Bale refuzon United, do “fronin” e Ronaldos!

26 Janar 2016, 19:23Sport TEMA

Për momentin atmosfera në “Old Trafford” është një kaos i vërtetë, pasi nën ecurinë e Louis Van Gaal skuadra e Manchester United po ecën edhe më keq se në kohën e David Moyes, por mungesa e një plani të qartë te “djajtë” nuk ka qenë arsyeja përse Gareth Bale nuk preferoi të shkonte te United. “Kjo histori është një marrëzi e vërtetë. Ne nuk kemi diskutuar kurrë për këtë mundësi,” – tha menaxheri i Bale, Jonathan Barnett. Barnett po i përgjigjej një hipoteze se Bale ishte tunduar seriozisht nga oferta e Ed Woodward, por nuk preferoi mungesën e një projekti sportiv në Manchester.

Gareth Bale ka qenë objektivi kryesor në merkato për Manchester United dhe do të tentojnë edhe në verën e ardhshme për të marrë shërbimet e 22-vjeçarit. Megjithatë, për momentin Gareth Bale dhe përfaqësuesit e tij e mbajnë derën të mbyllur sepse uellsiani synon të fitojë trofe të panumërt te Real Madrid. Kjo ishte idea që i nguliti në kokë Rafa Benitez që në fillim të verës, kur u fol se United kishte bërë gati 100 milionë uro. Bale ka fituar Kupën e Mbretit, Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube, në sezonin e parë me Realin, ndërsa në sezonin e fundit e ndjeu veten disi të izoluar në një skuadër ku “komandon” Cristiano Ronaldo.

Megjithatë, Bale vendosi të qëndrojë te Real Madrid, edhe pas bisedës që pati me Rafa Benitez, kur ky i fundit zuri vendin e Carlo Ancelotti. Janë të shumtë ata që mendojnë se Benitez e kishte vendosur ta bënte “yllin” e Real Madrid dhe kjo ishte një nga arsyet përse Bale u mërzit kur u largua trajneri. Gjithsesi, ai shënoi tre gola në ndeshjen e parë të Zinendine Zidane si trajner i Real, duke treguar dëshirën e tij personale për të qenë i suksesshëm në “Santiago Bernabeu”. Futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit mund të thyejë rekordin e tij, por preferon të qëndrojë te Reali.

Projekti i parashtruar nga Benitez (ndoshta edhe presidenti Perez) i ka pëlqyer shumë Bale dhe po pret momentin që Ronaldo të shuhet, për t’u bërë futbollisti personifikues i Real Madrid, duke u futur në garë për “Topin e Artë”. Që në këtë sezon, Cristiano ka treguar se e ka të vështirë të ruajë parametrat që ka pasur në vitet e fundit duke u kthyer “tokësor i aftë” si Suarez, Pogba, Benzema, Neymar, Ibrahimovic dhe Bale, nga të qenit “jashtëtokësor” si Messi. Bale pret momentin e tij, duke e ditur se është në skuadrën më të famshme të botës. Ai do të fitojë trofe me Real Madrid dhe është e sigurt se Manchester United nuk do të arrijë ta marrë as në verën e ardhshme./ Telesport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje