Besiktas blen Mario Gomez për... 1000 euro!

15 Janar 2016, 16:51Sport TEMA

Vetëm pak ditë më parë, Andrea Rogg kishte njoftuar se “për blerjen e kartonit të Mario Gomez nga Besiktasi ishte përcaktuar një çmim simbolik”. Por, askush nuk e kishte imagjinuar që shifra do të ishte kaq simbolike.

Nga Turqia vijnë detajet e para të blerjes përfundimtare të kartonit, për sulmuesin e huazuar nga Fiorentina. Mediat lokale turke cituan Gokhan Sari, një drejtues të Besiktas, sipas të cilit klubit i mjafton të paguajë vetëm 1.000 euro për të mbajtur në ekip gjermanin.

Në fakt, Fiorentina nuk do të përfitojë para shtesë nga Besiktas, përveç detyrimit financiar për periudhën e huazimit të lojtarit. Klubi nga Firence do të përfitojë vetëm një përqindje në rast se në të ardhmen Mario Gomez do të shitet.

Shifra është e papërfillshme për futbollin modern dhe aq më tepër kur kujton se në vitin 2009, Bayern Munchen e afroi sulmuesin nga Stuttgart për afro 35 milionë euro, që është edhe blerja e tretë më e shtrenjtë e Bundesligës.

Mario Gomez ka realizuar 25 gola në 61 ndeshje me përfaqësuesen gjermane, ndërsa në këtë sezon ka realizuar 13 gola në Superligën turke, duke ndihmuar Besiktasin të jetë në krye të kampionatit.

Sulmuesi u aktivizua në minutën e 61-të edhe në Elbasan Arena, në sfidën e parë të grupit në Europa League me Skënderbeun, ndërsa ka shënuar edhe dy gola në këtë aktivitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje