BATUTAT/ "Babagjysh gënjeshtar, mjerë nipërit e tu", çfarë nuk u dëgjua në Kuvend

13 Shkurt 2016, 09:39Politika TEMA

Parlamenti është përfshirë pardje në debate të ashpra mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-­kreut të demokratëve, Sali Berisha, për qëndrimin kundër draftit të qeverisë për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Kryeministri Rama ka kërkuar nga Berisha që të shprehet përse opozita ndryshoi qëndrim për projektligjin e Byrosë, i cili u hartua në bashkëpunim me ekspertët amerikanë.

Rama ka sulmuar ashpër Lulzim Bashën, duke e quajtur si “administratorin e kopshtit pa drekë” dhe që “s’mban përgjegjësi për ato që bën”.

Por gjatë debatit, Berisha dhe Rama e kanë quajtur njëritjetrin si “gënjeshtar”, të cilët nuk kanë respektuar dakordësinë për projektligjin e Byrosë.

Replikat:

Sali Berisha: Dua të dënoj me ashpërsi aktin tuaj të papërgjegjshëm që urdhëroni antenat tuaja në media për të nxjerrë në prag të kësaj vizite korbën e zezë të shqiptarëve, Nexhmije Hoxhën, në një emision televiziv prej 3 orësh.

Edi Rama: Për ty Enveri jeton akoma…

Sali Berisha: Unë të përgëzoj ty që fole sot më me zemër dhe e kuptoj që këtë sot e ke nga prania në sallë e zotit Manjani…

Edi Rama: Ju shmangët detyrimin që të flisni këtu për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe për mashtrimin e madh publik që bashkë me administratorin e kopshtit pa drekë keni bërë, duke i rënë komplet ndesh të vërtetës.

Flamur Noka: Ne jemi dakord me Byronë po të jetë në varësi të kryeprokurorit, jo Saimir Tahirit… S’ka Byro për Samir Tahirin.

Edi Rama: Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament, është drafti me të cilin jeni dakordësuar ju, 100%… Ju tjerët që në kopshtin pa drekë, s’ju japin as drekë, ka mundësi të mos merrni përsipër të flisni se nuk dini asgjë.

Jozefina Topalli: Tërhiqi vëmendje, të flas brenda etikës…

Edi Rama: Jozefinë, mos fol për etikën se ti e di më mirë se të tjerët se në dorë të kujt ka ngelur Partia Demokratike. Të paktën mos bëj hipokrizi këtu, sepse dihet botërisht se çfarë mendimi ke për administratorin e kopshtit. Shpëtim Idrizi: Ju lutem mos ndërhyni se zoti Berisha mori vetëm mbështetje dhe përshëndetje. Edi Rama­Jozefina Topallit: Ti e di ça po heq dhe ti e di si po mbahesh… Dhe mos ma bëj me shenjë që të ndaloj, mos më ngacmo… Jozefinë, këtu çështja e Byrosë asht bërë një çështje shpifjesh dhe gënjeshtrash. Pasi ne kemi miratuar draftin e dakordësuar jo 99%, por 100% të dakordësuar me ju, jo me ty, po nuk e di se me kë, se nuk dihet kujt i ka ngelur në dorë ajo parti, tani ju dilni dhe thoni një gënjeshtër edhe më të madhe, që ky është drafti që më nxori mua cullak, unë për të dal cullak nuk kam nevojë të bëj drafte me ju…

Edi Rama: S’ka asnjë negociatë me ne!…

Sali Berisha: S’ka, dakord që s’ka, e shoh që s’ka negociata… Një nga juristët më të mëdhenj të kohës së sotme, ish­drejtor i institutit “MaxPlan”, ndofta instituti më prestigjioz që ka toka gjermane, ishkëshilltar i qeverive gjermane apo SHBA-­ve. Ky zotëri, kur u njoh me konceptin e tij (Ramës) të Byrosë, mënyrën e ndërtimit të saj, në mënyrë të revoltuar doli në mediat shqiptare dhe tha se kjo nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik.

Ditmir Bushati: Si e ka emrin ky?

Sali Berisha: Po thua të them emrin, ju jeni aq të dobët, nuk njihni asgjë, ju njihni vetëm letra bixhozi, nuk njihni shkencëtarë. Profesor Frouar…

Ditmir Bushati: Nuk është profesor ai…

Sali Berisha: Rri ti, se ti nuk njeh ti. Ku e ke atë shokun tënd, Genti Xhixhën në Kubë?!

Sali Berisha: Ky profesor është një nga tre personalitetet që u zgjodh nga Bashkimi Europian si një nga tre të urtët e Europës për të shqyrtuar rastin e Austrisë. Ditmir Bushati: Po e ke paguar këtë ti…

Jozefina Topalli i bërtet Bushatit: Po mbylle mor gojën ti…

Sali Berisha: Po ti je një turp i madh more, je dhe ministër. Gjë e turpshme që flet në këtë mënyrë, po s’paguhet kurrë ai. Ka pasur kontratë për të mbrojtur Kosovën në Hagë si një vigan i vërtetë, dhe ka fituar gjyqin së bashku me avoketër të tjerë. E ka paguar kombi shqiptar, po ti s’je njeri absolutisht!…

Jozefina Topalli: Ti je një amator…

Sali Berisha: Të ka ardhur keq ty që ka mbrojtur Kosovën, ti je i turpshëm… Për Byronë u bë drafti i dytë, i cili pasqyronte një fakt, kryesimin nga prokurorë të ekipit antikorrupsion, por e vendoste në varësi të Saje qorrit. Por unë, absolutisht, 100 herë përpara ia jap Shullazit… Shullazit ia jap!…

Sali Berisha: E dëgjoni, u çmend fare…

Edi Rama: Babagjysh gënjeshtar! Mjerë nipërit dhe mbesat e tu, të kesh babagjyshin gënjeshtarin më të madh të kombit.

Sali Berisha: E shikoni, rrodhi fare… Po të them se nëse ti je i gatshëm të bëjmë amendimet e ligjit në përputhje me sugjerimet e Komisionit të Venecias, hajde të votojmë.

Edi Rama: Çfarë gënjeshtari që je…

Sali Berisha: Po ti more je gënjeshtar i pafytyrë… Je marrë gjatë me kryetarin e PD­së. E ke të shkurtër shumë jetën në politikë, se me dy fantazma në shpirt, një të Sali Berishës dhe një të Lulzim Bashës, ti do të thyesh qafën shumë shpejt…/ Panorama

1 komente në “BATUTAT/ “Babagjysh gënjeshtar, mjerë nipërit e tu”, çfarë nuk u dëgjua në Kuvend”

  1. Edkari says:

    Vetem Edi Rama nuk ka moral te flase per mbarevajtjen e familjes.
    Kete ju socialistet e dini mjaft mire se dhe ju jeni nga e njejta cope e bajges.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje