Rilindja e Kuqe: Rënia dhe ngritja e Karl Marksit

23 Nëntor 2015, 20:03Politika TEMA

Takimi me akademikët, përkushtimi i të cilëve ndaj Marksizmit i kushtoi vendet e punës në vitet 1990 – dhe mendimtarët që po e rikthejnë Marksin në axhendat politike në të gjithë Europën e sotme.

Nga Dimir Pilic

Zvonko Sundov, doktor i filozofisë, mori pagën e fundit 24 vjet më parë. Megjithatë, 63 vjeçari këmbëngul të paguajë të dyja kafetë. Vitet që ai i ka kaluar si i pastrehi ndoshta më i arsimuar në Kroaci nuk e kanë thyer atë.

“Realiteti është një kurth për çdo mendimtar,” thotë ai.

Më 1991, Sundov u pushua nga puna në Shkollën e Inxhinjerisë Elektrike të Zagrebit. Ai i fitoi çështjet gjyqësore për pushimin nga puna si në Zagreb ashtu edhe në Strazburg por nuk u kthye më kurrë në mësimdhënie – për shkak se vendi i tij i punës nuk ekzistonte më. Ai jepte Marksizmin.

Në Jugosllavinë socialiste, Marksizmi qe lëndë e detyruar në të gjitha shkollat e mesme dhe të larta. Pastaj erdhi rënia e Murit të Berlinit më 1989 dhe rënia e komunizmit, kur, në esenë e tij të famshmeFundi i Historisë, profesori i shkencave politike në Amerikë, Francis Fukuyama, shpalli fitoren e përjetshme të demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Qindra mësues dhe profesorë Marksizmi u lanë pa punë. Gjatë ndryshimit të madh, ata u përçmuan si korrierë të totalitarizmit të cilët nuk kishin vend në një shoqëri demokratike.

Por tani, panorama politike e Europës po ndryshon: lëvizjet majtiste po fuqizohen për shkak të krizës ekonomike ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2015, Europa pati qeverinë e parë të të majtës radikale që nga koha e Fundit të Historisë me fitoren e Syriza-s në Greqi, një lëvizje politike që doli nga Partia Komuniste. Në Spanjë, Podemos, një lëvizje e ngjashme me Syriza-n, erdhi nga asgjëja për të zënë vendin si forca e tretë në politikën kombëtare. Partia Die Linke në Gjermani, vitin e kaluarmori pushtetin në shtetin Thuringia me një platformë demokratike dhe socialiste, me një kandidat kryesor që bëri fushatë me një bust të madh të kuq të Karl Marksit. Në Britani, udhëheqësi i ri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, ka thënë Marksi është “një figurë magjepsëse… nga i cili ne mund të mësojmë shumë”.

Duket se vlerat Marksiste, të cilat i kushtuan Sundovit dhe të tjerëve vendet e tyre të punës, po kthehen në skenën europiane. Edhe Fukuyama pati folur për problemet e pabarazisë dhe dominimin e financës në sistemin kapitalist.

Në këtë kuadër, unë desha të shoh se çfarë ka ndodhur me ata profesorë të Marksizmit të cilët humbën vendet e tyre të punës – dhe se si e shohin Marksistët Europianë të ditëve tona rigjallërimin e dukshëm të socializmit. A është Syriza vijimësia e ëndrrave të tyre të ndërprera? A është kryeministri i Greqisë dhe udhëheqësi i Syriza-s, Alexis Tsipras.”

Pasi ai u pushua nga puna, pranon Sundov, ai pati vështirësi të mblidhte veten. Studentët e përshëndesnin atë në rrugë, por ai shmangej nga stafi mësimor, tashmë ish-miq. Përveç kësaj, profesori u divorcua. Ish-bashkëshortja e tij e nxori nga apartamenti vetëm me shapka dhe pantallona të shkurtra.

“Unë fjeta në një stol në stacionin hekurudhor dhe, në dimër, në vagonët e braktisur të trenit krahas endacakëve. Unë pata jetuar një jetë normale dhe tashmë isha papritur i hedhur në rrugë. Edhe librat kishin mbetur pas në apartament. Dhe unë mbeta pa asnjë mik.”

Por Sundov nuk qe pa shoqëri filozofike. Ai citon një frazë të Heraklitit që një njeri është i vlefshëm sa dhjetëmijë të tillë nëse është i madh.

“Dhe unë kisha gjithashtu ata të dy”, shpejgon ai. “Hegelin dhe Marksin.”

Në fund, më 1996 zotat e fatit të mirë i buzëqeshën të rraskapiturit Marksist. Ai takoi bashkëshorten e tij të ardhëshme në zyrën e avokatit. Ai po hidhte në gjyq punëdhënësin e tij të vjetër ndërsa ajo kishte për të kryer procedura verifikimi. Faktori kyç: Avokati qe me vonesë.

“Ajo më ftoi mua në një kafene për një çaj – dhe unë nuk kisha asnjë qindarkë në xhep. Ajo mori edhe sanduiçe dhe më ofroi një mua. Unë nuk kisha ngrënë asgjë për tri, katër ditë, por u vura në siklet që ta merrja një për shkak se nuk mund të paguaja as për çajin. Ajo më bindi të merrja sanduiçin gjithsesi. Dhe ne kemi jetuar sëbashku tashmë prej 20 vjetësh. Ajo më shpëtoi.”

Sundov do të publikojë së shpejti një libër mbi Hegelin. Ai do të jetë libri i katërt që ka shkruar që kur filloi të jetojë me gruan që e ftoi atë për një çaj.

“Vatra” e Marksizmit

Mira Ljubic Lorger, e cila ka një doktoraturë në sociologji, është një akademike tjetër Marksizmi të cilës kolapsi i komunizmit i shkaktoi pasoja personale dramatike. Deri më 1990 ajo punonte në Qendrën Kërkimore të Shkencave Shoqërore në Split, një institut universitar i cili qe, në sytë e qeverisë së re anti-komuniste kroate, një vatër marksizmit.

Qendra u akuzua për persekutim fetar dhe u mbyll menjëherë – edhe pse ajo punonte bashkë me priftërinj, siç thotë Lorger.

“Ironikisht, projekti im titullohej ‘Një Dialog mes Kristianëve dhe Majtistëve’. Unë e ndërpreva në mes për shkak se më lanë pa fonde. Nuk bëhej fjalë për shumë dialog mes Kristianëve dhe të Majtës,” thotë ajo.

Për të mbijetuar, asaj iu desh të kthehej tek një pasion i vjetër: astrologjisë. E përjavshmja e Zagrebit Nacional i kërkoi asaj të shkruajë horoskopët për ta.

“Dhe djali im më thotë: ‘do të më pëlqente të haja mish ndonjëherë,’ për shkak se në atë kohë ne hanim vetëm brumë dhe makarona.”

Ajo i kërkoi Nacional që ta lejonin të shkruante me pseudonim, por ata deshën një doktor në sociologji në mënyrë që horoskopët e tyre të ishin të besueshëm.

“Kështu unë i mora në telefon të gjithë miqtë dhe iu luta të mos e blinin Nacional. Më vinte turp,” më thotë ajo në apartamentin e saj në Split. “Ose do të bëja këtë ose do të vdisja urie si një disident i respektuar. Dhe unë nuk mund të zgjidhja të dytën për shkak se kisha dy fëmijë.”

Tashmë në pension, ajo ndjek nga aftër zhvillimet në Greqi. Ajo beson se fitorja e Syriza është ngjarja më e rëndësishme shoqërore dhe politike në Europë përgjatë 20 viteve të fundit.

“Syriza ka gjasa se do të rrëzohet, por fakti që qeveritë e majta kanë filluar të fitojnë në Europë është shenjë e një epoke të re. Unë e shoh këtë si një fitore timen personale, a thua se unë pata një fëmijë të tretë.”

Më 1990, filozofi Dusko Cizmic Marovic po punonte në Qendrën e Marksizmit në Split, një institut shkencor politik i mbështetur nga partia që ekzistonte në qytetet më të mëdha të Jugosllavisë. Pasi qendra u shpërnda, si ish gazetar dhe redaktor i gazetave studentore, ai u përpoq të jetonte falë shkrimeve të tij.

Por, rikujton ai, lufta shpërtheu mes Kroacisë dhe Serbisë dhe ai zbuloi se shkrimet e tij ishin “tepër të buta” për klimën politike.

“Kështu, unë u bëra peshkatar,” thotë ai.

Marovic mori para hua, mori një kredi me kolateral apartamentin e bashkëshortes së tij dhe bleu një varkë peshkimi. Por aventura e tij kapitaliste dështoi dhe më 1996 ai humbi apartamentin për shkak se nuk mund të paguante borxhet. Ai humbi edhe bashkëshorten nga kanceri.

“Unë humba apartamentin, varkën dhe vendin e punës. Mbeta me dy fëmijë, m’u desh të merrja një shtëpi me qera. Unë hodha tutje çdo lloj fature. Lidha energjinë elektrike vetë pa paguar për të. Unë jetova me para që nuk ekzistonin,” rikujton Marovic, i cili u rikthye te gazetaria pasi një koalicion i majtë liberal zëvendësoi nacionalistët në qeveri më 2000. Tashmë ai është redaktor i të përmuajshmes universitare Universitas.

Një doktor filozofie si një njeri i pastrehë, një doktore sociologjie si një shkrimtare horoskopi, një gazetar si një peshkatar: këto janë fatet e Marksistëve të Kroacisë pas Fundit të Historisë.

‘Mashtrim’ Komunist

Ndryshe nga kolegët e tyre në shkolla dhe në institute kërkimore, profesorët e universiteteve të Marksizmit në Kroaci ia dolën disi më mirë. Ata qenë filozofë dhe sociologë të cilët mund të jepnin edhe lëndë të tjera.

Lino Veljak jepte leksione Marksizmi dhe Ontologjie në Universitetin e Zagrebit deri më 1990, pastaj vetëm Ontologji. Ai rikujton kur disa kolegë “ndryshuan flamur” dhe adaptuan axhendën e re nacionaliste.

“Marksistët më të egër u bënë anti-komunistë,” thotë ai. “Dhe Marksistët e moderuar vijuan të jenë Marksistë të moderuar.”

Më i njohuri mes të konvertuarve të Kroacisë nga Marksizmi te nacionalizmi është 78 vjeçari Zdravko Tomac, tashmë një ikonë intelektuale e të djathtës kroate, librat e të cilit janë përplot me anti-komunizëm.

Por dikur, Tomac punonte me Edvard Kardelj, krijuesin e modelit Jugosllav të “vetëmenaxhimit socialist” – nën të cilin punëtorët drejtonin ndërmarrjet shtetërore – dhe qe njëkohësisht shok i vjetër i udhëheqësit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Tomac rrëfen për mua se Marksi qe një “zbulim” për të në rininë e tij – veçanërisht ideja që dikush jo vetëm që duhet ta interpretojë botën, por edhe duhet të përpiqet ta ndryshojë atë.

“Kjo është arsyeja se pse unë vendosa të shkruaja libra mbi vetëmenaxhimin,” thotë ai. “Unë pata mundësinë të punoj me Kardelj, të dëgjoj vizionet e një bote të re.”

Tomac tashmë beson se koncepti më i gabuar i Marksizmit është që përmbysja e dhunshme e kapitalizmit mund të sjellë një shoqëri më të mirë.

“Ka edhe një supozim tjetër të pasaktë – që kolektivi është më i rëndësishëm se sa individi, se Partia përcakton se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe,” pretendon ai. “Kjo shkatërron jo thjesht lirinë e shprehjes por edhe lirinë e mendimit.”

Tomac shton se ai ka parë “fuqinë e idesë së komunizmit” dhe e kupton se pse, në fjalët e tij, shumë njerëz të mirë e pranuan “këtë mashtrim”.

“Për shkak se komunizmi përfshin disa ide humane, ide që çdo njeri demokratik mund të përqafojë. Teza që, në vend të kapitalit financiar, ata që gjenerojnë të ardhura duhet të jenë gjithashtu edhe përgjegjës për menaxhimin e tyre, është joshëse. Unë njoh shumë njerëz që besonin se kjo ide qe e vlefshme për të dhënë dhe jetën për të.”

Fantazma e Stalinit

Në çdo intervistë, fantazma e Stalinit vinte rrotull në diktofon. Të gjithë Marksistët që intervistova ndjenin nevojën për të distancuar veten nga ai. Ata e shohin Syriza-n si hapi i parë drejt socializmit demokratik në Europë, një socializëm që do të jetë dukshëm i ndryshëm nga versioni totalitar i shekullit të 20-të.

“Krahas Amerikës Latine, Europa e Jugut mund të bëhet ‘krahu i dytë’ në procesin ndërkombëtar që do të mund të sfidojë dominimin e tregut të lirë dhe kapitalizmit,” deklaron Veljak.

Të intervistuarit dolën në përfundimin se rilindja e Karl Makrsit erdhi për shkak se demokracia shoqërore e Europës u kthye djathtas, duke lënë një hapësirë majtas. Kur kriza ekonomike botërore shpërtheu, një gjeneratë e re Marksistësh zuri këtë hapësirë. Një pjesë e kësaj gjenerate u mblodh në Zagreb në Maj: anëtari i sekretariatit politik të Syriza-s, Yiannis Bournous, anëtari i njohur i Podemos, Antonio Sanchez dhe kreu i grupit parlamentar slloven E Majta e Bashkuar, Luka Mesec. Të tre morën pjesë në një panel debati të titulluar ‘Internacionalja e Re’. Mesec dhe Sanchez, që të dy nga 27 vjeç, qenë foshnja më 1989. Vetëm 35 vjeçari Bournous mban mend Fundin e Historisë.“Unë mbaj mend qartë shkatërrimin e Murit të Berlinit, heqjen e flamurit të Bashkimit Sovjetik mbi Kremlin dhe shpërbërjen e madhe të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE),” më thotë ai pas debatit, duke shtuar se prindërit e tij qenë anëtarë të KKE.

Këta të rinj nuk patën studiuar Marksizëm në shkollë dhe megjithatë ata pranojnë hapur ndikimin e fortë të Marksizmit në të menduarit e tyre.

“Po, ne po përdorim aparatin Marksist për të analizuar kapitalizmin dhe për të vijëzuar alternativat,” konfirmon Mesec.

“Syriza e lidh lëvizjen Marksiste me qendrën,” shton Bournous.

“Marksizmi është bashkëudhëtar i Podemos, në kombinim me eksperiencat e të Majtës së Amerikës Latine,” thotë Sanchez.

Një mbështetëse e njohur e Podemos është Teresa Forcades, një murgeshë 49 vjeçare e cila ka doktoratë në shëndet publik dhe teologji dhe jeton në manastirin Sant Benet de Montserrat pranë Barcelonës.

Kur flet për të Majtën, ajo përdor përemrin “ne”. Ajo trashëgoi orientimin e saj majtist nga prindërit e saj, kundërshtarë të ashpër të diktaturës fashiste të Frankos.

“Unë kam qenë gjithmonë një e majtë dhe gjëja e re në jetën time qe religjoni, të cilin e zbulova në moshën 15 vjeçare,” thotë Forcades gjatë një vizite në Kroaci në maj.

Megjithëse ajo këmbëngul se nuk është Marksiste, për shkak se “Marksizmi promovon ateizmin”, Forcades e vlerëson Marksin.

“Kur ti lexon Manifestin Komunist, ti sheh besimin në progresin e njerëzimit,” këmbëngul ajo.

“Kapitalizmi nuk u soll nga Zoti por nga njerëzit. Dhe Zoti nuk mund të jetë përgjegjës për historinë, janë njerëzit: Unë jam dakord me Marksin për këtë,” thotë Forcades. Ne nuk e krijuam botën, thotë ajo, por bota është e jona për ta plotësuar.

‘E ardhmja është e Pashkruar’

Syriza ndan së paku një pjesë të vizionit të saj. Në Athinë, në selinë qendrore në Sheshin Eleftherias, rinia dominon. Me përjashtim të një kafeneje të gëzueshme në katin e parë, zyrat janë modeste, pothuajse askete.

“Po, unë jam Marksist,” thotë anëtari 40 vjeçar i sekretariatit politik të Syriza-s, Andreas Karitzis, në një dhomë të zbrazët dhe të lirë nga kompjuterët. Ka vetëm një kaskë motori në një raft bosh.

“Si një parti e majtë, ne bindshëm besojmë se logjika e fitimit dhe kapitalizmit po shkatërron planetin dhe po krijon varfëri të gjithëpërhapur,” thotë Karitzis. “Por ne nuk besojmë se mund të kalojmë te socializmi drejtpërsëdrejti nga kapitalizmi, siç beson Partia Komuniste. Po, ne duam një shoqëri të ndryshme nga ajo kapitaliste, por ne besojmë se ajo ka nevojë të ndërtohet nga poshtë – lart dhe jo nga një vendim politik nga lart. 

Një përpjekje për një shoqëri të tillë sakaq ekziston në Athinë. Lagjja Exarchia në disa raste quhet edhe zemra europiane e rezistencës ndaj kapitalizmit. Kjo është shtëpia e anarkistëve, dega më e ashpër e të Majtës së Greqisë. Policia rrallë herë hyn këtu për shkak se përshëndeten me shishe molotov. Nuk ka marka kapitaliste dhe muret janë të mbuluara me grafitë antikapitaliste. “E Ardhmja është e Pashkruar”, thotë një slogan.

“Ti nuk mund të paguash me kartë këtu, ne pranojmë vetëm kesh,” më thotë kuzhinjeri 26 vjeçar Alexander Papadopoulos në restorantin e tij. “Po, kështu ndodh në të gjithë lagjen. Kjo është forma jonë e rezistencës ndaj kapitalizmit.”

Parku prej betoni në qendër të lagjes Exarchia është dekoruar me flamuj kundër kapitalizmit.

Të rinjtë diskutojnë shoqërinë dhe politikën ndërsa qentë sillen vërdallë këmbëve të tyre. Shumë njerëz mbajnë mjekër. Një version i ri modern i Akademisë së Platonit: Më agresive se sa arketipi, por pa skllevër. Emigrantët janë të mikpritur këtu.

“Exarchia është organizuar në një mënyrë që ne të gjithë jemi të barabartë: unë, ti, Tsipras,” thotë Papadopoulos. “Ndoshta është e pamundur për të gjithë shoqërinë që të organizohet në këtë mënyrë, por është e mundur në Exarchia.”

Unë kalova dy mbrëmje qershori në protestat në Sheshin Syntagma në qendër të Athnës: Të mërkurën, demonstruesit mbështesnin Syriza, të enjten ishin kundër. Kishte më shumë të rinj të mërkurën. Ata nuk e dinin se Syriza do të kapitullojë përballë kërkesave të Bashkimit Europian për masa kursimi katër javë më vonë.

Të premten, në Londër, unë shoh të njëjtin slogan që pashë dy ditë më parë në Shesin Syntagma – “Jepini fund masave të kursimit tani”. Këtë herë, në një banderolë për një protestë, një ditë më pas në mesditë, jashtë Bankës së Anglisë në City.

Një ditë më vonë, dhjetëramijëra njerëz u mblodhën në lagjen e industrisë financiare. “Ne kemi ardhur për të shpëtuar shtetin e mirëqënies sociale,” thotë Angie, një mësuese. “Arsimi publik dhe shëndetësia po shkojnë në dreq. Nëse ne nuk rebelohemi, nuk do të mbetet asgjë.”

Rrethuar nga shumë banderola anti-kapitaliste, unë nuk jam shumë i sigurtë nëse jam në Sheshin Syntagma, në parkun prej betoni në Exarchia apo në epiqendrën e kapitalizmit botëror: Ka njerëz të zemëruar dhe, në sfond, gjendet shpirti i Karl Marksit.

Por pastaj, Londra është qyteti i Marksit: “Babai i socializmit shkencor” kaloi 34 vitet e fundit të jetës së tij këtu. Këtu u botua Manifesti i Komunizmit më 1848, në zyrat e organizatës komuniste në Rrugën Liverpul 46. Ky është vendi ku u shkruajt Das Kapital. Qendra shpirtërore e Marksizmit origjinal nuk qe në Moskë por në Londër.

Lenini mbi një laptop

Në mbrëmje, teksa ne bredhim në lagjen hedonistike Soho, sociologu kroat Toni Prug më thotë se të jetuarit në Londër e ka bërë atë Marksist.

“Unë u rrita nën komunizëm në Jugosllavi por politika nuk më interesoi kurrë,” thotë Prug, i cili është 43 vjeç.

“Pastaj erdha në Londër [më 1996] dhe punova në recepsion në hotelin Alexandra në Paddington

Prug më pas punoi si një programues kompjuterësh për dhjetë vjet, duke paguar studimet për sociologji. Ai mori PhD nga Universiteti Queen Mary në Londër me një tezë të titulluar Prodhimi Egalitar dhe Shpërndarja e Mallrave dhe Mirëqënies. Qëllimi i prodhimit egalitar nuk është prodhimi, shpjegon ai, por shpërndarja e drejtë.

Ai thotë se ky është kontributi më i madh i Marksit dhe citon shembullin e apartamenteve nën pronësi shoqërore në ish-Jugosllavi.

“Nëse ke një fëmijë tjetër, ti merr një dhomë. Dhe natyrisht shërbim falas shëndetësor dhe arsimor. Megjithatë, Perëndimorët mendojnë se shteti është i keq. Kapitalizmi nuk ka asnjë teori shkencore mbi apartamentet nën pronësi shoqërore për shkak se këtu nuk ka fitim.”

Sipas Prug, “zemra e veprës së Marksit” nuk ka qenë kurrë kaq me rëndësi, por ka pasur tepër improvizime dhe keqinterpretime të Marksit në të shkuarën.

“Gjithsesi, Marksizmi gradualisht po hyn në parlamentet e Europës. Ai sakaq është brenda, përmes Syriza,” vëren ai. “Kjo provon se është e mundur t’i drejtohesh njerëzve në një mënyrë Marksiste edhe në shekullin e 21.”

Nëse Syriza mund të kthejë idetë e Marksit në realitet kjo mbetet për t’u parë. Pas një mandati të shkurtër të dominuar nga tentativa e dështuar për t’u përballur me BE-në mbi masat e kursimit, Syriza fitoi sërish zgjedhjet në shtator. Ne e përmbledhim historinë e ringjalljes së Marksit në varrezën Highgate, në veri të Londrës. Marksi është “banori” më popullor këtu: fotografia e tij është në posterin zyrtar të varrezës. Shumë vizitorë ndalojnë pranë monumentit të tij dhe shpesh bëjnë sellfi.

E shkruar sipër bazamentit prej graniti gri ku mbështetet një bust i madh i Marksit, është thirrja finale nga Manifesti i Komunizmit: “Punëtorë të të gjitha vendeve – Bashkohuni”. Në fund të bazamentit, lexoj: “Filozofët thjesht sa kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme – çështja, gjithsesi, është si ta ndryshosh atë.”

Është një fjali që të gjithë jugosllavët duhej ta dinin për të kaluar në lëndën e Marksizmit në shkollë. Ajo magjepsi miliona në rininë e tyre, edhe Marksistin e kthyer në nacionalist Zdravko Tomac, dhe vijon të frymëzojë të tjerë edhe sot. Përfshirë dhe një djalë te varri që kishte veshur një bluzë me Çe Gevarën, me krahun e majtë të lyer me të kuqe të dekoruar me një drapër dhe një çekan.

“Djali im më bindi të vija deri këtu, ai është bërë një Marksist,” qesh nëna e djalit, Julie Goodman-Church. “Ata po mësonin mbi Luftën e Ftohtë në shkollë dhe iu desh të kërkonte se çfarë pati ndodhur më parë. Dhe një ditë erdhi dhe më tha: ‘Mami, Karl Marksi është një djalë i madh.’”

Emri i djalit është Ben, ai është 14 vjeç, një nga Marksistët Europianë më të rinj. A ka lexuar ndonjë nga librat e Marksit?

Manifestin e Komunizmit”, thotë ai me krenari.

Ben ka lindur në shekullin e 21, Marksi vdiq në shekullin e 19. Duket se Friedrich Engels nuk e kishte gabim kur përfundoi fjalimin e funeralit për mikun e tij më të mirë me fjalët: “Emri i tij do t’i rezistojë kohës, dhe po kështu edhe vepra e tij!”

Në fund të turneut tim në ‘Europën Marksiste’, ndërsa unë i them lamtumirë te varreza Highgate njeriut, mendimet e të cilit unë u detyrova t’i mësoj përmendësh në shkollë, rikujtoj atë që filozofi me bazë në Maqedoni, Ferid Muhic më tha në fillim të kërkimit tim. Muhis është një Marksist krenar por ai tha: “Njerëzit nuk janë qenie me ideale të mëdha dhe Marksistët nuk e kuptojnë dot këtë. Epikuri ka thënë: “Pak miq në bahçe, një ibrik me verë dhe pak djathë dhie – dhe ky është kuptimi i jetës.” Mendoj se Epikuri kishte më shumë të drejtë se sa Marksi. Dhe kjo është një tragjedi në mendjet e Marksistëve.”

26 komente në “Rilindja e Kuqe: Rënia dhe ngritja e Karl Marksit”

  1. enter''" says:

    2 gjeni, fjalet e te cileve po vertetohen cdo dite.

    1. komunalja says:

      Marx-i nuk kishte marre parasysh aftesine adaptuese te kapitalizmit: socialdemokracine! Dhe kapitalizmi duhet mbajtur gjithmone nen trysni, sepse ai tenton gjithmone drejt kapitalizmit te shekullit te 19’te, ku punetoret ishin thjesht skllevër me te cilet mund te beje ç’te doje!

  2. Fredi says:

    qofte titulli qofte permbajtja jane vecse provokim

    se ku e shikojne kete lindje te kuqe keto autoret dhe perkthyesit e BIRN-IT nuk e di

    por si duket jane mbaruar Rudolf market,land qafoket dhe dash kaloqet

  3. Shahisti says:

    Therrisni Servet Pellumbin. marksistin e perjetshem se ju qit ne drite.

  4. Lymi says:

    Si paska thene Lino Veljak, profesor ne Universitetin e Zagrebit?
    -Marksistet me te eger u bene antikomunistet me te eger. Ndersa marksistet e moderuar mbeten marksiste te moderuar.
    Po ky sikur paska shkruajtur per Sali Berishen!!!???

  5. Azio says:

    Te mendosh per nje te ardhme me te mire,eshte nje gje e shkelqyer.Por ceshtja eshte se cilet zgjidhni ju ne krye,per t’ju treguar rrugen e drejte per te arritur kete te ardhme.
    Besimi tek vehtja dhe udheheqesit e drejte e te ndershem,qe sakrifikojne gjithecka per popullin,ky eshte celsi per te hapur te ardhmen qe ne deshirojme.

  6. katarakti says:

    “Marksistet me te zellshem u bene antikomuniste, ndersa marksistet e moderuar ngelen te tille perseri”- thuhet ne shkrim!!!!! Cilin ju kujton kjo shprehje?! Une per veten time jam velerisur nga keta tipa. Kam njohur shume nga keta komunistat e qametit qe “te merrnin gjak ne vetull per Partine” dhe papritmas u bene te gjithe demokrate te thekur. Dikur kishe frike t’i mbanje afer se kushedi se si mund te te padisnin, por pastaj ishin po ata qe te jepnin mend per demokracine! Personalisht komunizmin e kam urryer ne kohen e Enver Hoxhes, por kam filluar ta vleresoj vetem kur njoha kapitalizmin. Ndersa keta plehrat komuniste te asaj kohe sot na jane bere pothuajse te gjithe antikomuniste te flakte! Dhe ne fund po ne shkrim jepet edhe pergjigja e ketyre perdredhjeve: “Njerezit nuk jane qenie me ideale te medha”… Kjo per mua spjegon gjithçka. Spjegon edhe poshtersine e komunisteve te dikurshem dhe te “demokrateve” te sotem.Qe jane nje i vetem. Si perfundim nje shkrim i kendshem.

    1. anticensurë4654 says:

      as më shumë e as më pak PD dhe PS!!
      komunistët ekstremist u bënë PDist!
      komunistët liberalë,dhe ata të përjashtuar nga partia e punës ose të dënuar prej saj si revizionisto çdo lloj gjëje u bënë PSist!!

  7. Objektivi says:

    Pse Evropa perndimore hyri ne krize?
    Sepse masa mori te mira materiale nga puna e bere me shume se sa i takonte DHE shpenzoi pastaj po ne menyre frekuente pa pike pergjegjesie per nje kohe te gjate.
    Pse nuk mund ta beje me nje gje te tille perendimi? Sepse u zgjuan shtetkontinente te tjera dhe nuke lene me perendimin qe te prodhoje me kosto psh 5 euro dhe ta shese me 10 euro, pra te mare padrejtesisht fitime te medha nga produkti, produktqe perendimi i eksportonte me cmime te fryra duke i dhene te mira materiale, pra shperblim te fryre dhe mases punetore te tyre.
    Psh Tani Kina thote e prodhoj me Kosto 3 euro dhe e shes 4 euro.
    Si mund ta ristabilizoi pjeserisht perendimi situaten e saj?
    Nje mundesi eshte qe, te vendose orarin e detyrueshem te punes 6 ore, per te gjithe, ne menyre qe te mund te beje rishperndarjen e asj qe mund te realizoje, ne menyre me harmonike dhe pse me pak, por te gjithe me pak,qe i bie 25% me pak te ardhura per sejcilin,por ama te ardhura per te gjithe.
    Sigurisht duke ristrukturuar kostot e prodhimit e cmimet e shitjes, gjithnje ne raport me shtetkontinentet e tjera.
    Pse klasa punetore u lodh me kapitalizin?
    Nja nga faktoret fondamental eshte puna 8 ore ne dite, plus te pakten 1 ore per te shkuar e ardhur nga puna, 1 ore pushim per ngrenjen e drekes po ne vendin e punes, e keshtu klasa punetore e kuptoi se eshte nje skllave bashkohore, 10 ore ne dite ne pune, qe kur puna eshte me ritem dhe ergjegjesi, te ngjan si 100 ore.
    Vendimi NR 1 dhe me i rendesishmi, me kardinali me i domosdoshmi ne kohen e sotme, ne shkalle nderkombetare eshte: TE BEHET ORARI I PUNES= 6 ore pune dhe unik.

    Po e le te hapur debatin

    1. Arturi says:

      Kjo mund te jete nje zgjidhje e mire. edhe individi lodhet me pak, edhe mund te rritet punesimi, rrjedhimisht dhe kontributet per sigurimet shendetesore dhe sig. shoqerore / pensionin. Natyrisht qe mund te kete edhe ulje rrogash, por shtimi i te punesuarve do e rregulloje tregun.
      Sa me shume te punesuar te jene, aq me shume te ardhura do te qarkullojne ne treg dhe rritet dhe qarkullimi i parase.

    2. nardi says:

      ti nuk e ke iden fare te kapitalizmit, edhe idete e MARKSIT, qe ende kane VLERA TEPER TE MEDHA, i perkasin nje kapitalizmi te vogel dhe teper te eger.

      Sot ky kapitalizem eshte teper modern dhe teper i madh. nje kapitalizem interkontinetal qe ndikon ne ekonomite dhe politikat e te gjitha shteteve kapitaliste ne bote.
      Kapitalizmi sot dominohet nga bankat, jane ato qe provokojne krizat dhe lufterat. Jane ato qe bejne financime dhe te rrjepin pasurite reale si arin, naften, gazin.. etj.
      Jo me kote kriza ekonomike plasi njelloj me krizen ne lindjen e mesme, qe nga lufta e IRAKUT.

  8. Vladimir says:

    Reflektim interesant.
    Mbas kaq shume mallekimesh, me se fundi njerezit kane filluar te gjykojne me kembe ne toke. Veçanerisht ne, shqiptaret, qe jetuam enverizmin, nje zbatim dokmatik ekstrem te marksizmit, e kemi te veshtire ta pranojme se idete e Marksit jane ne themel te Botes se re.
    Marksi na tha qe primare eshte materia, ndersa ne vrapuam me slloganin politika ne plan te pare.
    Marksi na tha qe socializmi eshte kapitalizem pa kapitaliste, sejcilit sipas punes, ne ndertuam komunat.
    Ligji i pare i Ekonomise socialiste eshte rritja e mireqenies, ne, teksa varferonim shqiptaret per 15 vjet me radhe, thoshim qe po ndertojme socializmin.
    Lenini thoshte qe nga dy sistemet do te fitoje ai qe do te siguroje rendimentin e punes me te larte, Ramizi me Nexhmien fshine nga Vjetri statistikor treguesit e rendimenti te pune qe zbrisnin çdo vit.
    Sot ne Boten Kapitaliste- vendet nordike per nga niveli i larte ekonomiko-social jane modeli me autentik- shteti eshte bere posedues i krejt Mbivleres se krijuar ne shoqerite private deri ne masen 60-70% te fitimit.
    Kur Marksi hartonte Manifestin, kapitalistet vinin ne xhep krejt fitimin (sidozot horrapronaret shqiptare deri sot)
    Dhe ka shume per te mesuar…

  9. Agim Anastasi says:

    Marksi u keqpedor nga dy anet. Kapitalistet nuk e donin,arsyja e thjeshte i pengonte te mbushnin portofolet,apo ato qe sot quhen oazet fiskale. Ndersa komunistet e perdoren per te mbajtur pushtetin e te mirat qe vinin pas. Ne se gjigandi qe lindi toka gjermane me vepren e tij Kapitali, do te çohej nga varri e te shihte socializmin e Stalinit, me ligjin themelor ekonomik,qe nuk dihet ku e gjeti, patjeter do te thoshte, pse ky eshte marksizmi ,atehere une nuk jam marksiste. Sa per kapitalizmin,nuk do te habitej,pasi ja ka bere rotgenin 150 vjete para. Po perse po aktualizohet Karl Marksi perseri? E thjeshte ,koha ben te veten, kapitalizmi ashtu si “socializmi” po perjeton fundin e pashmangshem

  10. Para Laci says:

    Te gjith kta paskan perfunduar njesoj… edhe nje ish mesues i mirnjohur i marksizmit ne gjimnazin e lacit e gjen gjith diten neper lokale bastesh dhe duke pi raki. Me te vertete ata marksistet e moderuar mbeten prap te moderuar. Ata te zellshmit duket se paskan qene vetem servila te pushtetit.

  11. Objektivi says:

    Cfar nuk kish kuptuar Karl Marksi ne teorine e tij?

    Ai nuk kish kuptuar, ose me sakte nuk kish aritur te perceptonte se kapitalistet nuk kishin nje menyre per tu pasuruar, por dy menyra.
    E para eshte ajo qe thoshte pak a shume Marksi, puna e papaguar e punetorit( qe dhe kjo eshte relative).
    Maksi nuk kish perceptuar te dyten, te dyten qe mbi 99,99% e eksperteve akoma nuk po arijne ta kuptojne.
    E kush na qenka kjo e dyta atehere?
    E dyta eshte fryrja e cmimeve, psh sic e thash me lart apitalisti e prodhoi me 5 euro e ne vend qe ta shese me 6 a 7-te, fet e shiti me 10 euro copen.
    Dikush mund te thote, kur ndodh kjo?
    Kjo ndodh kur kapitalizsti e kupton se pervec prodhimeve te tij, nuk a ku ti gjej klienti ate lloj prodhimi.
    Kete i bere Evropa perndimore psh Evropes Lindore, a shiti cdo gje te pakten per 40-50 vjet resht cdo gje me cmime super te fryra, duke transferuar pjeserisht te mirat materiale nga lindja ne perendim ne menyre artificiale.
    Cberi kjo?
    Beri qe si kapitalisti ashtu dhe punetoret perendimore te na vishen me xhaketa e kollare me parate e lindoreve.
    Kur ngeci kjo pune, kur vete dicka lindja e mbi te gjitha KIna, India, Turqia, Brazili filluan vete prodhimin e disa gjerave qe gjer dje i bente vec perndimi e ja shiste sa frengu pulen.

    Po ndal me kaq per momentin.

    1. Mehdi Shkreli says:

      Marksi nuk ka asgje te gabuar per kohen e tij dhe Objektivi e spjegon shume mire. Por Marksi studioi vetem ekonomine reale, pasurine qe realizohet nga puna e papaguar dhe raportin mall-para-mall, por nuk kishte asnje njohuri per dollarin qe eshte sot mbret i monedhave boterore, nuk parashikonte eleminimin e kembimit fiks me ar te dollarit, nuk njihte petrodollaret dhe rolin e tyre ne ekonomine boterore, nuk jetoi sistemin financiar boteror qe komandohet nga 10 banka te cilat ndalin apo pershpejtojne zhvillimin ekonomik te planetit sipas interesave te tyre financiare dhe gjeopolitike. Marksi nuk kishte njohuri per derivatet financiare qe percaktojne cmimin e lendeve te para dhe jane zonat e minuara qe prodhojne krizat financiare dhe pastaj krizat ekonomike te sotme. Ai nuk njihte zhvillimin e pershpejtuar te ekonomise te bazuar ne rritjen e eksponenciale te borxhit publik sikurse u zhvilluan vendet evropiane dhe realizuan rrezimin e komunizmin ne bllokun lindor qe planifikonte zhvillimin ekonomik vetem mbi bazen e surplusin financiar marksist etj. etj. Studimi i vepres se Marksit eshte i domosdoshem per nje formim komplet te nje studiuesi te politikes ekonomike por nuk duhet te pretendohet qe Marksi te jep njohurite e duhura per te kuptuar dhe drejtuar zhvillimin ekonomik e sidomos financiar te sotem.

  12. juli says:

    Νυk punoi kurre ne jeten e tij
    Jetoi tere kohen duke bere rrush e kumbulla pasurine e gruase se tij baronesh
    Te tere femijte e tij vdiqen parakohe pasi kemi te bejme me nje prind te papergjegjshem
    La shtatezan sherbetoren e tij Elen dhe nuk e njojti kurre femijen duke e dhene per adoptim dhe per fat te mire te tij qe i vetmi qe jetoi gjate dhe ne jete normale
    I Vetmi qe embeshteti me shuma te medha ekonmike qe Engels(Thuhet se kishin mardhenie erotike ndermjet tyre)
    Dhendri i tij qe jetonte me parat e te tjereve shkruante filozofira si libri i tij “E drejta te jesh dembel”
    DMth Jetonin me parat e te tjereve dhe filozofonin se si mund te jete bota pa punuare kurre ndonjehere
    Nga keta profite (Krisht Muhameth Buda etj)dhe ideolog si puna e ketij bota ka jetuare me shume dhembjese sa ka fituare
    Bota ka nevoje per me shume Ainshtain Volter Russo Paster apo Mandela Gandi e Luterking etj dhe jo per profite e ideolog te genjeshter me perralla ne aspektin teorik krejt shume large jetes reale

  13. Shahisti says:

    Ja ku u ngjallen perseri morrat e kuq e po japin mend nga e para dhe nuk e marrin vesh se po e leshove gurin nga maja e malit (po i besove Marksit) ne fund te fundit guri do te perfundoje ne rreze te malit (shoqeria do te perfundoje ne diktature). Marksi me gjithe ata qe i shkuan prapa nuk eshte gje tjeter vec katastrofa e shoqerise njerezore, sepse ngjall iluzionet e barazise dhe mireqenies per te gjithe pa treguar mekanizma humane se si arrihen keto. Keshtuqe ideologet e medhej pro-marksiste i bien shkurt, sekuestrojne te gjitha pasurite, perdorin per vehte pjesen e luanit dhe kockat dhe therrimet ia hedhin miletit gjoja ne formen e arsimit apo mjeksise falas. Kur prodhimi ngadalsohet dhe ndalon sepse nuk ka me incentiva dhe stimuj, atehere shtrengohen rripat, por “lumturia” vzhdon sepse ne fund te fundit te gjithe jane te lumtur se jane te barabarte, dmth njelloj te varfer dhe meqe nuk ka se ke te kene zili lumturohen. Dhe e fundit, cfare kodosh shpikje eshte kjo “marksist i moderuar”, robi o eshte mrksist, o nuk eshte si puna e gruas o eshte me barre, o nuk eshte me barre. A k grua ne bote qe mund te jete me barre ne menyre te moderuar?

    1. Qytetari says:

      Ka! Ta thote PS-ja e Evis Roshit te kavajes. Pyet edhe Erion Veline se duhet te jete me i mencuri nga ne me keto pune s3 ato e-mailet neper evrope duke akuzuar Berishen per nje grua me barre te moderuar qe na doli kopil mediatik nuk jane pa gje. Pyet pra ne strofkullen e Marksisteve te moderuar me emrin Rilindje ku moderimin e shohin tek mashtrimi publik per te sunduar nje oligarki e papare plot kriminele e bij komunistesh. Me duket se edhe gazeta Tema qe na mbyti me keto provokacia komunistesh eshte e moderuar. Aq e moderuar sa na mbushte faqet Mero me xhihadiste sa per te menjanuar lajmet negative mbi padronin e tij, ai marksisti i rilindur per se prapthi, dhe ne fund kur nuk i erdhi Meros ceku nga ambasada Ruse ne tirane per sherbimet e tija shembullore, i futi nje editorial ku ankoheshe per mediatizmin e tepruar mbi xhihadistet,,, nga te tjeret sigurisht. P.S. faji i Berishes ishte se nuk inicioi de-komunizmin e shoqerise!

      1. Shahisti says:

        Eh mer Qytetar, e harrova ate gruan qe permend ti, ke te drejte. Ama krahasimi qendron se marksistet e moderuar te lene me bare ne menyre te moderuar.

  14. Arber says:

    Karl Marksi dhe Frederik Engels ishin dy shkencetare te vertete, por punen e tyre e perlyen karrieristet politikane ne Rusi dhe Shqiperi.

  15. mimmo says:

    CARL MARX KISHTE PER GRUA,ZHENI MARX. ZHENI FLIRTONTE ME ENGELS ,PER TE MOS U KEQKUPTUAR, MBURREJ ME MIQESINE E NGUSHTE TE MARX ME ENGELS !! PERSHNETJE.

  16. petrit zela says:

    Eshte me se e vertetume se filozofia Marksiste,stimulon dhe nxit fuqishem parazitizmin..Se ne saje te kesaj filozofie u linden tragjedit-me ekstreme ne historin e njerzimit, dhe krijuan plage te perjetshme, ne boten e tyre shpirterore…Duhet kuptuar drejt..Se filozofia Marksiste,si mbeshtetie primare ka Varferin shpirterore te njerzimit. Ndersa ajo kapitaliste mbeshtetet tek bukuria spektakulare,e shpirtit njerzor..

  17. Mersin says:

    Reflektim qe po e sjell koha. Filozofise naive dhe foshnjore te Krishtit iu deshen rreth 300 vjet te zinte vend ne nje bote te paarsimuar dhe vazhdon te sfidoje njerezimin edhe sot. Filozofia brilante Hegelit dhe Marksit do te doje me pak kohe ne nje bote qe po zhvillohet vrullshem dhe ku zgjidhjet per problemet sociale duhen te jene te shpejta.

  18. anticensurë4654 says:

    as më shumë e as më pak PD dhe PS!!
    komunistët ekstremist u bënë PDist!
    komunistët liberalë,dhe ata të përjashtuar nga partia e punës ose të dënuar prej saj si revizionist o çdo lloj gjëje u bënë PSist!!

  19. Enigma. says:

    C’do rend shoqeror qe kalon, ka te mirat dhe te keqijat e veta brenda,por komunizmi ka patur me shume te mira se te keqija,Kapitalizmi eshte ujk per njeriun,kurse komunizmi ka me shume bashkim dhe afersi me njeri tjetrin,reciprokisht.Ne komunizem nuk ekziston papunsia,shfrytezimi,imoraliteti,arroganca,injoranca.Aty njeriu ndjehet i sigurt,e ne paqe me shoqerine,kurse ne kapitalizem,Je gjithmon i kercenuar ,qofte dhe nga komshiu!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje