Bizneset mbledhin lekë të paguajnë detyrimet, bie euro

22 Janar 2016, 18:48Ekonomia TEMA

Një euro u këmbye sot me 137.7 lekë, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke rënë me 0.66 lekë në raport me një ditë më parë. Pasi kishte shënuar rritje ditët e para të janarit, duke iu drejtuar nivelit të 140 lekëve, monedha e përbashkët ka rënë sërish ndjeshëm ditët e fundit.

Sipas drejtuesve të agjencive të këmbimit valutor gjatë katër ditëve të fundit monedha e përbashkët europiane ka pësuar lauhatje të shpeshta kundrejt lekut dhe kjo për disa arsye. Arsyeja e parë është efekti i “kundërt i rritjes” ( siç e quajnë ata). Pas forcimit që euro pësoi në ditët e Vitit të Ri, kur kërkesa ishte e lartë, tashmë tregu i ngopur reagoi në tendencë në ulje. Ekspertët thonë se kjo ishte një sjellje e pritshme, raporton Monitor.

Një tjetër faktor ata nënvizojnë faktin se fundi i muajit ( më saktësisht data 20) përkon me pagesat e TVSH-së dhe atë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kryesisht nga kompanitë e mëdha. Këto të fundit nxitojnë të kthejnë valutën në lekë, për të shlyer detyrimet fiskale. Kjo dukuri po vërehet muajt e fundit, që kur ka filluar aksioni anti-informalitet.

Megjithatë ata shprehen se në vëllim ecuria e euros në tregun valutor shqiptar është e dobët dhe ka një mbingarkesë të stimuluar.
Ekspertët gjatë kësaj jave kanë vënë re edhe një tjetër efekt që ka të bëjë me sjelljen e bankave tregtare që ndjekin tregun e lirë, e që konsiderohet më tepër si një efekt për “inerci”.

Ata parashikojnë që niveli i këmbimit të euros me lekun të jetë në nivele normale gjatë javës së ardhshme, ndërsa nuk priten zhvillime gjatë fundjavës, kur vëllimet janë tejet të ulëta ose afër zeros.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje