Temperaturat në ditët në vijim do të shkojnë deri në minus 17 gradë në zonat malore.
Sot në mëngjes, temperatura në Bulqizë ka arritur deri në -15 gradë.
Ngricat kanë pushtuar edhe zonat fushore të vendit, ndërsa më problematike situata paraqitet në zonat verilindore dhe juglindore.
Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme, Shemsi Premçi bëri të ditura këtë mëngjes situatën më problematike, duke theksuar se në disa zona trashësia e dëborës ka arritur deri në 1.5 metër, sigurisht në zonat e thella malore të vendit.
Ai paralajmëroi se temperaturat do të bien sërish në ditët në vijim.
Kreu i Emergjencave tha se ka pasur ndërhyrje në disa zona për të shpëtuar banorët nga izolimi.
Ndërkohë, situata problematike paraqitet edhe në disa akse rrugore për shkak të vërshimit të lumenjve.
Kështu, Rruga e Kombit vazhdon të jetë problematike në zonën e Skurajt.
Për shkak të vërshimit të lumit Mat dhe Fan, rruga ka pësuar dëmtime në një pjesë të saj. Edhe shkarkimet nga një HEC në këtë zonë, ka përkeqësuar situatën.
Për sa i përket ndihmave, Premçi tha se po punohet për të dërguar ushqime në kohë.