Dueli i heshtur, nga deklaratat Rama-Meta, tek dorëheqja e Naços

9 Nëntor 2015, 20:11Politika TEMA

Vetëm 5 ditë me parë, kryeministri Edi Rama deklaroi në Top Story se nuk besonte te rifreskimi i qeverisë. “Rifreskim bëjnë vetëm mazhorancat që ndryshojnë ekuilibrat e brendshëm”, shtoi ai,  jo pa tone nervoze për të njëjtën pyetje që i bëhej prej muajesh: ndryshimet e mundshme në Qeveri.

Kjo ishte pyetja që ndoshta ka marrë më shumë kryeministri veçanërisht pas kthimit nga SHBA në shtator, kohë në të cilën u fol për një marrëdhënie të ftohur mes tij dhe aleatit Ilir Meta, për të cilën nuk pati pak kontribut dhe ky i fundit me deklaratat evazive.

“Nuk keni dëgjuar gjë akoma, pak më vonë do të dëgjoni çudi të mëdha për shtypjen e opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaronte Ilir Meta nga Çorovoda, si kundërpërgjigjie ndaj akuzave të opozitës.

Pavarësisht se askush nuk e konfirmoi zyrtarisht, në takimin e parë mes Metes dhe Ramës pas kthimit të këtij të fundit nga SHBA, u fol për një kërkesë të kreut të LSI-së, Ilir Meta për ndryshime në qeveri. E njëjta kërkesë u tha se ishte bërë edhe në takimin e tyre të dytë, pas të cilit Ilir Meta paralajmëroi qëndrimin pro ndryshimeve në qeveri, ndërsa jozyrtarisht u aludua edhe për kushte të vendosura prej tij për lëvizje të ministrave socialistë në kabinet.

“Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Sa u takon ndryshimeve, ja kemi lënë nismën kryeministrit”, deklaronte Meta.

Ndërsa Ilir Meta ishte ai që lëshonte sinjale dhe më pas i mohonte, kryeministri Edi Rama ishte më i qëndrueshëm në mohimin e ekzistencës së bisedave me aleatin e tij për ndryshime në qeveri, duke i cilësuar shpesh si shpikje të gazetarëve.

“Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj thoni që ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që është shpikur nga ju”, tha Rama.

Ndërsa Ilir Meta vijoi të mbajë të njëjtin qëndrim.

“Është pyetje që i takon kryeministrit Rama”, do të përgjigjej ai një pyetjeje për ndryshimet në qeveri.

Deklarimet, shpesh të papërputhshme të Ramës dhe Metës për ndryshimet në qeveri, u lexuan si kërkesa të kreut të LSI-së për ndryshime dhe rezistencë e kryeministrit ndaj tyre. Në këto kushte erdhi edhe dorëheqja e Nasip Naços për arsye personale, një krizë e vogël, që u mbyll shpejt me zëvendësimin në kohë rekord të Naços, por koha do të tregojë nëse kjo ishte një përpjekje e parë e pasukseshme e aleatit më të vogël për të provokuar një manovër më të thellë ndryshimesh në qeveri apo thjesht një incident i veçuar rastësor i një ministri rastësisht i LSI-së që kërkoi largimin vërtetë për arsye vërtetë personale./ TCH

3 komente në “Dueli i heshtur, nga deklaratat Rama-Meta, tek dorëheqja e Naços”

  1. Treviso says:

    Populli e ka shume te lehte tani per te vendosur fatet e tije. E ka shume te lehte per te bere nje pastrim rrenjesor te politikaneve te korruptuar qe sot hiqen si qelibare.
    Jane kushtet me te mira per te larguar plehren qe vazhdon te qelbi vendin. Po su largua ky pleh as kryekrimineli Berisha nuk do perfundoje ne burg. Kete populli duhet ta kete te qarte. Po su largua ky pleh nuk do te kete dekriminalizim.

  2. klasa punetore says:

    Rama ja fut kot si gjithe punet qe ben,ku te shkoi Rama me gjithe ate borxh monetar dhe politik qe i ka njerezve,prandaj ka ulur koken dhe eshte bere njesh me hajdutet.Sala e rrahu njehere fshace Ramen por jo Kocon ose Frangajn ose Manjanin.

  3. lale krosi says:

    Filloi meta te nxjerre koken, e hoqi nacon, dhe thote qe beri doreheqje, kush po i ha keto, dhe me ke e zevendesoi, o Ram po ta bejne gropen, dhe ti ala ke ura e Lanes, nuk do ta fali ajo pjese e njerezve qe te ka dhene voten, per te cuar para drejtesise ata qe cuan kete vend ne kete rrokopuje dhe flasin ezber tani, si te majte dhe te djathte pa perjashtim, po juve aq ua ndjen per ate shtrese qe vuan dhe nuk perballon dot nevojat me minimale te jeteses.Jepini se mban kurrizi i ketij populli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje