Biznesmeni fierik Nuredin Suli, që i shpëtoi një atentati me eksploziv, ka rrëfyer konfliktet që ka me familjen Sulo.
Duke folur në një intervistë për Shekullin, ai thitë se ka hyrë në bisedime me familjen Sulo, por pavarësisht kësaj, i vranë vëllain në derën e shtëpisë.
Z. Suli, pas asaj që ndodhi, jeni i mbrojtur?
Po. Më kanë ofruar mbrojtjen menjëherë sapo i lajmërova për atë çfarë ndodhi, pasi as unë nuk e kuptova se çfarë ishte veç kur më tha roja i garazhit ku lë makinën çdo herë.
Ndjeheni i mbrojtur, ose më saktë, i sigurt?
Nuk di se si ta shpjegoj, por të jesh i sigurt këtu është pak e vështirë. I mbrojtur momentalisht edhe jam, por nuk ka lidhje të jem i mbrojtur vetëm unë. Ne kemi familje dhe jemi vrarë një herë. Momentalisht ndjehem mirë edhe për faktin që i shpëtova atentatit dhe mbase nuk e kuptoj mirë, por siguria këtu qenka pak problem.
Po pjesa tjetër e familjes që keni në Fier, janë të mbrojtur? Keni kontaktuar, janë tëtrembur?
Janë të tronditur në fakt. Kam folur me ta dhe sigurisht që janë edhe të trembur. Tani të gjithë trembemi për jetët e njëri-tjetrit. Ata nuk kanë mbrojtje, të këtij lloji që kam unë që prej momentit kur e vendosi policia, por atje janë pak më të sigurtë, sado që ka njerëz që u rrinë afër në raste të tilla. Ne nuk i kemi bërë kujt kurrë asnjë të keqe dhe unë nuk di se si mund të të ndodh që të të vendosë tjetri minën pa i bërë gjë kujt.
Keni ndonjë të dyshuar z. Suli?
Absolutisht jo! Unë dhe as familje ime. Kur them familja ime, përfshij të gjithë njerëzit e mi. Nuk kemi patur konflikt me asnjë person në jetën tonë. Rasti i parë në jetë ishte konflikti me vrasësit e vëllait tim. Unë s`mund të them se janë ata, pasi kjo i takon prokurorisë dhe policisë ta bëjë dhe duhet ta bëjnë në fakt, por unë di të them publikisht, se ne nuk kemi një rast të vetëm sherri apo konflikti me ndonjë person tjetër për veç se kur ndodhi ajo që na ndodhi. Ata na vranë në derën e shtëpisë sonë.
Kthehemi tek ajo ngjarje e rëndë për familjen tuaj. A tentuat ndonjëherë të uleshit me ata njerëz aqë të shuanit atë konflikt?
Po. Sigurisht që jo vetëm kam tentuar, por edhe jemi ulur. Kemi biseduar shtruar për atë çështje. Mendova dhe besova se gjithçka u zgjidh pasi biseda u bë e qartë, por nuk ndodhi asgjë nga ato që u thanë. Pas disa muajsh, ndodhi ajo që ndodhi. Ata ma vranë vëllanë në punën e tij, në tokën e tij dhe në shtëpinë e tij. Ne i kemi denoncuar kërcënimet edhe gjatë seancave gjyqësore. Unë gjithashtu denoncova edhe korrupsionin në radhët e drejtësisë për këtë çështje. Megjithatë po pres dhe do të vijoj të pres që autoritetet kompetente të gjejnë autorët dhe t`i çojnë para drejtësisë.
Në një njoftim që policia ka nisur për ngjarjen tuaj, ju etiketon si person me precedentëpenalë. Çfarë komenti keni, ose më saktë, për çfarë precedenti bëhet fjalë?
Unë nuk e kuptova e as nuk po arrij ta kuptoj sërish së çfarë është kjo historia e precedentit tim. Këta nëse më gjejnë ndonjë proces hetimor ose gjyqësor në jetën time, ose të ndonjërit në familjen time, atëherë. Nuk po e besoj ende, pasi në fakt nuk e kam parë deklaratën e policisë, nëse është fiks kështu siç po flitet, por unë siguroj ju dhe të gjithë opinionin se kurrë s`kam qenë pjesë e ndonjë procesi në gjykatë. Por nëse kjo është e vërtet, do të ketë punë avokati edhe më këtë çështje. Por fillimisht kam tjetër hall. Të zgjidhet ky dhe do ta zgjidh edhe me policinë çështjen e precedentit tim. Nuk ka asnjë lloj problemi.
Ju besoni se do ta zgjidhi policia këtë “hallin” tuaj?
Kam besim, pasi duhet ta bëjë. Duhet të bëjë këtë dhe jo të dalë dhe të më konsiderojë mua person me precedent. Unë besoj se policia dhe prokuroria bashkë do të kenë mundësinë të hedhin dritë mbi gjithçka ka ndodhur, pasi kjo që më ka ngjarë mua është e rëndë!