Edhe durimi e ka një fund. Drejtuesit e Manchester United tashmë kanë vendosur, Louis Van Gaal do të largohet përpara fundit të këtij muaji për ti lënë vendin e Jose Mourinhos.
Për këtë janë të bindura mediat angleze që e japin si të sigurtë largimin e holandezit dhe emërimin në krye të skuadrës të teknikut portugez.
Kupa u mbush me humbjen ndja Southamptonit, një ndeshje që Manchesteri i Van Gaal e luajti tmërrësisht keq, madje edhe vetë holandezi e konsideroi si paraqitjen më të dobët që nga periudha që ai është në krye të Djajëve të Kuq.
Me Van Gaal-in në stol United i këtij sezoni ngjason më shumë me një skuadër pa busull dhe që nuk prodhon aspak lojë.
5 pikë diferencë me Tottenhamin e vendit të katërt për këtë Manchester janë shumë dhe për të mos qëndruar edhe një tjetër sezon pa Champions, ashtu si përpara dy vitesh drejtuesit e Red Devils kanë kontakuar Jose Mourinhon.
Louis Van Gaal në dy sezone te United ka shpenzuar shumën e cmendur të 350 milionë eurove, duke dështuar me shumicën e blerjeve pasi tashmë lojtarë si Martial, Depay apo Schneiderlin nuk vlejnë as gjysma e parave të investuara për ta.
Tifozët në Old Trafford kanë nisur ta vërshëllejnë dhe për holandezin orët në krye të Djajëve të Kuq janë të numëruara.
Në ishull janë të bindur se në ndeshjen e radhës në kampionat në stolin e United do të ulet Special One, me Jose Mourinhon që pas Chelsea-it pritet të drejtojë një tjetër skuadër në Premier League.