Kristi Pine: Mu premtuan 50 mijë euro për vrasjen e Majlind Lilës

15 Shkurt 2016, 09:32Kronika TEMA

Në muajin dhjetor 2014, Kristi Pine në bashkëpunim me Fatos Koka, Elson Merdani dhe Albano Beqiraj kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Majlind Lilës.

“Konkretisht ka rezultuar se Majlind Lila ka bërë kallëzim penal në lidhje me një problem që ka pasur me Mehmet Kokën dhe djalin e tij Rakip Koka, të cilët janë administratorë të një hidrocentrali që kanë bërë në tokën e tij, në vendin e quajtur Gjon-Martanesh, Bulqizë, konflikt për të cilin ai është në gjykatë që prej pesë vitesh. Me këta persona ai ka pasur dhe konfrontime fizike e verbale në lidhje me pronësinë e tokës.”, thuhet në relacionin e Prokurorisë për gjykimin e 13 të akuzuarve.

Ngjarja ka zënë fill në vitin 2010, në nëntor, poshtë pallatit të vëllait të tij kanë ardhur Elton Koxheri dhe Shkëlqim Koxheri, së bashku me tre persona të tjerë, ku e kanë rrahur shumë keq Lilën, e kanë masakruar fare, saqë ka qenë në gjendje të rëndë.

Nga këta persona ai ka pasur kërcënime me jetë, në shumë mënyra, me anë të telefonit, si ai, po ashtu dhe gruaja e tij.

Në datën 04.12.2014, rreth orës 13:20, ka vënë re të pandehurin Fatos Koka, së bashku me një person tjetër, që ishte i ri, afro 24 vjeç, trup i shkurtër afro 1.65 cm, flokët të zeza dhe të qethura anash shkurt, mbante të veshur një xhup të zi dhe mbante një palë syze të errëta, që ka rezultuar të ishte shtetasi nën hetim Kristi Pine.

Pasi kanë kaluar disa kohë, në muajin shkurt, Lila ka parë në media se një person i moshës 24 vjeç është kapur, pasi dyshohej se ishte vrasës me pagesë.

Të nesërmen ka parë në gazetë fytyrën e personit që policia kishte kapur si vrasës me pagesë dhe ishte i njëjtë me personin që kishte parë te stacioni i autobusit me të pandehurin Fatos Koka.

Në ato momente ka menduar se Fatos Koka kishte për qëllim që t’i tregonte këtij personi që ta vriste.

Në dëshminë e dhënë me datë 10 korrik 2015, lidhur me planin për vrasjen e Majlind Lilës, i penduari Kristi Pine ka shpjeguar:

“Së bashku me Alban Beqirajn dhe Elson Merdanin, kunati i Admir Tafilit, kemi qenë me një mjet tip ‘Volkswagen’ dhe Elsoni më ka thënë se: ‘do takojmë atë personin për muhabetin që kemi bërë’, pasi kishim folur që në muajin nëntor për këtë gjë dhe se Elsoni kishte premtuar 15 mijë euro dhe një pistoletë 15-she, për të kryer një vrasje”.

Kristi Pine deklaron se Elsoni i ka treguar personin në afërsi të qendrës në Tiranë duke i thënë: “Ky është personi që do të takosh, është personi i punës për të cilën kemi bërë muhabet”.

Pas kësaj, Pine ka dalë nga automjeti dhe e ka takuar personin që ishte me gjatësi afro 1.75 cm, trup i shëndoshë, ndërsa Elson Merdani dhe Albano Beqiraj kanë qëndruar në automjetin tip “Volkswagen Passat” me targë AA 306 JO.

I penduari Kristi Pine ka takuar porositësin e vrasjes dhe tregon diskutimin mes tyre:

-Ke bërë muhabet me atë?

-Po, kam fol.

-Ky është personi (që në atë moment ndodhej në krahun tjetër të rrugës)

-Për sa?

-Për 50 mijë euro.

Nga ballafaqimet me foto dhe gjatë kryerjes sw veprimit të njohjes, ai ka treguar se porositësi është i arrestuari Fatos Koka.

Fatos Koka dhe Majlind Lila kishin një konflikt pronësie për një tokë ku do ndërtohej një hidrocentral.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje