Meta në Suedi: Reforma në drejtësi duhet miratuar përmes konsensusit

22 Shkurt 2016, 17:19Politika TEMA

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nisi sot një vizitë dy ditore zyrtare në Suedi me një takim në Ministrinë e Drejtësisë dhe Migracionit me Sekretarin e Shtetit, Lars Westbratt.

Meta dhe Westbratt diskutuan mbi situatën e fundit të lëvizjeve migratore dhe azil kërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, duke ndarë bindjen se kjo krizë e paprecedentë e refugjatëve, e cila ka prekur si rajonin e Ballkanit ashtu edhe vendet si Suedia, po sfidon vlerat e solidaritetit evropian.

Duke shprehur mirënjohjen për rolin pozitiv që Suedia luan brenda Bashkimit Evropian pro zgjerimit, Meta konfirmoi se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e fortë suedeze, dhe në këtë kontekst Kuvendi është i vendosur të inkurajojë përshpejtimin e reformave që kërkon Integrimi Evropian i vendit, veçanërisht asaj në sistemin e drejtësisë, reformë e cila duhet miratuar pa vonesa përmes konsensusit dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm politik, në koordinim me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje gjithashtu se sfidat e fundit të refugjatëve, si dhe ato të terrorizmit dhe trafiqeve ilegale që po ndjehen në të gjithë kontinentin evropian, janë sfida të cilat kërkojnë më tepër solidaritet evropian, më tepër koordinim mes vendeve të BE dhe atyre në rajonin e Evropës Juglindore, dhe jo mure midis vendeve.

Meta u takua edhe me Ministrin për Sipërmarrje dhe Inovacion të Suedisë, Mikael Damberg. Kryetari i Kuvendit Meta shprehu vendosmërinë për të avancuar me reformat madhore të vendit, kryefjala e të cilave është reforma në sistemin e drejtësisë, si kyçe jo vetëm për avancimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian, por edhe për një klimë më të besueshme biznesi dhe investimesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje