Të gjitha faktet që lidhin vrasjen e Gaz Çollakut me ekzekutimin e dy miqve të tij te Torra

8 Janar 2016, 10:17Kronika TEMA

Influenca mbi trafikun e drogës dyshohet se çoi në ekzekutimin e Gazmend Çollakut, pas rrëmbimit mbrëmjen e mërkurës. Nga hetimet e kryera mbi krimin e radhës në Durrës është bërë lidhja e krimit me masakrën e ndodhur më 20 dhjetor, pranë të njëjtit vend ku u rrëmbye 34-vjeçari.

Burime nga grupi hetimor dyshojnë se viktima kishte njohje me Ervin Kodrën dhe Endri Caushajn, dy të rinjtë e ekzekutuar mbrëmjen e tri javëve më parë në qytetin e Durrësit, para hyrjes së Drejtorisë së Portit, shkruan gazeta Panorama.

Nga ana e policisë po hetohet se krimi ka lidhje me çështjen e trafikut të lëndëve narkotike brenda dhe jashtë vendit. Kjo pistë ka bërë lidhjen kryesore mes vrasjes së Gazmend Çollakut dhe ekzekutimit të dyfishtë të Kodrës dhe Caushajt. Hetimet kanë zbuluar se Çollaku dhe Kodra, të dy banorë të qytetit të Durrësit dhe afërsisht të një moshe, kanë qenë shokë mes tyre dhe ishin të implikuar në rrjetin e narkotikëve.

Këtyre fakteve u është mëshuar më tepër nisur nga koha e afërt e ekzekutimit të miqve të vjetër, por dhe rrethanat e krimit. Që nga koha e vrasjes së Kodrës dhe Caushajt, më 20 dhjetor, kishin kaluar pak ditë.

Ekzekutimi i tyre u bë pak metra larg vendit ku u rrëmbye, para se të qëllohej për vdekje, Gazmend Çollaku. Duket se autorët e kanë pasur synimin e tyre vrasjen e personit të tretë të grupit, këtë herë duke e bërë eliminimin e tij fizik jo në mes të qytetit, por në një zonë tjetër, ku trupi i viktimës mund të gjendej kollaj.

Dyshohet se edhe makinat e përfshira në dy ngjarjet të jenë të njëjtat. Në të dyja ngjarjet, autorët kanë përdorur makinë tip “Audi” të errët. Njëra prej kamerave të portit ka fiksuar pamje ku, pas vrasjes së 20 dhjetorit, një “Audi” u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe tentoi të futej në hyrjen numër dy, e cila përdoret vetëm për të dalë nga porti, por pastaj iu drejtua Urës së Dajlanit, i ndjekur nga një “Benz” me ngjyrë të errët. Edhe autorët e rrëmbimit të Çollakut u paraqitën me “Audi A6” të zi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje