. Ligji duhet te ishte i shkurter dhe i prere, ne dashe te jeshe i çmendur, ne dash i mençur. Kjo s’ka rendesi se pastaj do ngrihen te gjithe te çmendurit te na vrasin apo do paguhen me leke se ata nuk denohen. Po ç’jane keto marrezira e interpretime naive te shoqerise sotme! Dhe shikoni rezultatin: vrasje pambarim. Apo u pelqen shtetareve dhe politikes!

    1. rex -et says:

      ku eshte Kujtimi tashti,mund te me thote dikush.Kam punuar me te..

  4. Mua me terhoqi vemendjen fakti qe kufomat nuk jane gjetur.E cuditshme ne ate vit qe eshte dhene denimi cdo dite ne shtyp denoheshin bemat e diktatures,viktimat e saj dhe mos gjetja e eshtrave te tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje