Trafiku me avion, Riformato: Si u njoha me Saimir Bajramin dhe qëllimi i ardhjes në Shqipëri
Piloti italian Giorgio Riformato mohon kategorikisht se merrej me trafikun e drogës. Ai ka rrëfyer përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda njohjen me Sajmir Bajramin, duke deklaruar se me të ishte njohur rastësisht dhe se nuk kishte pasur qëllime për trafikim.
Nga ana tjetër, Bajramaj ka pranuar lidhjet me riformaton dhe synimin për të trafikuar lëndë narkotike, raporton Dita.
“Sapo kisha dalë nga Rinasi dhe u ula në një lokal pranë rrethrrotullimit në dalje të aeroportit.
Një person hyri në bisedë me mua dhe pas disa minutash m’u prezantua si punonjës policie.
Madje, më tregoi edhe një distinktiv. Nuk e pashë me shumë vëmendje dokumentin, por e mora të mirëqenë se bëhej fjalë për një punonjës policie.
Në vijim të bisedës, ai më tha se ishte dhe badigard i një deputeti. M’u prezantua me emrin Saimir”, shpjegoi Riformato.
Ai ka deklaruar më tej se Bajrami i kishte prezantuar dy miq të tjerë dhe se kishte udhëtuar me të deri në Tiranë.
“Shkuam te makina e Saimirit, me ngjyrë të kuqe.
Aty më prezantoi me dy persona të tjerë, miq të tij, që unë nuk i njoh.
Të gjithë së bashku udhëtuam drejt Tiranës.
Duke qenë se kisha interes të njihesha me qytetin, më kanë bërë disa xhiro. Më kanë çuar më pas te një hotel, që sipas tyre ishte i arsyeshëm për të qëndruar”, theksoi Riformato.
Riformato ka deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri me qëllime turizmi.
“Vendosa të udhëtoja në vendin tuaj për të parë mundësinë e një investimi të mundshëm për hapjen e një agjencie turistike, pasi për vizitën e Papës kishte shumë italianë që do të udhëtonin drejt Shqipërisë”, u shpreh Riformato.
Piloti italian u arrestua në Divjakë më 14 maj të vitit të shkuar, kur avioni i tij kishte ngecur në rërë. Gjatë aksionit u gjetën edhe rreth 400 kg drogë, ku përveç shtetasit italian u arrestua edhe Saimir Bajrami nga Kruja, emigrantë në Itali.