Italia, Greqia dhe Shqipëria takim për gazsjellësin TAP

25 Janar 2016, 16:24Ekonomia TEMA

Në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u zhvillua sot takimi i parë i Komisionit në kuadër të Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për projektin e gazsjellësit TAP.

Komisioni i nivelit teknik, me përfaqësues nga të tre shtetet u ndoq nga afër prej përfaqësuesve të shoqërisë TAP. Në hyrje të takimit, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri mbajti një fjalë përshëndetëse në të cilën dha vlerësimet e tij për ecurinë e deritanishme të projektit të ndërtimit të gazsjellësit.

“Gazsjellësi është një projekt kyç e strategjik për infrastrukturën e gazit në rajonin tonë. Punimet po shkojnë sipas parashikimeve në të gjitha vendet ku kalon ky projekt”, u shpreh z.Gjiknuri.

Sipas tij, Shqipëria po ndërmerr veprimet e nevojshme për tu bërë jo vetëm vend tranzit i gazit por edhe konsumator. “Shumë shpejt do mund të përmbyllim edhe Masterplanin e gazit në Shqipëri, një dokument me shumë rëndësi për të ardhmen e gazifikimit të vendit”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Ai inkurajoi bashkëpunimin mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për të garantuar mbarëvajtjen e fazës aktuale të ndërtimit të gazsjellësit.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e tre shteteve shkëmbyen opinionet e tyre dhe vlerësimet respektive të zhvillimeve të deritanishme në kuadër të projektit TAP dhe kontributi i tij në zhvillimet e sektorëve përkatës të gazit në të tre vendet.

Angazhimi i Komisionit të Zbatimit në këtë fazë të zhvillimit të projektit TAP, duke pasur parasysh natyrën ndërkufitare të gazsjellësit, do të bëjë të mundur krijimin ndërmjet palëve të kushteve të koordinuara dhe të njëtrajtshme, në lidhje me tërësinë e projektit, përfshirë këtu kushtet teknike, shoqërore, ato në lidhje me sigurinë, mjedisin, komunitetin dhe kushtet e punës.

Komisioni ka një detyrë konkrete që të punojë me investitorin e projektit me qëllim rënien dakord mbi një protokoll që do të nënshkruhet midis palëve, i cili do të krijojë një strukturë kushtesh të koordinuara dhe të njëtrajtshme, të cilat do t’i zbatohen projektit në tërësi dhe me

miratimin e anëtarëve të tij, do të ndërmarrë çdo veprim tjetër të konsideruar të nevojshëm për të lehtësuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e tre shteteve dolën me një deklaratë të përbashkët në të cilën mbështesin fuqimisht bashkëpunimin praktik mes shoqërinë TAP AG me secilin prej vendeve tona. “Gjë e cila ka bërë që jo vetëm projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik të jetë projekti i përzgjedhur si fitues nga Konsorciumi Shah Deniz në Azerbajxhan, por edhe të fillojë aktualisht me shumë sukses fazën e punimeve mbështetëse në territorin Shqiptar, si dhe rolin e këtij projekti dhe të kompanisë TAP AG, në mbështetje të zhvillimit të sektorit të gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe direkt për zhvillimin e projektit IAP”, thuhet në deklaratë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje