Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur garën për furnizimin me ushqime për vitin 2016 me qëllim plotësimin e nevojave ushqimore të të dënuarve dhe të paraburgosurve të cilët ndodhen në 22 institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në varësi të Drejtorisë.
Në total do të tenderohen 306 milionë lekë ( 2.2 milionë euro).
Ndërsa sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve në fund të dhjetorit numri i personave në ambientet e burgjeve dhe paraburgimit arrin në 5934 persona.
Duke marrë në konsideratë fondin vjetor për ushqimet me numrin të burgosurve i bie që kuota vjetore për një të burgosur është 51 648 lekë, ndërsa kuota e ditore vetëm 141.5 lekë. Hapja e ofertave do të bëhet në datën 12 shkurt 2016.
Për blerjen e artikujve bazë sic janë oriz, fasule, vaj, sheqer dhe makarona do të shpenzohen 52,839,222 lekë pa TVSH.
Për blerjen e mish, bulmet dhe vezë fondi limit në total është 145.112.049 lekë, raporton Monitor.
Ndërsa për blerjen e bukës, frutave dhe perime fondi limit në total është 108.530.291 lekë pa TVSH dhe vihen në dispozicion nga buxheti i shtetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka në plan zhvillimin e një strategjie të përshtatshme për sistemin e burgjeve dhe kushtet sociale në Shqipëri. Mbi këtë strategji do të hartohen programe të specializuara për të rritur punësimin e të burgosurve për çdo burg duke pasur parasysh kushtet e çdo institucioni.