A e kishin seriozisht me CEZ-in?

2 Tetor 2015, 16:39Politika TEMA

“Mendoj se hetimi ndërkombëtar, në emër të paqes dhe stabilitetit të vendit, është jetik”. Megjithëse bëri disa herë këtë deklaratë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk e votoi kërkesën e demokratëve për procedurën e përshpejtuar të projektligjit për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ.

Ai ishte i pari që artikuloi kërkesën për hetimin e mega-aferës së CEZ-it nga prokurorë të huaj, por nga tabela e votimit në fund, rezultoi që Sali Berisha nuk qëndroi në votim. Mungesa e Berishës nuk do të ishte vetëm simbolikë politike, nëse mazhoranca do të kishte qenë kompakte në votën e saj, por ndarja mes PS-së dhe LSI-së për votimin dhe diferenca e ngushtë e votave në Parlament tregon më shumë.

Rrëzimi i kërkesës së demokratëve u bë me vetëm katër vota diferencë. Nëse Sali Berisha, por edhe deputetë të tjerë demokratë,  Igli Cara, Myqerem Tafaj, Genc Pollo, Fatmir Mediu e Agron Duka, do të kishin votuar, demokratët do të kishin mundur të miratonin kërkesën e tyre, çka do të përbënte dhe të parin votim që opozita do të kishte triumfuar mbi një supermazhorancë që nisi legjislaturën me mbi 84 deputetë.

Rezultati i votimit, 54 me 50 i kërkesës së demokratëve, përveç mungesës së një numri deputetësh socialistë në sallë, ishte rrjedhojë edhe e qëndrimit të LSI-së. Forca e drejtuar nga Ilir Meta gjithashtu pati mbështetur hetimin ndërkombëtar, por votimi i deputetëve të saj nuk ishte i unifikuar, duke u ndarë pothuaj në numra të barabartë mes mbështetjes për PD-në dhe mungesës së saj.

Deputetë të saj konfirmuan në telefon për Top Channel se nuk kishin një vendim grupi për mënyrën sesi do të votonin kërkesën e demokratëve. Por ndarja përgjysmë e votave të deputetëve të LSI-së nuk duket dhe aq rastësore. Vetë Ilir Meta, bashkëshortja e tij, kryetari i grupit parlamentar Petrit Vasili, Sekretari i Përgjithshem Luan Rama, anëtari i kryesisë Vangjel Tavo, si zyrtarët më të lartë të kësaj force politike, dhanë votën pro kërkesës së demokratëve. Këtij votimi iu bashkangjit edhe deputeti Agron Çela, një nga emrat që gjithashtu është akuzuar si përfitues nga DIA prej Dritan Priftit.

Gjysma tjetër e deputetëve të LSI-së abstenuan. Nëse edhe vota e tyre do të kishte qenë e njëjtë me atë të Ilir Metës, kërkesa e demokratëve do të ishte miratuar, pavarësisht mungesës së Berishës dhe deputetëve të tjerë të PD-së, dhe parlamenti do të niste shqyrtimin e projektligjit për të mundësuar hetimin ndërkombëtar të aferës CEZ.

Por, vetëm katër votat më shumë të socialistëve, ku numërohet edhe ajo e deputetit të LSI-së Spartak Braho, rrëzuan kërkesën e demokratëve, duke ngritur pyetjen: A e kishin seriozisht mbështetësit e hetimit ndërkombëtar të aferës CEZ?/ TCH

4 komente në “A e kishin seriozisht me CEZ-in?”

  1. LORA says:

    Analize e thjeshte dhe e sakte.
    Shyqyr,me ne fund,po lexoj nje gje te pa-anshme ,ne dobi te opinionit publik.

  2. Clarise says:

    Skenar i njohur! I zbulon partia, i heton partia, i pyet partia, i voton partia dhe ….. i fal partia.

    Ku eshte Prokurori i Pergjithshem?!

  3. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Berisha vazhdon te bej propogande te stilit komunist.
    E.Hoxha,para se te denonte kundershtaret e tij politik(“armiqte”),organizonte fushaten mediatike,te gjithe “bindeshin”,kryej arestimi ose pushkatimi me vendim gjykate.
    Berisha duke e ditur se informacioni i mediave,ku ai shpreh opinionet e tij,behet ushqim per nderkombetaret,vazhdon te “peshkoj”
    Nuk e ka per gje,gjen 1000 mije arsye,per te “justifikuar” mungesen e djeshme ne Kuvend.
    Shqetsuese eshte gadishmeria e funksionarve te larte te LSI-s,per realizimin e “projekteve” te tij.

  4. Aua ;) says:

    Ata jane serioze:( vetem per plaçkitje!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje