Bashar Al-Asad dhe loja fundore e djallit

30 Shtator 2015, 10:39Bota TEMA

A do të funksionojë realisht plani ogurzi i diktatorit sirian për të fituar mbi Amerikën dhe Rusinë?

 Nga Dominic Tierney

“The Atlantic”

Shteti Islamik po vret dhe skllavëron mijëra njerëz në Siri dhe Irak. Rusia ka dërguar dhjetëra avionë, për të mbështetur regjimin e Damaskut. Turmat njerëzish kanë mësyrë në Evropë. Në syrin e ciklonit, Bashar Al-Asadi po ndjek një strategji cinike, brutale, dhe të rrezikshme për të qëndruar në pushtet.

Mesa duket, plani i tij ka për synim të ndihmojë rritjen e ISIS-it, në zbatim të asaj taktike që unë e quaj loja e djallit. Logjika është e thjeshtë dhe i pamëshirshme:radikalizimi i opozitës në atë nivel, që diktatori sirian të ngjajë si e keqa më e vogël para publikut vendas dhe të huaj.

Në këtë rast, Asadi përfiton nga natyra në thelb polarizuese e luftës civile, si një cikël vrasjesh dhe hakmarrjesh që i shtyn të gjitha palët në ekstreme. Presidenti sirian ka nxitur më tej radikalizmin, duke i përqendruar sulmet e tij ushtarake mbi armiqtë e moderuar, ndërsa thuhet se ka liruar xhihadistët nga burgu dhe po ble naftë nga ISIS-i.

Gjatë muajve të fundit, ushtria siriane dyshohet se po i përdor sulmet ajrore për të ndihmuar avancimin e ISIS-it drejt qytetit të Alepos. Khaled Khoja, një udhëheqës i opozitës siriane, deklaroi se avionët luftarakë Asadit janë duke vepruar si “një forcë ajrore për ISIS-in”. Me shtimin e fraksioneve, qendra s’mund të rezistojë. Në vitin 2011, ushtria relativisht e moderuar për Sirinë e Lirë, dukej një kandidate e besueshme për të udhëhequr rezistencën kundër Asadit.

Tani fraksionet kryesore rebele përfshijnë ISIS-in, Frontin Islamik dhe Frontin Al-Nusra, që është i lidhur me Al-Kaedën. Përpjekja e Shteteve të Bashkuara për të trajnuar një forcë të moderuar siriane, është dëshmuar si një pretendim i mjerë dhe donkishotesk. Pas 10 muajsh dhe miliona dollarëve të harxhuar, SHBA-ja krijoi një ushtri rebele me 5 të fortë. Jo 5.000 të fortë, apo 5 përqind të opozitës. Por fjalë për fjalë, për 5 djem që ishin përgatitur në mënyrë të mjaftueshme për të drejtuar një operacion ushtarak.

Tirani dhe terroristët kanë një marrëdhënie simbiotike. Ndërsa ISIS-i është në parim kundër regjimit laik, fokusi i tij është tek ndërtimi e Kalifati, dhe jo të heqë qafe Asadin. Ndërkohë, përparimi i ISIS-it në Irak në vitin 2014 ,ishte një dhuratë nga Perëndia për regjimin sirian.

Kryengritësit u larguan nga Damasku. Ndërsa pushtimi nga ana e xhihadistëve i qytetit të Mosulit, dhe pjesës dërrmuese të provinces së Anbarit, e tmerroi Perëndimin. Një Barak Obama hezitues, s’mund të pranonte rënien e Bagdadit, ndaj dhe autorizoi sulme të gjera ajrore kundër ISIS-it.

Si për vendet perëndimore, ashtu edhe për alevitët e Asadit në Siri, zgjedhja është e zymtë:mes djallit që e njohim apo një grupi demonësh grabitqare. Nëse Asadi rrëzohet, përfituesit kryesorë do të jenë forcat e shumta islamike, të cila po i bombardon aktualisht SHBA-ja. Nëse duhet të rikujtohen rreziqet që vijnë nga rrëzimi i një diktatori, zyrtarët amerikanë duhet vetëm të shikojnë se ç’ndodhi në Libi, ku përmbysja e Muamar Gedafit në vitin 2011 çoi në anarki.

Asadi është kandidati i destinuar:Nuk ka alternativë. Atëherë, lëvizja e parë djallit, duket se ka pasur sukses. Administrata Obama ka hequr dorë kohët e fundit nga insistimi, se Asadi duhet të largohet nga pushteti, ndërsa ka sinjalizuar se diktatori mund të qëndrojë në pushtet për një periudhë kalimtare, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Por fjala kyçe këtu është “duket”. Ngjashëm me paktin mes nazistëve dhe sovjetikëve në vitin 1939, partnerët në “vallen” siriane të vdekjes do të therin njëri-tjetrin në momentin më të përshtatshëm.

Mesa shihet fundloja e Asadit, synon të spastrojë fushën nga cilido grup relativisht i moderuar, rreth të cilit sirianët dhe komuniteti ndërkombëtar mund të bëhen bashkë, dhe ndërtojnë më pas një koalicion për të mposhtur ISIS-in. Ai do të trashëgojë një djerrinë shkretinore, por mbetet gjithësesi një trashëgimi.

Megjithatë në përpjekje drejt këtij qëllimi, Asadi po përballet me një problem serioz.

Lëvizja e tij e fundit, mund të ketë funksionuar në kryeqytetet perëndimore, por ai po humb shumë forca në vend. Regjimi ka pësuar një sërë humbjesh që e kanë detyruar të tërhiqet pas, duke humbur mijëra ushtarë dhe duke u prapsuar sërish në vende strategjike si Damasku. Sipas një llogaritjeje, Asadi aktualisht kontrollon vetëm rreth një të pestën e Sirisë:një rrip të ngushtë territori përgjatë skajit perëndimor të vendit.

Pozicioni i përkeqësuar i presidentit sirian, ka bërë që padronia e tij fuqimadhe, Rusia, të shtrojë pyetjen nëse diktatori vijon që të mbetet ende një bast afatgjatë. Kremlini ka lëvizur asete të rëndësishme ushtarake, për të ndihmuar regjimin e Asadit dhe të dielën e shkuar njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshje me Sirinë, Iranin, Irakun dhe për të ndarë informacionet e shërbimeve inteligjente në luftën kundër ISIS.

Vetëm disa ditë më parë, Vladimir Putini tha:”Qëllimi ynë kryesor është të mbrojmë shtetin sirian”. Por, vini re:ai nuk tha se do të mbrojë personalisht Asadin. Tek e fundit, diktatori sirian është thjesht një mjet drejt një qëllimi:mbrojtja e interesave të Moskës në vend dhe në rajon, duke përfshirë bazën e saj detare në Tartus, struktura e vetme ushtarake ruse jashtë ish-Bashkimit Sovjetik.

Sikurse komentoi në gusht Fjodor Lukjanov, këshilltar i politikës së jashtme të Kremlinit “Rusia ende beson se Asadi duhet të qëndrojë në pushtet, por nuk mund të injorojë faktin se situata e përgjithshme po ndryshon, dhe se pozita strategjike e Sirisë, është shumë më keq tani se më pare”.

Këto dy dinamika kyçe- radikalizimi i opozitës dhe lufta e ushtrisë siriane – kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë më pranë një marrëveshje, ku Asadi do të luajë një rol tranzicional, nën një regjim të ri. Qeveria e reformuar siriane do të përbëhet nga opozitarë të moderuar, që më pas në bashkëpunim me Perëndimin dhe lojtarët rajonalë do të drejtojnë zjarrin kundër ekstremistëve islamikë.

Ky rezultat i ngjan shumë fundlojës së preferuar të Asadit:Damasku kundër barbarëve. Çështja kryesore, është nëse vetë Asadi do të qëndrojë në krye. Gjithçka gjitha varet nga përkufizimi i termit “tranzitor” dhe gatishmëria e qeverive ruse dhe iraniane, për të mbështetur maksimalisht Asadin. Si një të mbijetuar i pamëshirshëm, Asadi mund të dashurojë shanset e tij për të qenë përherë një president i përkohshëm. Ai mund të ofrojë edhe dorëheqjen, sapo terrorizmi në Lindjen e Mesme të jetë mposhtur.

Shënim: Donimic Tierney është bashkëpunëtor i “The Atlantic” dhe një profesor i asociuar i shkencave politike në Sëarthmore College. Libri i tij i fundit është “Rruga e duhur për të humbur një luftë: Amerika në epokën e konflikteve të pamundura për t’u fituar

Përkthimi: Bota.al

3 komente në “Bashar Al-Asad dhe loja fundore e djallit”

  1. inter says:

    Nuk Mund te lejosh te shkatarohet nje shtet per nje Asad .Mbas clirimit te Sirise ta vendosi populli me Vögte.

  2. Lame Kodra says:

    Nje analize irealiste.
    Sot, problem eshte ISIS dhe jo Asad.
    Asad eshte e keqja me e vogel.
    E keqja planetare eshte ISIS.
    Me 1941 bota e dinte qe Stalini ishte diktator.
    Por,megjitahte aleanca mes B.S USA dhe Anglise u be dhe mposhti bishen nazi-fashiste.
    Sot, me 2015 bota e di de Asad eshte diktator.
    Por, Rusia,Amerika,Anglia e France duhet te behen bashke per te shfarrosur murtajen ISIS.
    Kjo eshte zgjidhja ….te tjerat jane llafe qe do marrin ne qafe boten mbare!

  3. Kol Tivari says:

    Kam një pyetje “të thjeshtë”, për këta “megafonët”(si Dominic Tierney)e Amerikës dhe Evropës: Refugjatët sirianë, nga ç’krahina të Sirisë janë, nga krahinat që qeverisen nga Assad, apo nga ato që ka pushtuar ISIS…???!!! (Ku ISIS, në shumë raste trajtohet si aleat i Perëndimit, kundër “kasapit” Assad-gjë që pak a shumë bëhet dhe në shkrimin e mësipërm…) Dhe diçka akoma, ato armët kimike që u përdorën kundër popullsisë civile në Siri, për të cilat u bë shumë bujë, nuk na thanë përfundimisht, kush i përdori…???!!! Apo ishin dhe ato si “armët nukleare” të Sadam Hyssein-it…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje