“Aston Martini” planifikon të hapë një fabrikë në Maqedoni

13 Janar 2016, 10:59Rajoni TEMA

Përkundër krizës së brendshme politike Qeveria e Republikës së Maqedonisë prej vitesh po zhvillon një fushatë të suksesshme të tërheqjes së investitorëve të huaj.

Firma gjermane «Dräxlmaier», e cila fillimisht kishte planifikuar të investonte në Kosovë, megjithatë ka hapur në Maqedoni një linjë prodhimi. Në qytetin Kavadarci kjo kompani gjermane ka hapur rreth 4 mijë vende pune. Për këtë investim «Dräxlmaier» është shpërblyer m vendin e parë nga gazeta e famshme e ekonomisë «Financial Times».

Gazeta kishte vlerësuar 16 mijë investime direkte në mbarë botën dhe kishte arritur në përfundim se investimi më i mirë është ai i «Dräxlmaier» në Kavadarci.

Tani Qeveria e Maqedonisë është në rrugë të mirë të sigurojë edhe një investim të ri nga një firmë prestigjioze. Sipas agjencisë së lajmeve «Reuters» firma e famshme britanike e veturave «Aston Martin» synon të ndërtojë një fabrikë në Maqedoni, ku do të prodhohej modeli i ri i «Crossoverit» të famshëm. Agjencia i referohet një insajderi brenda firmës së veturave si dhe një burimi nga Qeveria maqedonase.

Prej kohësh qarkullojnë informacion se «Aston Martin» është në kërkim të një vendi për të hapur një fabrikë të re. 19 rajone konsideroheshin si të përshtatshme, mes tyre edhe lokacione në Britaninë e Madhe, në Alabama (SHBA) dhe në Lindjen e Afërt.

Agjencia «Reuters» thekson se Maqedonia në të vërtetë kishte rënë nga gara, por tani mendohet se Qeveria e këtij vendi e ka përmirësuar ofertën. Sipas «Reuters» një zyrtar i qeverisë së Maqedonisë ka deklaruar: «Kemi bërë një ofertë të mirë». Disa ekspertë të industrisë së automobilave mendojnë se ende është herët për të parashikuar se Maqedonia do ta fitojë garën për të tërhequr ndërtuesin britanik të veturave. Ndërtimi i fabrikës kërkon së paku 5 vjet./ DP

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje