UET, 100 bursa sociale për studentët ekselentë

23 Tetor 2015, 12:00Kulturë TEMA

Në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës është zhvilluar ditën e djeshme ceremonia e dhënies së bursave sociale të studimit. Përveç bursave të ekselencës, lidershipit dhe talentit, UET ka në fokus të veçantë studentët që vijnë nga shtresa të margjinalizuara të shoqërisë, që nuk kanë mundësi të paguajnë për studimet e tyre, por kanë rezultate shumë të larta në përgatitjen akademike.

Në dhjetë vitet e funksionimit të UET në sektorin e arsimit të lartë në vend, janë plot 1500 studentë që kanë përfituar nga katër llojet e bursave, e thënë ndryshe, 10% e numrit total të studentëve. Në fjalën e mbajtur, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof.Dr. Adrian Civici theksoi në mënyrë të veçantë përgjegjshmërinë sociale që UET tregon në shoqërinë tonë, duke mbështetur atë shtresë që realisht nuk ka mundësi ekonomike të investojë për arsimimin.“UET, për të qenë më afër me këtë kategori, për këtë vit akademik ofron 100 bursa, pra 100 mundësi studimi. Çështja lidhet me përgjegjësinë sociale dhe me etikën e çdo institucioni e të çdo grupi, që në rastin tonë është një grup arsimor. Ky shërbim ofrohet me zemër të hapur dhe me besim të plotë karshi shoqërisë e brezit të ri. Besoj se duke përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e kësaj mundësie studimi, UET do të vazhdojë ta bëjë detyrën e vet, duke e rritur në vitet në vijim kontingjentin e ofrimit të kësaj burse e pse jo, për ta dyfishuar. Kur ne analizojmë rezultatet e studimeve në universitetin tonë, rezulton që një pjesë e konsiderueshme e këtyre studentëve që vijnë me këto bursa sociale janë ndër studentët me arritjet më të larta. Kjo është simbioza më e mirë që ne kërkojmë për t’u ndierë krenarë në punën që bëjmë”, – theksoi Civici.

Kategoritë që përfitojnë; jetimët, romët etj

Disa kategori që përfitojnë çdo vit këto bursa janë fëmijët e Dëshmorëve të Atdheut, jetimët ose të rinj nga komuniteti rom. I pranishëm në ceremoni, drejtori i Burimeve Njerëzore pranë Policisë së Shtetit, Nikollë Rica shprehu falënderimet për mbështetjen e madhe që UET iu jep fëmijëve të policëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës. “Ky event është një traditë e bukur bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe UET-it, në ndihmë të fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Kontributi juaj vit pas viti në këtë drejtim është dëshmi e qartë e vlerësimit që ju si universitet por edhe shoqëria i bën kontributit sublim të baballarëve, të cilët kanë dhënë jetën në mbrojtje të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë ne dhe për brezat që vijnë”, – u shpreh Rica, duke kujtuar se gjatë këtyre viteve janë akorduar mbi 50 bursa studimi për fëmijët e dëshmorëve të policisë.

Në vazhdim të aktivitetit ka qenë shumë emocionuese fjala e Alfred Muharremit, drejtor ekzekutiv i shoqatës “E ardhmja jonë”, me fokus fëmijët jetimë. Muharremi, i cili është rritur vetë jetim, rrëfeu eksperiencën e tij në përpjekjet për të integruar në shoqërinë tonë këtë grup të veçantë. Ai tregoi mbështetjen dhe inkurajimin që mori në projektin e tij nga administratori i UET-it, Henri Çili, dhe nisjen e një bashkëpunimi që vazhdon çdo vit e më i fortë me universitetin.“Ndonëse natyra na ka kufizuar kujdesin prindëror, nuk do të thotë që, në një mënyrë ose në një tjetër, ne nuk jemi të denjë për shoqërinë shqiptare. Prandaj ne duam të kemi mbështetjen dhe suportin e universitetit tuaj, për të qenë edhe ne të denjë për shoqërinë. Natyra na ka privuar nga prindërit, por ju na bëni të mundur të krijojmë familjet tona”, u shpreh Alfred Muharremi.

Projekti i ri i UET-it për bursat sociale

UET ka në plan që përgjegjësinë sociale ndaj të rinjve të talentuar ta rrisë vitin që vjen, duke akorduar dhe ndihmë monetare për jetesën në Tiranë, përveç zerimit të studimeve. Administratori Henri Çili, në fjalën e tij që përmbylli aktivitetin, përmendi edhe kostot financiare që këto bursa kanë pasur për institucionin dhe domosdoshmërinë e aksesit në arsimin e lartë. “Është afërsisht një efekt financiar gati 3milionë euro, por që ia ka vlejtur për të ndërtuar një komunitet dhe për të mbështetur e për të krijuar ndërthurjen sociale. Në një mjedis privat, arsimi kushton pará, por absolutisht duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Ne jemi të gjithë të varfër sepse, ose kemi qenë dikur të varfër, ose një ditë mund të bëhemi të varfër. Për shkak të kësaj, ne jemi përditë përfitues ose dhënës të një solidariteti. Kjo përfaqëson një vlerë të instaluar në shoqërinë tonë”. Gjithashtu, ai shpalosi edhe strategjinë e UET-it në lidhje me bursat për pesë vitet e ardhshme. “Ne, duke filluar nga viti tjetër, do të implementojmë një projekt pilot me 11 studentë, duke ofruar bursa në masën 100% dhe duke shtuar gjithashtu edhe një pagesë për përballimin e shpenzimeve mujore të studentëve”, – përfundoi Çili.

Studentët që kanë përfituar bursa sociale nga UET

Emiliano Aliu, ka përfunduar studimet Master shkencor në Drejtësi

Falenderoj të gjithë pedagogët e UET-it, pasi falë atyre, unë jam sot ky që jam. Mbaj mend që herën e parë kur jam ndodhur në auditor, profesor Tonini ka thënë: “Jemi UET-sa dhe ndihemi krenarë për këtë” dhe unë e them se jam krenar që jam UET-s! Unë i përkas komunitetit rom. Ka pasur fare pak mundësi që të integrohesha në shoqërinë aktuale. Kam pasur një rrugëtim mbas mbarimit të universitetit, pas dy cikleve, duke punuar në institucione ndërkombëtare, institucione të pavarura kushtetuese, dhe aktualisht jam në krye të një projekti, i cili ndihmon studentët e tjerë romë të arrijnë aty ku kam arritur edhe unë.

Daniela Zefi, Studente e vitit të parë Marrëdhënie me Publikun-Komunikim

Kjo është dega që kam dashur dhe studimi në UET është realizimi i kësaj dëshire. UET është familja e madhe, e cila i ndihmon të gjithë, u jep të gjithëve një mundësi të jenë pjesë e tij. Ky do të jetë profesioni im i ardhshëm dhe kjo po bëhet e mundur falë këtij universiteti.

Klea Bako, studente e vitit të parë në degën Marrëdhënie me publikun dhe Komunikim

Unë vij me bursë sociale, për shkak se im atë ka rënë dëshmor në krye të detyrës si punonjës i Policisë së Shtetit. I jam shumë mirënjohëse stafit të UET-it dhe mbi të gjitha, administratorit të universitetit, për këtë mundësi të çmuar dijeje që më kanë dhënë. Mirënjohje të gjithëve!

Xhulia Pasha, studente e vitit të dytë Bachelor në degën Informatikë Ekonomike

I jam shumë mirënjohëse UET-it dhe stafit të tij për mundësinë që më dhanë të studioj pranë universitetit, megjithëse në pamundësi ekonomike. Uroj që stafi akademik dhe administrativ i UET-it të na japë mbështetjen e vazhdueshme, ashtu siç na e ka dhënë në këtë fillim!

5 komente në “UET, 100 bursa sociale për studentët ekselentë”

  1. Mali says:

    A jane aleine keta qe njihen me emrin exelenta? Ku ndodhet planeti me kete emer exelenet?

    1. Cubi says:

      Qe nuk eshte Universitet serioz duket qe kur perdor barbarizma ndaj fjales shqipe qe eshte e shkelqyer, por ky thelle thelle eshte U. SICILIAN I Tiranes.

      1. Gregor says:

        Ti Cubi, nganjehere e prish me disa komente, por kete here e ke gjetur. Koment i shkelqyer (jo ekselent). Per artikullshkruesin e Temes kam nje pyetje. Qyshe e lxon ne shqip fjalen Bachelor? Dikur (mbase edhe tani) shanim me fjalet: Ik ore surrat bakalaro. Tani del qe po te kesh surrat bakalaro paske mbaruar universitetin. Sa perpara kemi ecur mor aman.

  2. Katani says:

    Duke e NDJERE (pa qene e nevojshme te thuhet: duke e njohur) realitetin ne Shqiperi, pervec Universitetit SHTETEROR te Tiranes, gjithe shkollat private jane mese te dyshimta. Nje diplome nga UET (emer i shemtuar, meqe ra fjala)s’ben dy leke. I vetmi perjashtim, ma do mendja, eshte nje diplome ne finance/biznes, sepse industria financiare ne Shqiperi duket e vemtja qe ka nevoje per punesim dhe qe aktualisht puneson. Te tjerat, si kjo e komunikimit publik s’ka kurrefare vlere; kohe e humbur.

    Po, kane te drejte para-shkruajtesit qe gjuha e perdorur ne kete artikull — dhe sic ndodh rendom ne shume artikuj gazetash ne Shqiperi — eshte per faqe te zeze, sic thote populli. Nuk perse te thuhet BACHELOR, kur shume mire thuhet SHKOLLE E LARTE. Sa per MASTER-in, thuhet STUDIME PAS-UNIVERSITARE. Pastaj vjen DOKTORATURA.

    selom!

  3. A.R says:

    “Ekselente” eshte nje term i turpshem dhe fyes ndaj gjuhes shqipe. Nese duam ta eliminojme gjuhen tone per te adoptuar nje tjeter gjuhe, le bejme nje referendum, se keshtu eshte vertete e turpshme!
    Nuk e di sesa shkolle ka individi qe ka shkruar kete, por sinqerisht nuk eshte ne nivelin e duhur.

    Andrea Radi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje