Përfaqesues të Avokatit të Popullit zhvilluan, dje pasdite, një takim me Judith E. Heuman, Këshilltare Speciale për të Drejtat Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar, pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, Zyra e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës. Zonja Heuman në këtë takim shoqërohej përveç stafit të saj edhe nga dy përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Heuman pasi bëri një prezantim të detyrave që mbulon zyra e saj dhe legjislacionit amerikan për personat me aftësi të kufizuara (PAK), shfaqi interes të njihej me rolin e Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri, si dhe problematikat që shqetësojnë këtë kategori.
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit prezantuan punën e bërë për mbrojtjen dhe përmirësimin e kushteve të PAK, si dhe problematikat që ata hasin në jetën e përditshme. Në takim u theksua fakti se Personat me Aftësi të Kufizuara në Shqipëri përballen me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme në ambientet publike dhe private, duke kufizuar aksesin e tyre. Kjo situatë është prezente edhe në transportin urban publik, që shumica e këtyre personave e ka të pamundur ta përdor. Por edhe në rastet kur munden, vihet re moszbatimi i dispozitave ligjore për rimbursimin e biletës si në transportin urban edhe atë interurban.
Një tjetër shqetësim, thanë përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, është edhe cenimi i të drejtës së përfaqësimit të organizatave të PAK, anëtarët e të cilave janë nga vetë personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, dispozitat ligjore për punësimin e tyre nuk respektohen. Në takim u fol edhe për aksesin e munguar ose të kufizuar të PAK në drejtësi, strukturat qeveritare në nivel qendror dhe lokal, por edhe në arsimin publik të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Në Shqipëri aktualisht, mungojnë statistikat për personat me sëmundje të rënda mendore, etj.
Avokati i Popullit në mënyrë të vazhdueshme ka dërguar rekomandime pranë institucioneve shtetërore për këto çështje, por shumë prej tyre vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.