Jeta në qeli: Si ruhet nën masa ekstreme Kastriot Ismailaj (kujdes edhe për ushqimin që i sjell e shoqja dhe me kë flet)

16 Tetor 2015, 09:24Kronika TEMA

Është data 1 tetor, darkë vonë, ka lëvizje në Burgun 302 në Tiranë, po transferohej një i paraburgosur i rëndësishëm, jeta e tij thuhej se është në rrezik, të paktën këtë pohonin zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Masa ekstreme sigurie për të. Gardianë e zyrtarë të burgut të Tiranës morën në duar të dhënat e transferimit, po vinte Kastriot Ismailaj, personi i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim.

Njeriu i qetë në pamje, po që trazoi aq shumë politikën në vend.

Është 52-vjeçari, pas të cilit dyshohet se fshihet një pjesë e skandalit të madh CEZ-DIA, i cili mbante lidhje të forta me politikën, apo edhe me njohje të shumta jashtë vendit.

Gardianët dhe personeli civil morën udhëzime të qarta se ai duhet të ruhej nën masa mjaft të forta sigurie.

Kjo justifikohej me ndonjë “të keqe” që mund t’i bëhej, pasi është personi kyç në skandalin e aferave korruptive për mbledhjen e faturave të papaguara ndaj CEZ-Shpërndarjes, shkruan Mapo, që ka bërë një reportazh për masat ndaj Ismailajt.

Në ditët e para të qëndrimit në dhomat e paraburgimit në Burgun 302, mësohet se Ismailaj ishte në tension të madh.

“Ai ruhej vetë, madje ishte i fiksuar në shumë gjëra që dyshonte se mund t’i bëhej ndonjë rreng”, – thotë një pjesëtar i personelit të burgut.

E sikur të mos mjaftojë vetëm kjo, edhe efektivët e policisë e rrethojnë e mbajnë nën vëzhgim sa herë lëviz, apo kalon në ambientin e ajrimit.

Nga burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mësohet se Ismailajt i është siguruar një qeli më vete, pasi nuk duan që të ketë kontakt me asnjë person, përveç punonjësve të burgut.

Gjendet në të njëjtin kat dhe sektor, ku veç të paraburgosurve të tjerë janë edhe Mark Frroku dhe Ermal Hoxha.

“Në ditët e para ishte shumë në tension, nuk kishte besim tek askush dhe shpesh ankohej”, tregojnë zyrtarë të burgut. Pavarësisht se bashkëshortja ishte lejuar të fuste ushqime, ai dyshonte se nuk ishin të përgatitura nga duart e saj.

Ndërsa tashmë ka nisur të ambientohet me jetën “kryeqytetase”, pas transferimit nga burgu i Fierit.

Masat e sigurisë, tejet ekstreme, justifikohen me mbrojtjen fizike të tij, por në të vërtetë Ismailaj ka nisur të dyshojë se ky është një terror që po i bëhet për ta veçuar dhe që mos ketë asnjë kontakt me të dënuar të tjerë, sepse “mund t’i shpëtojë ndonjë fjalë”.

Në kohën kur të gjithë të paraburgosurit shkojnë në ajrim dhe ato pak çaste ikin nga qelitë e ngushta dhe fort të mbipopulluara, Kastriot Ismailaj rri i mbyllur në dhomëzën e tij.

“Është masë sigurie, pasi kemi urdhër që të mos ketë asnjë kontakt fizik dhe verbal me të paraburgosurit e tjerë, gjithsesi në ajrim e dërgon grupi i gatshëm dhe nuk i mohohet kjo e drejtë”, thonë burimet.

Çdo i paraburgosur ka të drejtë të bëjë dy telefonata në javë, ndërsa Ismailajt kjo nuk i lejohet. Pikërisht këto masa të forta kanë bërë që para gjykatës të pretendojë se nuk e kanë lejuar që të takojë bashkëshorten.

Sa për ushqim, ai i vjen shpesh nga shtëpia, por gjithsesi burime konfidenciale shprehen se “vezët e ziera, ndonjëherë i merr nga burgu”.

3 komente në “Jeta në qeli: Si ruhet nën masa ekstreme Kastriot Ismailaj (kujdes edhe për ushqimin që i sjell e shoqja dhe me kë flet)”

  1. Tili says:

    Flet me Liken!!!!

  2. Grexit says:

    Ku jane Shqiptaret te komentojne, edi se sa trima jeni.Apo si è tha ai Pipini vetem per flamur hidhemi, le tjua Ken futur deri ne fyt.

  3. Drejtesia says:

    2 telefonatat ne jave i konsumon me Liken dhe Salen prandaj nuk flet me gruan. Gruas i vjen inat se ky nuk i ka tregu ku i ka mçef leket dhe tani po shkon me Tomen per qef.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje