Sindromi i Prishtinës zbret në Tiranë

25 Shkurt 2016, 10:19Politika TEMA

Gazeta Dita shkruan sot, se opozita në Tiranë, është duke u përpjekur të kopjojë opozitën radikale të Prishtinës.

“Partia Demokratike e 2B-ve, Berisha e Basha, paralajmëroi me zërin e këtij të fundit se, nëse nuk miratohen kërkesat e tyre për përjashtimin e katër deputetëve të shumicës, nga të cilët njëri i pavarur, atëherë nuk do të ketë më komisione parlamentare dhe punimet e Kuvendit do të bojkotohen. Do të ketë kështu një shfaqje të zbutur fillimisht të asaj që po ndodh në Prishtinë dhe, më pas nuk dihet se si mund të vazhdojë, por që nuk do të jetë në të mirë të vendit, kjo dihet qartësisht.

Disa ditë më parë, deputetja radikale e së djathtës, Topalli, ishte e përmalluar se në Tiranë nuk kishte një lëvizje ‘ekstra protestuese e radikale’, si ishte Vetëvendosja në Prishtinë. Ajo, me gjithë ashkun e saj për kthimin në pushtet, foli e mallëngjyer me aktet në Prishtinë, megjithëse lëvizja që ajo citoi njihet si një lëvizje e së majtës, për të mos thënë se është një lëvizje e majtë drejt radikales, por që ende nuk është shfaqur në të gjithë radikalizmin e saj. Kjo nuk i pengoi “ të djathtës” Topalli të kishte mall për sjelljet e tyre.

Dhe, ja tani, Shqup-i, si strukturë dhe si sistem i antivlerës, predikon dhe paralajmëron se mund të fillojë një lëvizje e tillë paralizuese, e cila mund të vendosë një bojkot të jetës politike dhe që, si ata shpresojnë, mund të dërgojë në kalendat greke, pikërisht atë ligj që ata nuk e duan, për Drejtësinë.

Edhe më herët, në një formë disi më të zbutur, shenjat e lëvizjes prishtinase kanë qenë të pranishme në jetën tonë politik. Një grup i të rinjve studentë, ku kishte edhe pjesë të Vetëvendosjes që kishin ardhur për të dhënë “përvojë” sulmuan me vezë apo domate shefin e qeverisë Rama, megjithëse këtë e bënë kur ai kishte kaluar. I pashë kur dolën jashtë ndërtesës së Policisë, ku i kishin mbajtur për pak çaste, dhe sinjalet që dhanë, me grushtet e ngritur dhe përshendetjet fituese, më janë dukur në momentin e parë si shpërthime entuziaste rinore, gjë që më pas më vuri në një mendim që ende nuk është përcaktuar qartë: përse sindromi i Prishtinës kërkon me ngulm të duket edhe në Tiranë”, shkruan Bedri Islami tek Dita.

Pavarësisht paralelizmit, ai thotë se beteja e opozitës në Prishtinë nga ajo në Tiranë ndryshon si nata me ditën, pasi kjo e fundit është e shqetësuar për të mbrojtur aferat e saj.

 

2 komente në “Sindromi i Prishtinës zbret në Tiranë”

  1. sikur te isha djale says:

    Rrrofte “sebepi”!

  2. neo! says:

    Pse gjeni pretekst ta sulmoni Vetevendosjen nuk e kuptoj? Shikoni ju punet e juaja e ne tonat o te mjere!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje