Shqipëri hesapi

27 Shtator 2015, 18:54Blog TEMA

Nga Ilir Kalemaj

“Lopën e tharë nuk mund ta mjelësh se të hedh vickla” thotë një shprehje popullore dhe autori anonim si gjithnjë gjen fraza pikante për të përshkruar përmbledhtazi tharmin e një politike me kokën ndër re që nuk merr parasysh si jetojnë njerëzia aty rrëzë Olimpit, ku rrufetë e Zotave pushtet-mbajtës mund ti zënë nga çasti në çast. Nëreality show-n shqiptar ku “vëllai i madh” mundohet tashmë(më shumë me pahir se me hir) qëmos t`’i shmanget dorës së rëndë të ligjit dhe të lëshojë fatura edhe ai tregtari ambulant te qoshka e pallatit, edhe avokati që nis një proces sot dhe mund ta bitisë pas një viti, çdo gjëështe e mundur. Tashmë edhe biznesi i vogël do ti nënshtrohet detyrimeve ligjore për të pasur bilance kontabël, për librat e shitjes dhe të blerjeve, të raportojnë të ardhurat, plus deklarimet e sakta të punonjësve për të cilat derdh detyrimet dhe të vazhdojnë të paguajë taksat vjetore fikse natyrisht. Kjo si rrjedhojë do të sjellë dhe punësimin e një kontabilisti apo financieri shtesë edhe për këto biznese. Aferim! Po hapen vende pune do të thoshte ndonjë optimist. Natyrisht, por laku në fytin e biznesit të vogël që po vuan vetëm “shkopinjtë” mbi kurrizin e drobitur pa “karrotat” incentivuese, nuk mund të jetë një zgjidhje afatgjatë.

Shteti kërkon dorë të fortë dhe boll kanë shirë këta pizevengë evazorë- do të shprehej ndoshta dikush me sens të fortë detyre dhe përgjegjësie qytetare. Por ndoshta duhet filluar nga “elefantët” e biznesit të madh dhe evazionistët megalomanë, sesa nga “hyzmeqarët” e bizneseve familjare që rreken të mbajnë frymën gjallë dhe janë fundosur edhe nga listat e borxhlinjve që janë të detyruar t`ua pranojnë vonesat dhe harresat, hem nga malli dhe hem nga halli.Pushtetit i ka ardhur në majë të hundës me gropën fiskale dhe me 150 milionë eurot e firuara që bën të rishikohet me ulje buxheti. Paratë duhet të dalin patjetër me hak a me dajak, se ky qerrata popull nuk nxë me të mirë. Ejvallah efendi qeveritar! Jeta në El Doradon albaneze ka përfunduar dhe vidat e plotfuqishmërisë kanë ardhur duke u shtrënguar. Nuk ka më livadhisje tani. Njerëzia të mbledh mend e kresë dhe ti bindet sovranit që e ri-votoi me mbi një milionë shuplaka, të ulë kokën dhe ti vërë veshin fermaneve që lëshon dhe të paguajë taksat një më një pa kërkuar llogari se ku shkojnë, si përdoren dhe me çfarë transparence.

Nga ana tjetër qytetar-mavrisë i duhet të përballet me dhjetra gjoba që mund të vijnë në formë kamat-vonesash apo gjoba arbitrare të cilat ti as nuk e di se ku dhe për çfarë i ka marrë mjeti që ti nget. Larg qoftë të ta marrë karrotreci kur ke ndaluar për disa minuta në qendrën pa vend-parkime (unike e llojit të vet në botë) dhe kalvari i marrjes mbrapa të mjetit do të të kushtojë të paktën një ditë punë, një të katërtën e rrogës mujore si buxhetor dhe dobësim të nervave që ilaçet e skaduara nuk u bëjnë dot derman. Madje këto të fundit jo vetëm po e sakatojnë xhepin dhe shëndetin e njerëzisë, por edhe nga lista e rimbursimeve janë hequr me kohë dhe vakt.

Mos të rëntë derti të sëmuresh në këtë vend se nga prognoza e gabuar nga mjekë të paaftë apo rryshfetxhinj deri të ata makutër që të vizitojnë te spitalet publike në mëngjez dhe të mjekojnë te klinikat e tyre private në aksham ta leqendisin durimin dhe portofolin në atë derexhe sa bëhesh për t`ia hequr vetes. Për mos të folur për rekomandimet te farmacitë përballë spitaleve edhe për ilaçet më bazike qëçuditërisht mungojnë nga spitalet e shëndetësisë falas (premtim elektoral), për të përfituar me dy grushtet ata që i kanë lidhur fijet mirë me pusht-etarin e radhës dhe i heqin skalpin e kokës qytetarit-pensionist apo katunarit të skamur në emër të një barazie groteske që i lë të gjithë të pakënaqur.

Por ja së fundmi duket se ka dritë në fund të tunelit ku mendon se do të nisë të ç’kriminalizohet politika, duke filluar nga “shtëpia e baballarëve të kombit” e duke mbaruar te vetë drejtësia e korporatës milionere, dy profesionet-ëndërr të të rinjve të papunë dhe adoleshentëve të rrëmbyer, bashkë me atë të këngëtarit-tallava dhe turbo-folkut oriental përshtatur sipas midesë ballkanike. Jo rastësisht këto profesione ushqejnëëndrrën e një nate vere, të të bërit zengjin pa pikë djerse, ku të qenurit rrufjan i shkathët zëvendëson çdolloj talenti dhe vlere a priori. Me të tillë modele dhe të tillë shkallë deformimi të sistemit vleror dhe të sistemit politik, me mungesë të qarkullimit të elitave dhe demokraci të cunguar dhe me të tillë shtrembërim të thelbit të shtetit të së drejtës, gjasat për një mjedis ku të favorizohej rritja ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe shpërndarja e drejtë e të ardhurave, bëhen gjithnjë dhe më të pakapshme, ngjashëm me premtimet elektorale të kandidatëve-fluturonjës në prag-fushatash, si ato që kemi parë dhe si ato që do të vijnë.

 

2 komente në “Shqipëri hesapi”

  1. ladi says:

    Gjithcka e thene mjaft sakte dhe eshte po aq e vertete.., por po kaq e vertete eshte se edhe ti i dashur autor i ketij shkrimi, je pjese e kesaj tallavaje te shemtuar, madje nga ata qe e ngjyejne dhe e perzjejne ate..

  2. tahipi says:

    je pjes e corona unita rreth corovodes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje