Si në filma/ Tenton të nxjerrë nga burgu me helikopter të dashurin terrorist

23 Shkurt 2016, 09:39Rajoni TEMA

Policia greke ka shkangur një tjetër arratisje të bujshme nga burgu famëkeq i Korridhalosë.

Mediat greke raportojnë se të dielën pasdite, Nikos Maziotis, njëri prej anarkistëve më të mëdhenj të vendit dhe anëtar i grupit terrorist “Lufta Revolucionare” ka tentuar të arratiset me helikopter.

Ka qenë e dashura e tij, Pola Rupa, edhe ajo pjesëtare e grupit terrorist, e cila ka marrë një helikopter me qera nga një hotel luksoz pranë Tebës dhe ka fluturuar mbi zonën ku ndodhet ky burg, raporton Ora News.

Rupa kishte përcaktuar si destinacion fillestar fluturimin nga Peleponezi në ishullin e Kythnos. Por më pas nën kërcënimin e armës, ajo ka urdhëruar pilotin të ndryshojë kursin drejt Athinës.

Pas një konfrontimi brenda në kabinë, ku duket se ka pasur edhe të shtëna me pistoletë, piloti ka mundur të ulë mjetin larg ambienteve të burgut, në Atika, por pa mundur të ndalojë Pola Rupën.

Gruaja është larguar duke harruar paruken dhe disa sende personale, që janë marrë për analiza nga Departamenti i Antiterrorit.

Nikos Maziotis pasi ishte zhdukur prej verës së vitit 2012-s, u arrestua në Monastiraki të Athinës në vitin 2014  dhe me akuza të shumta për veprimtari terroriste, midis të tjerash për një seri sulmesh në Ambasaden Amerikane dhe bursën e Athinës, u dënua me 50 vjet heqje lirie.

Deri tani nuk ka një version zyrtar të policisë për këtë ngjarje, pasi thuhet se po heton edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë përpjekje për arratisje me helikopter, që do të ishte e katërta e radhes pas atyre të vitit 2006 dhe 2009 të shtetasit shqiptar, Alket Rizai dhe Vasilis Paleokostas.

Ky i fundit një grabitës serial që u arratis dy herë me helikopter nga burgu i Korridhalosë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje