Avokati i Popullit, Igli Totozani ka kërkuar që të miratohet Statusi i Moshës së Tretë, me qëllim garantimin e të drejtave për të moshuarit. Në një konferencë për shtyp në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve Totozani ka kërkuar më shumë vëmendje ndaj tyre. Totozani ka kërkuar miratimin e Statusit të moshës së tretë që sipas tij do të garantojë të drejtat e të moshuarve si dhe përcaktimin e minimumit jetik në Shqipëri.
“Që në nisje të mandatit tim si Avokat Populli dhe deri tani, respektimi dhe garantimi i të drejtave për të moshuarit, trajtimi i shqetësimeve dhe problemeve të tyre, kanë qenë prioritet i punës sime dhe stafit të institucionit që drejtoj. Kemi instistuar në vazhdimësi për hartimin e një ligji të posaçëm në favor të të Moshuarve – duke e konsideruar këtë, si një mekanizëm për ndryshim dhe përmirësim të cilësisë së jetës së tyre. Përmes rekomandimeve të njëpasnjëshme kemi kërkuar miratimin e Statusit të Moshës së Tretë, me qëllim garantimin e të drejtave për të moshuarit. E kemi nisur trajtimin e kësaj çështje që në vitin 2012. Në muajin Shkurt 2015, rekomanduam miratimin e projektligjit “Për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe plotësimit të nevojave për moshën e tretë”. Por aktualisht të drejtat e të moshuarve është parashikuar të përfshihen specifikisht në disa akte ligjore dhe nënligjore. Duke gjykuar se të moshuarit duhet të kenë një ligj të tyre specifik, kemi përsëritur rekomandimin më datë 21 Shtator 2015 dhe po presim përgjigje”, tha Totozani
Më tej ai tha se duhet të bëhet më shumë në qendrat rezidenciale për moshën e tretë.
“Kemi kryer inspektime në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Kavajë dhe Qendrën Ditore Polivalente, Kamëz. Në pjesën më të madhe të këtyre qendrave, kemi konstatuar se duhen bërë investime për përmirësimin e cilësisë së jetesës së të moshuarve’, tha Totozani.